“Basha nuk njeh rivalë në PD, por mbetet ‘hija’ e Berishës”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Karaj

Lulzim Basha u rizgjodh për të tretën herë në krye të Partisë Demokratike. Kandidatët që garuan, pranuan humbjen, por e atakuan procesin zgjedhor. Si e vlerësoni ju gjithë procesin zgjedhor?

Duket si paradoksale, por ja që 13 qershori ishte pak a shumë si një “25 prill” në miniaturë. Si Rama dhe Basha kërkonin mandatin e tretë, por me një ndryshim tejet thelbësor: kreu i PS-së mundi për herë të tretë kundërshtarët dhe qeveris Shqipërinë, ndërsa ai i PD-së, “bëri të fortin” vetëm brenda shtëpisë së tij. Kështu, nëse më zgjedhjet e përgjithshme, gjithë arsenali qeverisës u lëshua furishëm me të gjitha format (kërcënime, shantazhime, blerje vote, etj), drejt një elektorati sa të varfër, po aq edhe të frustruar, me qëllimin e vetëm që t’i merrej vota me hir apo me pahir, e njëjta gjë pak a shumë u vërejt edhe në zgjedhjet e përbrendshme të PD-së. Edhe në këtë rast pati garë (qoftë edhe formale), pati fushatë (ndonëse tejet e shkurtër), pati deklarata të forta dhe akuza mes kundërshtarëve për manipulim, por të paktën nuk u harxhua drejtpërdrejt tek votuesi, asnjë kacidhe për të blerë ndonjë votë apo influencë, duke qenë se pjesa më e madhe e atyre që do votonin ishin/ janë “idhtarë të kryetarit”.

Pra, fatkeqësisht, gjithë procesi zgjedhor ishte i parashikuar sesi do të vijonte që në momentin kur formalisht kryesia e PD-së me shumë ngut, shpalli ditën e zgjedhjeve. Përderisa Basha nuk pranoi që të jepte dorëheqjen (moralisht, pasi juridikisht nuk ishte i kushtëzuar apo detyruar nga statuti i partisë), dhe garonte për tu rikonfirmuar si kryetar, të tre kandadatët e tjerë, për mendimin tim ishin vetëm “mbushje”. Ishin tre personazhe, që më e pakta legjitimuan një proces, gjoja demokratik, por që në vetvehte pati shumë probleme. Kjo gjë u vërejt, jo vetëm tek përpilimi i listës së zgjedhësve, por edhe tek mënyra e votimit, numërimi dhe deri nxjerrja e rezultatit përfundimtar. Por fakti që të tre kundërshtarët e Bashës, teorikisht u bënë pjesë me vetëdije e këtij procesi, edhe pse e dinin shumë mirë se kishin zero shanse që ti merrnin karrigen kryetarit, delegjitimon apriori çdo ankesë të tyren.

Basha akuzoi Ramën për deformim në zgjedhjet e 25 prillit, por ndërkohë në zgjedhjet e PD-së pati probleme me vëzhguesit e kandidatëve të tjerë të cilët nuk u lejuan të kishin akses si vëzhguesit e Bashës. Sa morale është kjo gjë dhe pse Basha u friksua nga kandidatët garues sidomos nga Shehaj?

Në politikën shqiptare, për çdo gjë mund të flasësh, por vetëm për moral jo. Dhe për të vërtetuar këtë nuk ke nevojë të shfletosh historinë 30 vjeçare të demokracisë sonë brishtare. Mjafton të qëmtosh retorikën politike të Bashës, i cili jo më larg se 7-8 muaj më parë, nga njëra anë theksonte gjithë popozitet se me atë në krye, zgjedhja e kryeministrit do të kufizohej deri 2 mandate, dhe nga ana tjetër, rikandodoi për një mandat të tretë në krye të PD-së, madje edhe si humbës i pesëfishtë (me Bashën në krye, PD-ja ka humbur zgjedhjet vendore të 2015-ës, zgjedhjet e pjesshme vendore të 2016-ës, zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës, bojkotoi zgjedhjet vendore të 2019-ës dhe humbi këto të 2021-it). Në këtë kontekst, është realisht për të ardhur keq, që nga njëra anë anatemon kundërshtarin (në mjaft raste me shumë të drejtë), dhe nga ana tjetër bën ekzaktësisht, ose edhe më keq, kur vjen puna tek “shtëpia jote”. Kësaj i thonë: “Bëj si them unë dhe mos bëj siç bëj unë”!

Por, për parantezë, nëse lidershipi i Partisë Socialiste, sidomos gjatë kohës kur në krye ishte Fatos Nano, ka nxjerrë vijimësisht personazhe karizmatikë, të denjë edhe për të konkuruar denjësisht kryetarin e partisë (Meta, Majko, Mejdani, Islami, Ruçi, Malaj, Blushi, Veliaj, etj), tjetër gjë te PD-ja. Lidershipi i fortë, gati i pakonkurueshëm as në ëndërrat më të bukura, i Berishës, “ka vrarë” inisiativën e brendshme për të synuar kreun, gjithnjë nëse nuk ke publikisht edhe mbështetjen e këtij të fundit. E njëjta filozofi pak a shumë u ndoq edhe nga Basha gjatë këtyre viteve në drejtim të PD-së, çka ka sjellë që, me largimin e Jozefina Topallit, Astrit Patozit, bamir Topit dhe deri Halim Kosovës,  kjo forcë politike të ketë shumë pak figura (për të mos thënë asnjë), të denja për të konkuruar lidershipin e partisë.

Lexo edhe :  Luhatjet e forta të votave të PD-së, përballë murit 800-mijësh të PS-së

Ndaj, e kam theksuar edhe më përpara se sot për sot, Lulzim Basha nuk njeh rivalë në PD. Ai ishte dhe është alternativa e vetme në drejtim të kësaj partie, pavarësisht 1001 gabimeve, me kosto të jashtëzakonshme, sidomos për elektoratin blu. Pas 8 viteve në opozitë, kjo forcë politike nuk ka kohë për eksperimente në drejtimin e saj, çka do të sillte edhe më shumë pasiguri në elektorat. Ndaj edhe rikonfirmimin e Bashës, unë e shoh më e pakta si e keqja më e vogël, ose si e vetmja zgjidhje racionale. Ndërsa sa u përket problemeve në procesin zgjedhor dhe ankesave që kanë pasur kundërshtarët e Bashës në përgjithësi dhe z.Shehaj në veçanti, gjykoj se ato janë si pika uji në oqean, krahasur me problemet që ka realisht PD-ja. Minimalisht, që kjo parti të mund të vijë në pushtet, do duhet të mësojë nga gabimet e së shkuarës, duke filluar më së pari me organizmin strukturor, sidomos në bazë. Për të vijuar me përpilimin sa më përfaqësues dhe të ndershëm të listave qofshin për kandidatë për kryetar bashkie qofshin për deputetë, në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, me qëllim që këta të fundit të kenë kohën e mjaftueshme për t’iu paraqitur elektoratit. Dhe natyrisht, me krijimin e një klime besueshmërie në lidershpin e vet, duke bërë kësisoj minimalisht të mundur, që votuesi të mos dyshojë tek zgjidhja mes Bashës dhe Ramës.

U lajmërua një konferencë shtypi nga PD se do ishte Basha, ndërkohë materiali u shpërnda me “ëetransfer”. Basha ka frikë të përgjigjet për garën, apo frikë ndaj Berishës? Zëra ka se Basha është nën presion nga SHBA për të shkarkuar Berishën nga grupi parlamentar. Çfarë po ndodh në Partinë Demokratike?

Basha e ka treguar edhe në të shkuarën se përpiqet gjithmonë ti largohet përballjeve, sidomos në momente delikate të lidershpit të tij. Kjo sigurisht mund edhe të përkthehet si një lloj frike ndaj së vërtetës, por gjithsesi unë i qëndroj mendimit se Basha nuk ka rivalë në PD (duke anashkaluar gjithmonë Berishën). Ai do ti mundte kundërshtarët e tij edhe sikur zgjedhjet ti bënte më 13 korrik, apo edhe sikur të mos bënte fare fushatë në bazën e partisë. Kjo natyrisht vjen për shkak të përvojës politike që ai ka dhe që kundërshtarëve të tij u mungon ndjeshëm, po ashtu edhe për faktin se ka pasur dhe besoj se do ketë edhe në vijim, mbështetjen e Berishës. Ndonëse ky i fundit është vënë nën shënjestrën e SHBA-ve, unë besoj fort se Basha nuk do të heqë aesi dorë nga Berisha, të cilin do ta mbrojë me fanatizëm deri në fund, dhe po ashtu do të mundohet që të normalizojë edhe marrëdhëniet me DASH në përgjithësi dhe ambasadën amerikane në veçanti.

Berisha dha sinjale të forta për një rikandidim në prag të zgjedhjeve. Çfarë po synon Berisha? A është Basha nën presionin e Berishës?

Pikë së pari jam thuajse i sigurt se Berisha nuk do të kthehet kurrë më në krye të PD-së. Deklarata e tij, dhënë para disa ditëve, më shumë sesa për Bashën, ka qenë për kundërshtarët e këtij të fundit dhe ata që shpresojnë tek largimi de jure dhe de fakto i Berishës nga PD-ja dhe parlamenti shqiptar. Basha nuk ka sesi të jetë nën presion nga Berisha, përderisa është vetë ky i fundit që e mbështet, madje edhe kur hesht. Në këtë kontekst, besoj se Berisha do të jetë deputet, natyrisht edhe me bekimin e Bashës, paçka presionit që ka ushtruar dhe do të vijojë të bëjë SHBA ndaj PD-së dhe lidershpit të saj.

Të fundit

KUJDES/ Nesër mund të ndërpriten fluturimet nga Tirana drejt Brukselit dhe anasjelltas

Ditën e nesërme, e enjte 13 shkurt 2025, do të ndërpriten fluturimet nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt Brukselit dhe...

Cila është gjuha më e vjetër në botë?

Njohuritë e grumbulluara mund të humbasin shpejt, për shembull për shkak të metodave të vjetëruara të regjistrimit, që nuk i përdor më sot askush....

Shpërthim i fuqishëm në një fabrikë në Rio de Zhaneiro, të paktën 20 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një fabrikë kostumesh karanavalesh në Rio de Zhaneiro. Mediat e huaja bëjnë me dije se nga shpërthimi kanë mbetur...

Një drejtësi e pavarur, jo e përkryer

Blendi Kajsiu Arrestimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj nga SPAK, ka prodhuar një reagim të fuqishëm, sidomos në kampin e majtë. Disa kanë hedhur hije dyshimi...

Tërmetet/Amorgos shpall gjendje të jashtëzakonshme-Gjashtë tërmete të forta në Santorini

Bashkia e Amorgos ka shpallur në gjendje të jashtëzakonshme, me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile, në kuadër të nevojave emergjente dhe...

Lajme të tjera

Web TV