Nga Fernada Cenko
Velipoja u zgjua mëngjesin e djeshme nën terrorin e armëve. Katër viktima dhe dy të plagosur është bilanci i një konflikti që nisi për shfrytëzimin e hapësirës bregdetare nga dy biznese. Ngjarja e rëndë ka vënë në lëvizje kryeministrin Edi Rama duke kërkuar ristrukturim të shpejtë të Policisë së Shtetit. Sipas tij, struktura për riorganizimin ka qenë gati, vetëm se pritej kalimi i verës për tu materializuar ajo që është në letër. Por i ndodhur para masakrës së Velipojës, Rama ka kërkuar lëvizje të menjëhershme të drejtuesve por edhe të punonjesve. Kreu i qeverisë ka bërë me dije se ka thirrur në një takim ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi për ti kërkuar lëvizjet në polici. Po ashtu në këtë takim kanë qenë edhe drejtuesit e lartë të rendit. “Ju kërkoj ndjesë, por duhet të largohem sepse kam thirrur ministrin e Brendshëm. Për mos humbur kohë për të lancuar sa më shpejt një pakt të ri të ristrukturimit të Policisë së Shtetit, që ka kohë që është përgatitur, por që duhet të përshpejtohet dhe mos presim fundin e verës”, tha kryeministri Edi Rama, duke lënë të kupotohet që ky ristrukturim do të bëhet urgjent sidomos pas ngjarjes që ndodhi në Velipojë.
Ngjarja në Velipojë
Ngjarja tronditëse që ndodhi mesanatën e djeshme në Velipojë të Shkodrës nisi për rërën dhe sheslonget. Debati ka nisur mes Kujtim Ferracakut, pronar i restorant “Fantazia” dhe pronarëve të hotelit “Gocaj”. Burime për media bëjnë me dije se sherri ka nisur për shezlongët në plazhin e Velipojës. Si fillim debati ka nisur me fjalë dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit nga të dy palët. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, vëllezërit, Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, ky i fundit punonjës i shezlongeve. Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku 54 vjeç dhe Elmedin Tyli 17 vjeç. Policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike. Dy të plagosurit, Hasan Ferracaku dhe i mituri 17-vjeçar Elmilind Dyli janë të arrestuarit e parë për vrasjen e 4-fishtë në Velipojë. Po ashtu Policia ka shpallur në kërkim edhe 3 djemtë e Hasan Ferracakut, Abedin, Shyqyri dhe Besmir Ferracakun. Këta të fundit dyshohet të jetë bashkëautorë në vrasje. Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.
Hetimet
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera grupi i posaçëm hetimor, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, ku si pasojë e një konflikti të çastit mbetën të vrarë me armë zjarri 4 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë, bazuar në provat e grumbulluara u arrestuan në flagrancë shtetasit: H. V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim. Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe B. V., vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë.