Nga Plator Nesturi
Ashtu siç pritej, Komisioni Hetimor Parlamentar, në raportin e tij ka propozuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Repulikës. Në raportin 100 faqesh drejtuar parlamentit, ngrihen 30 akuza për shkelje nga ana e presidentit dhe që prekin fusha të ndryshme të aktivitetit të tij. Sipas raportit, presidenti ka shkelur 18 nene të Kushtetutës. Ndër shkeljet që vërehen është ndërhyrja e presidentit dhe kërcënimi për 5 anëtratë e Gjykatës Kushtetuese, fakti që ka ndërhyrë në veprimtarinë e SPAK duke e penguar atë, uzurpimi në marrjen e kompetencave të Kryeministrit dhe të Kuvendit të Shqipërisë. Por duket se një vend të rëndësishëm në morinë e akuzave janë ato për prishje të imazhit të vendit dhe tentimi për të futur në krizë mrrëdhëniet me SHBA. Sipas raportit, Ilir Meta ka sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke tentuar incident diplomatik me SHBA dhe dëmtuar imazhin dhe pozitat ndërkombëtare të Shqipërisë. “Të gjitha deklarimet e tij publike kundër ambasadës dhe autoriteteve përfaqësuese të SHBA-së do kishin forcën të dëmtonin rëndë marrëdhëniet me aleatin tonë strategjik, nëse autoritetet kompetente të SHBA-së nuk do kuptonin se këto qëndrime janë e kundërta e qëndrimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, imazhi dhe pozita ndërkombëtare e Republikës së Shqipërisë, konsiderohet e dëmtuar, për shkak se institucioni i cili duhet të përfaqësojë ndërkombëtarisht Republikën e Shqipërisë”.
Në raport thuhet gjithashtu se Ilir Meta përbën rrezik për krijimin e kizave dhe incidenteve diplomatike edhe me vende të tjera, për shkak të sulmeve dhe shantazhit ndaj ambasadorëve të vendeve të BE në Shqipëri, për t’u diktuar qëndrimet që duhet të mbajnë. Mes 30 akuzave të rënda, në raport listohet edhe ndërhyrje dhe shkelja e autonomisë vendore nga Ilir Meta, duke iu referuar ndërhyrjes së tij së paligjshme në konfliktin mes Bashkisë së Tiranës dhe FRD-së. Sipas raportit, çdo veprim që kreu Presidenti në lidhje me konfliktin midis FRD dhe Bashkisë, vuri Metën në shkelje të pozitës neutrale/asnjanëse që ai duhet të mbajë si kreu i shtetit.