Politika shqiptare u bë bashkë në urimin e Pavarësisë së SHBA në një takim të organizuara nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Në këtë eveniment ishin të pranishëm Presidenti Meta, kryetari i Kuvendit Ruçi si dhe kryedemokrati Basha.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim organizoi një aktivitet me rastin e 245 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku morën pjesë dhe shumë politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Të pranishëm në pritje ishin dhe presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryedemokrati Lulzim Basha, ndërkohë që mungonte kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ka festuar datëlindjen e tij të 47-të duke uruar edhe Pavarësinë e SHBA-së. Teksa ka dhënë një mesazh në kuadër të kësaj dite të shënuar për Amerikën, Kim u shpreh se kjo ditë është e veçantë edhe për marr dhënien mes Shqipërisë e Amerikës. “Ndërsa festojmë ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara, shënojmë gjithashtu 30 vjet që kur populli i Shqipërisë refuzoi diktaturën komuniste në përkrahje të demokracisë. Në një nga veprimet tuaja të para si një popull i lirë, Shqipëria i shtriu dorën e miqësisë Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara e kapën me krenari dorën tuaj në vitin 1991 dhe ne kurrë nuk e kemi lëshuar” shkruan Kim. Ambasadorja amerikan Yuri Kim ka nënvizuar se kjo marrëdhënie do të vijojë dhe më tej. “Në vitin e ardhshëm, ne mirëpresim të çojmë akoma më përpara demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin”, është shprehur diplomatja mes të tjerash. Edhe politikanët shqiptarë kanë uruar SHBA për ditën e pavarësisë duke u shprehur mirënjohës ndaj kontributit që Amerika ka kanë dhënë për shtetin shqiptar.
Edi Rama
Kryeministri Edi Rama ka uruar më një status në rrjetet sociale. ‘Gëzuar 4 korrikun Amerikë’ është urimi i kryeministrit Edi Rama për Ditën e Pavarësisë së SHBA teksa ka postuar në rrjetin social FB foto të flaumurit amerikan. Amerikanët festojnë 245 vjetorin e Pavarësisë, ndërsa kjo ditë përkon edhe me vetë ditën e lindjes së Kryeministrit Rama, 4 korrik 1964.
Lulzim Basha
Me rastin e 245 vjetorit të Pavarësisë, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në Facebook, Basha uroi me disa nga fjalët e Deklaratës së Pavarsisë. “Ne i mbajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë”, shkruan Basha.
Ilir Meta
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka shkruar një letër kreut të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden me rastin e 245 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pasi falënderoi SHBA për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në vite, Ilir Meta shprehet se uron që miqësua mes dy vendeve të forcohet më tej. “245-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep kënaqësinë e veçantë që t’Ju përcjell, edhe në emër të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju dhe popullin e madh amerikan, që e bënë këtë komb kaq të fortë dhe të begatë”, shkruan Ilir Meta. Më tej ai shkruan se i njëjti mesazh urimi u shkon edhe të gjithë shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë kontribuar në mënyrë thelbësore për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Amerikës. “Ne ndihemi krenarë për bashkëkombasit tanë, ashtu siç jam i sigurt se ndiheni edhe Ju, si dhe besoj se miqësia jonë e përbashkët e me rrënjë të thella, do të forcohet akoma edhe më tepër. Jemi optimistë, që madhështia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si edhe e aleatëve të saj, e mbështetur në vlerat tona të përbashkëta euro-atlantike si dhe demokratike, do të mbizotërojë dhe do të triumfojë mbi shumë sfida të kohëve tona, përfshirë edhe pandeminë e COVID-19. Ju jemi mirënjohës për ndihmesën dhe mbështetjen bujare, që na dha qeveria juaj, për t’u përballur me këtë pandemi, si dhe me sfida të tjera, gjithashtu”, vijon Meta në letrën drejtuar Biden. Në përfundim të letrës së hapur, Meta shkruan se “do të dëshiroja të shfrytëzoja këtë rast që t’iu ritheksoja vendosmërinë e Shqipërisë për të qëndruar krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të mirë të interesit të përbashkët të dy popujve tanë miq, si dhe për të zhvilluar akoma edhe më tej lidhjet tona strategjike!”.
Amerika feston 245 vjetorin
Dita e Pavarësisë në SHBA, kudo festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e tonelatave të fishekzjarrëve në qiellin e Eldorados, ku qytetet kryesore, Nju Jorku, Filadelfia, Uashingtoni, Los Angelos, Çikago, Dallas, Feniks, Detroiti, Bostoni, e tjerë e shënojnë këtë natë magjike më një hedhje fishkezjarresh spektakulare. Deklarata e Pavarësisë që shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara u hartua kryesisht nga 32 vjeçari Tomas Xheferson. Njera pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit. “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, shkruhet në deklaratën e Pavrësisë të përpiluar nga Xherferson.