Komisioni i përhershëm i shkencave sociale, juridike dhe ekonomike, pranë Akademisë së Shkencave ka organizuar sot paradite ligjëratat akademike për ndryshimet dhe sfidat strukturore që shkaktoi pandemia e Covid-19 në zhvillimet aktuale e perspektive të teorive ekonomike, politikat ekonomike, paketat e rimëkëmbjes ekonomike, borxhit publik, tregjet e punës dhe profesioneve të reja.
Akad. Anastas Angjeli në ligjëratën “Sfidat e reja dhe ndryshimet e teorive ekonomike dhe strategjive të zhvillimit ekonomiko-social në periudhën e pandemisë Covid-19 dhe perspektivat afatgjata të zhvillimit dhe mirëqeverisjes” shtroi çështjen e përjetimit që nga viti 2008 të tri krizave të mëdha ekonomike dhe financiare.
![](https://fjala.al/wp-content/uploads/2021/07/211821967_4027724493929363_6658424273851057735_n-468x350.jpg)
Akad. Angjeli tha se po përjetojmë ndryshime epokale në ekonomi digjitale, inteligjencë artificiale dhe modele ekonomike inovative, ndërsa shtroi mes të tjerash çështjet e borxhit publik, rritjen e nivelit të të tij, rreziqet e shtimit të borxhit dhe a ka dështuar tregu, apo mendimi ekonomik po evoluon drejt një roli më të fortë të shtetit në ekonomi?
Në Shqipëri, politikat e konsolidimit fiskal bënë që borxhi publik të reduktohet nga 72.7 për qind e PBB në vitin 2015, në 66.3 për qind e PBB në vitin 2019.
Goditjet e njëpasnjëshme të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe kriza shëndetësore e COVID-19, bënë që borxhi publik për vitin 2020 të ishte 76.1 për qind e PBB.
Akti normativ nr.25 datë 22.6.2021, në përputhje me udhëzimet fiskale të Komisionit Europian për vendet e BE, datë 2 qershor 2021, i ofron fleksibilitet të domosdoshëm buxhetit të shtetit si instrument për nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit dhe forcimin e kredibilitetit të qëndrueshmërisë së financave publike.
Mendimi ekonomik i së ardhmes përcaktohet nga inteligjenca artificiale dhe modelet ekonomike inovative; kriptomonedhat dhe rishikimi i teorisë monetariste moderne, tha akad. Angjeli
***
Akademik i asociuar Adrian Civici në ligjëratën: “Evolucioni dhe ndryshimet strukturore në tregun e punës dhe lindja e profesioneve të reja në periudhën post-Covid-19. Si duhet reaguar?” tha se në horizont po lindin me shpejtësi “profesione, zanate, prodhime, shërbime e modele të reja prodhuese e menaxheriale” të cilave ju përket e ardhmja.
Pandemia përshpejtoi një tendencë strukturore të tregjeve të punës dhe profesioneve të lidhura veçanërisht me: zhvillimet teknologjike në kuadrin e revolucionit 4.0 (Inteligjenca artificiale, automatizimi, robotika, inovacionet, start up-et, big-data) dhe thellimin e tipareve të reja të globalizmit.
![](https://fjala.al/wp-content/uploads/2021/07/213960286_4027723213929491_375653690017822360_n-468x350.jpg)
Shifrat janë impresionuese:
85% e profesioneve dhe vendeve të punës të vitit 2030 – pra vetëm 9 vite larg – nuk ekzistojnë akoma dhe do krijohen në dekadën e ardhshme.
Në vitin 2030, mbi 70% e të diplomuarve nuk do munden të gjejnë dot një vend pune apo profesion ekzistues të konsoliduar.
Në 2 dekadat e ardhshme … mbi 80% e atyre që sot cilësohen si “profesione klasike të konsoliduara” do zhduken për t’u zëvendësuar me profesione “multifunksionale e pluri disiplinore” …
BE publikon një raport të veçantë “mjaft shqetësues” për disa milionë vende vakante.
Mbi 70% e këtyre vendeve vakante nuk mund të zihen duke paraqitur vetëm një diplomë universitare … por duke “dëshmuar nivelin e përvetësimit të kompetenceva dhe dijeve të reja të së ardhmes” ….
Riaftësimi/ riformimi profesional me profesionet e reja që po lulëzojnë mbetet sfida më e madhe e qeverive dhe e sistemeve arsimore e kualifikuese, tha akad. Adrian Civici.
Kjo është rruga e domosdoshme dhe më e dobishme për universitetet shqiptare, që kanë rrugë të gjatë e të vështirë për t’u përfshirë në këtë tendencë të re modernizim dhe integrimi më të plotë me zhvillimet bashkëkohore të profesioneve dhe tregjeve të punës.