Analisti dhe profesori i Universitetit të Tiranës tashmë me karrige deputeti, Agron Gjekmarkaj, nga kritik i fortë i kreut të PD-së, Lulzim Basha, për gjashtë muaj u kthye në një vasal dhe lëpirës ndaj këtij të fundit.
Gjekmarkaj, në shkrime por edhe në artikulime publike, shprehej se Basha është i mirë, se ai është e ardhmja, se kishte punuar, kishte rezistuar dhe kishte bërë edhe lista të mira, sepse kishte future edhe Agronin.

Por, çfarë ndodhi.
Në finale, pavarësisht trumbetimit të fortë të Gjekmarkajt në media, Basha humbi.
Edhe pse Gjekmarkaj tashmë u bë deputet, e ka dredhur sërish e ka filluar të shkruajë për gabimet dhe dështimet e Bashës.
Në një shkrim të fundit, Gjekmarkaj shkruan se “PD duhet të rithemelohet, dhe se çadra e 2017-ës, djegia e mandateve, mos hyrja në zgjedhjet e 2019-ës, ishin strategji e gabuar dhe se Lulzim Basha duhet ta pranojë që ato nuk patën sukses”.
Në fakt Gjekmarkaj, nuk e thotë të vërtetën e plotë, atë që tashmë demokratët e kanë parë dhe pësuar në kurrizin e tyre.
Gjekmarkaj thotë vetëm gjysëm të vërtetën, sepse Basha ka edhe të tjera bëma dhe gjëma.

Së pari, vota negative në PD, në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Gjë që nuk ishte parë as dëgjuar më parë. Që do të thotë se ka pasur ndëshkim dhe jo garë. Kandidatët nuk u eliminuan ngaqë kishin marrë pak vota pro, por shumë vota kundër.
Së dyti, përtej një procesi të trumbetuar fort në media, gjasme të përzgjedhjes së kandidatëve, në lista u futën edhe ata të ndëshkuarit nga anëtarësia. Pra, kishte një përsëritje të listës së 2017-ës.
Shkojmë tek një tjetër gjëme e Lulzim Bashës, që i shkaktoi jo pak kosto elektorale demokratëve, marrëveshja e 2017-ës, me kryeministrin Edi Rama dhe shitja e PD-së.
Pas një marrëveshje me Ramën në maj të vitit 2017, detajet e së cilës nuk u bënë publike kurrë, Basha mori gjysmën e qeverisë, hyri në zgjedhje dhe i solli PD-së një katastrofë elektorale, me rreth 230 mijë vota më pak, se katër vite më parë. Pra, ditën që doli në opozitë.
Po ashtu, Gjekmarkaj ndoshta ka harruar, kauzat e braktisura të Lulzim Bashës dhe humbjet e tij të njëpasnjëshme.

Basha tradhëtoi kuksianët, në protestën kundër vendosjes së traut në Rrugën e Kombit. U betua se trau nuk do të vendosej, por I braktisi protestuesit dhe djemtë e Kukësit përfunduan dyerve të gjykatave dhe prokurorive.
Basha tradhëtoi banorët e Unazës së re, shtëpitë e të cilëve u shemben.
Basha tradhëtoi kauzën e Teatrit Kombëtar. Sërish fadromat kaluan “mbi trupin e tij”, dhe ndërtesa u shemb. Basha i la vetëm artistët, ndërsa vetë flinte i qetë në shtëpinë e tij.
Por, sipas Gjekmarkaj vetëm këto pika na qenkan halli i Lulit.
Në fakt Luli është një hall i madh dhe mesa duket hall me vete do jetë edhe Gjekmarkaj dhe ndonjë pseudointelektual tjetër që thotë të njëjtën gjë.

E vërteta e pjesshme nuk është një e vërtetë.
Gjekmarkaj pretendon se ka sjellë teza të reja, por në fakt këto janë teza të artikuluara në qëndrime publike nga persona të tjerë, para Gjekmarkajt.
Por, të vërtetat që thotë nuk janë të plota.
Gjekmarkaj po tregon se nuk është intekektual me shtyllë kurrizore, por një “pulë tashmë e shqyer” në kotec nga këndezi Luli, të cilit po iI mban iso.
Gjekmarkaj kërkon të këndojë në një kotec të vjetër, ku ligjin kërkojnë ta bëjnë “pulat”./CNA