Një tjetër sasi e konsiderueshme drogë është zbuluar në Portin e Durrësit. Bëhet fjalë për 17 kg heroinë, e cila kishte si destinacion final Malin e Zi.
Sipas burimeve droga ishte fshehur në një kamion i cili ishte bosh dhe ishte nisur drejt Malit të Zi për t’u furnizuar me mallra. Mësohet se droga ishte fshehur në sabratorin e kamionit! Dyshimet lindën në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, dhe për pasojë më pas, kamioni është sjellë në Portin e Durrësit, ku pas kontrollit me skaner është zbuluar dhe heroina. Burimet bëjnë me dije se shoferi i kamionit, me origjinë nga Vlora, është arrestuar.
“Nuk kam dijeni, unë jam i punësuar, isha nisur për të marrë mallra”, mësohet të ketë thënë ai.
Operacioni vijon, teksa priten të mësohet të tjera detaje në vijim.
Kjo sasi e kapur droge në Portin e Durrësit, vjen jo më larg se një javë nga kapja e 324 kilogramë kokaine, në një kamion që kalonte tranzit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Droga ishte e ndarë në disa pako dhe të ambalazhuara me firma të njohura parfumesh apo klubesh sportive.