Skënder Kuçi, krenar për medaljet e varura në zemër, e jo në xhaketë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bashkim Koçi

Për Skënder Kuçin, një ndër katër të parët specialist të bujqësisë me arsim të lartë në Skrapar, kisha dëgjuar të flitej shumë herët, madje më ish krijuar përshtypja se ai ishte “gur i çmuar” mes specialistëve të tjerë të atij rrethi, një emër i veçantë e i njohur në tërë krahinën për atë që ishte. Kjo gjë konsiderohej dhuratë falë aftësive të tij për të zbatuar praktika të reja shkencorë në bujqësi. E kishte përfunduar Institutin e Lartë Bujqësor (sot UBT) në motin e largët, në muajin shkurt të vitit 1966, me nota shumë të mira. Drejtuesit e Institutit bënë shumë përpjekje, ashtu si për disa të diplomuar të tjerë, të cilët i kishin përfunduan studimet me rezultate të shkëlqyera, që ta mbanin aty, pranë ndonjë katedre si pedagog. Por nevojat e prodhimit, veçanrisht në zonat malore, siç ishte rrethi i Skraparit, kjo gjë dukej gati e pamundur të realizohej . Dhe kështu ndodhi. I porsadiplomuari për agronom, Skënder Kuçi, e “mbajti frymën” në Vëndreshë, në fshatin e tij të lindjes. Aty, si shumë shokë të tij që u shpërndanë nëpër Shqipëri me detyrën e specialistit të bujqësisë, mendonte se do ta gjente veten për të justifikur edhe arritjet në lendt e shkencave bujqësore. Nuk se kishte vendosur për të bërë çudira, pra “të fluturonte” edhe për shkak të formimit të tij me dije e kompetenca të plota në fushën e zbatimit të teknologjive të reja në prodhimin bujqësor, por i caktoi vetes detyrën që të çfaqej si ambicioz dhe të ishte i gatshëm të pranonte edhe kushte të rënda, të cialt ishin pjesë organike e terenit malor ku shtrihej ekonomia bujqësore.

Ishin vitet ’70 të shekullit të kaluar, atëherë kur edhe unë, shkruesi i këtyre radhëve, sapo kasha filluar të punoja si specialist bujqësie, të njihja e të kuptoja çdo të thoshte t’i vije krahët asaj që jo pa të drejtë i thuhej “industri pa çati”. Ato mote Skënder Kuçi ishte kryespecialist në kooperativën më të madhe të rrethit, në atë të Vëndreshës, e më pas kryetar i saj. Vëndresha konsiderohej “Myzeqe” për Skraparin për faktin se merrte rendimente goxha të larta në grurë e misër, por edhe në prodhimin e rrushit, frutave e në blegtori. Pra kur flitej për arritjet e kooperativës së Vëndreshës, kur ajo nderohej si flamurtare dhe ekonomi me të ardhura të larta, njerzit për të gjitha këto ndere e lëvdata nuk nguronin t’ja faturonin njeriut që kishte arritur të bënte përbysje në praktikat e punës në kultivimin e bimëve dhe mbarshtimin e blegtorisë, specialistit Skënder Kuçi. Në ata mote në Vëndreshë zhvilloheshin seminare, shkëmbehej përvojë për kryerjen e proceseve të veçantë të punëve stinore në bujqësi, në ato që kërkonin kualifikim dhe përfshirjen në to të njerëzve me aftësi të mira praktike, por edhe në çështje që kishin të bënin me organizimin dhe kërkesën e llogarisë. Specialisti Skënder Kuçi, për të gjitha këto çka thashë, bënte të ishte strumbullari i veprimtarive, njeriu i kërkuar për t’ju dhënë mend të tjerëve, me bindjen se pa ndihmesën e tij Vëndresha nuk mund të ishte ajo që ishte, pra hambar për të gjithë rrethin.

Rasti e solli që një ditë, të ndryshme nga të gjitha ditët, në qershor të vitit 1975, me një vendim në dorë, të firmosur e vulosur nga organet e pushtetit në rreth, të gjendesha në Vëndreshë, aty ku punonte e drejtonte Skënder Kuçi. Vendimi bënte fjalë që unë isha ngarkuar me detyrën e k/agronomit të asaj ekonomie. Skënderi e kishte marë më përpara njoftimin dhe më priste aty në sheshin përpara zyrave të kooperativës. Ishte me dy-tre drejtues e specialistë të tjerë, me të cilët, meqë ishte qershor, temat e bisedës ishin punët e stinës në bujqësi. Por, mesa duket, ai donte që edhe prezantimin tim për detyrën që do të mbaja aty në kooperativë, ta bënte në një mënyrë tjetër, të praktikonte stilin e tij të njohur, për të të thënë indirekt se “këtej nga Vëndrtesha nuk kemi punë me zyrat, e se zyrat janë atje tutje, arave të mbjella e pemtoreve ku kryhen shërbimet e stinës”. Ajo çka bluaja unë brenda vetes në ata çaste ishte siklet i madh, vuajtje shpirtërore, por edhe profesionale, sepse nga ajo ditë e më pas do të isha vartës i një specialisti me emër, e ca më keq, që do të mbaja mbi shpatulla një barrë të madhe, të cilën deri atë ditë e kryente dikush tjetër. Në një farë mënyre do të bëhesha apo të isha pak “Skënder” për të përballuar punët e asaj ekonomie të madhe. Por realisht qënkësha trembur pa asnjë arsye. Pa asnjë arsye sepse specialisti Skënder Kuçi me punën e tij në vite kishte ndezuar një dritëz që të mund të shpërndate përvojë e dituri tek vartësit e kolegët, të cilët ishin bërë zotër të punës. Më kanë mbetur në shpirt e zemër aftësia dhe korrektësia në kryerjen e punëve të çdo dite të vitit të agronomëve Mustafa Dervishi, Bashkim Tare, Sadik Laze, Qani Sinani, Agron Lika apo specialisti i blegtorisë Përparim Alia, por edhe shumë brigadierë të arsimuar në shkollën e mesme bujqësore aty në Vëndreshë. Kryetari i koopetarivës Skënder Kuçi qëndronte në pozicionin e njeriut që, pa cmirë e qibër, bartëte brenda vetes gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët, dëshirën aq të sinqertë, që i gjthë ekipi të kishte sukses. E pata dëgjuar të thoshte shpesh se, vetëm duke shpërndarë përvojën tënde te të tjerët, sidomos tek vartësit, mund të arrish më shpejt e më mirë suksesin tënd.

Skënder Kuçi mbahet mend si njeri pasionant, që falej, që gjunjëzohej me krenari përpara punës. Dhe kjo gjë nuk u shua për gjatë gjithë jetës edhe sepse ai e kishte të ngulitur në mendje se asgjë e madhe në botë nuk është realizuar pa punë e pasion. Këtë mendësi, pra që punës në bujqësi i duhet shpesh edhe sakrifica, ua kishte përciellë çdo vartësi, deri tek brigadieri që drejtonte njësinë më të vogël të prodhimit. Gjej rastin të sjell një shembull të modelit të drejtimit të punëve në grup, të një brigadieri, të Bahri Bakiut, emri i të cilit në ata mote shëtiti dhe u bë i njohur në të gjithë rrethin e Skraparit. Ishte viti kur në rrethin e Lushnjes ra një breshër i madh, i pa parë ndonjëherë, i cili bëri dëme të jashtëzakonëshme, sidomos në bimën e misrit. U asgjësuan pa nam e nishan mijra hektare të mbjellë, duke rrafshuar njëherësh edhe prodhimin e pritshëm. Siç edhe veprohej në ato kohra, u bë thirrje mbarëkombëtare për të ndihmuar Lushnjen. Për Skraparin, si rreth i vogël e pa peshë në prodhimin e drithrave të bukës, ishte caktuar kuota për të dhënë një ndihmë modeste prej 600 kv misër. E di ç’ndodhi? Vetëm brigada që drejtonte Bahri Bakiu, njëri nga më pasionantët në punët e bujqësisë në të gjithë koperativën e Vëndreshës, dhuroi pa prishur e cënuar të ardhurat e brigatës jo pak, por 300 kv misër. Pra sa 50 përqind të sasisë që i duhej të jepte i gjithë rrethi i Skraparit. Sigurisht që në të gjithë këtë çka thashë, del ideja se kooperativa që ishte nën drejtimin e Skënder Kuçit do të arrinte të befasonte jo vetëm fshatrat e ekonomitë fqinjë aty në Skrapar, por edhe ata që me të drejtë konsideroheshin hambar për Shqipërinë.

Ky specialist me qëllime ambicioze për të arritur maksimumin e mundshëm në rendimentet e bimëve bujqësore dhe në blegtori, ishte po kaq “kokshkretë” për të pranuar e përjetuar çdo kusht, sado i rëndë që të ishte në raport me jetën e të gjithë të tjerëve aty në kooperativë. Këto dhe virtyte të tjera, të cilat ishin të njohura për “ata lart”, por sidomos njerëzit e thjeshtë, poqën mendimin se Skënder Kuçi ishte i aftë të përballej edhe me detyra të tjera më të larta partiake e shtetrore. Me njerëzit si ai, vërtet të dijshëm e të përgjegjshëm për punën që u është besuar të kryejnë, ndodh si me kallinjtë e grurit: ngrihen e krekosen sa janë bosh, por kur mbushen me kokrra, fillojnë të ulin kokën e të përulen. Skënder Kuçi ishte i tillë, “kalli gruri i mbushur plot me kokrra”, me përvojë e me të dhëna të tjera të çmuara, të cilat ishin garanci se ai mund të përballej me detyra më të rënda. Kështu, në gusht të vitit 1976, ai ngarkohet me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Bujqësore në Tiranë. Banka Bujqësore e Shqipërisë, për specifikat e punës dhe të shumë problemeve të tjera, nuk ishte e barazvlefëshme më koopërativën e Vëndreshës. Ishin shumë larg njëra tjetrës. E megjithatë ai arriti të drejtonte me kompetencë këtë institucion të lartë financiar për gjashtë vjet, deri në vitin 1982.

Lexo edhe :  6 maj 1937 “Hindenburg”, shpërthimi i anijes ajrore që vrau 35 pasagjerë

Skënder Kuçi e pa pozicionin e tij në çdo moment si specialist i bujqësisë. Ndoshta ky fakt pati ndikim të fortë që ai të ishte njeri i natyrshëm, i patjetërsueshëm, duke çrrënjosur kështu nga zemra edhe hipokrizinë. Ishte dhjetor i vitit 1982 kur e caktuan të kryente detyrën e Sekretarit të Parë të rrethit të Skraparit. Qëllimi në këtë rast ishte shumë domethënës, që ai të ndikonte dretjrtpërdrejt në rritjen e treguesve ekonomikë të ekonomive bujqëore, pra që Skrapari të bëhej në një farë mënyre ashtu si Vëndresha. Për ata vite, kur ky rreth kishte si drejtues kryesor Skënder Kuçin, mbahet mend fakti që populli pa me sy dritën e drejtësisë, të korrektësisë dhe të zbatimit të disa ndryshimeve radikale në marëdhëniet të kuadrove me njerëzit e thjeshtë. Ishin ata vite kur krahina e Tomorricës, ndoshta e lënë disi mënjanë dhe e pa vlerësuar aq sa duhej nga “kompetentët” lartë, të ishte në vëmendjen e organeve kryesore, duke transferuar njëkohësisht një numur të caktuar kuadrosh e specialistësh nga ajo zonë, në strukturat më të larta të organizimit e të drejtimit në rreth.

Ky njeri i vullnetshëm për të punuar e kryer detyrat me një korrektësi të admirueshmë, si t’i kish ëndërra e dëshira të pashkruara të jetës së tij, shumë shpejt u bë pjesë e listës të kuadrove të lartë në shkallë vendi. Ndoshta edhe për këtë gjë, në qershor të vitit 1985 ai mori detyrën e lartë të Sekretarit të Parë për rrethin e Tepelenës. Kanë qenë vite të vështirë, ndoshta nga më stresantët për atë që ekonomia kishte marë të tatëpjetën e pandalëshme. Fjalët që ai vinte në përdorim, vërtet mund dhe duhet të ishin armë të fuqishme, por për të ndryshuar realitetet dëshpëruese duhej diçka tjetër, duheshin pará për të bërë investime kapitale. Tepelena, veç bujqësisë, mbulonte edhe punën në miniera, siç ishte ajo e qymyrgurit në Memaliaj, nga më të mëdhatë në vend. Rreth vështirësive që dolën në ata vite për të realizuar prodhimin në nxjerrjen e qymyrgurit, kam dëgjuar shumë për përpjekjet që u bënë për të gjetur rrugët dhe për të dalë nga situata gati e pashpresë. Kam dëgjuar gjithashtu që Skënder Kuçi, disi “i padijshëm” për punë minierash, guxoi të dërgonte kuadro e specialistë “jashtë profilit”, por që dinin të organizonin, që dinin të fusnin në punë atë që nuk dukej, organizimin e vogël, aty ku shtyheshin vagonët me qymyr. Më është dukur e pabesueshme kur dëgjova nga goja e një ish drejtori shkolle, Naim Dera, të kishte qënë pjesë e punonjësve të minierës së Memaliajt, me qëllimin “të shpëtonin ndërmarrjen nga humnera nga ku mund të gremisej.”

Respektin e njeriu e krijon duke qenë i përulur, i durueshëm në zgjidhjen e një problemi dhe, shumë më shumë, i ndershëm e fisnik në çështje që kanë të bëjnë me qëndrimet ndaj vesit për të marë e përvetësuar gjënë që nuk të takon. Skënder Kuçi në këtë drejtim, pra të vënies dorë në pronën e shtetit, nuk ja thoshte fare, kur të tjerë, ashtu si edhe sot, bënin kërdinë. Nëse dikush do të pyes rreth figurës së tij jo vetëm në Tepelenë, por kudo ku punoi e drejtoi, do të dëgjojë këtë tog fjalësh: Skënderi si njeri fisnik e i papërlyer me punë të pista, kishte shok veten.

Kur u transferua në rrethin e Përmetit, po në këtë detyrë të lartë partiake, ishte muaji maj i vitit 1989. Përmetarët, si njerëz të butë e plot kulturë, emri dhe nami i mirë i kuadrit të lartë që do t’i drejtonte, u kish ardhur nga bisedat “vesh më vesh” me tepelënasit. Dhe nuk u zhgënjyen. Skënder Kuçi, si gjithmonë, mbeti i përulur, i durueshëm për të marë pjesë direkt në zgjidhjen e problemeve të shumta sociale e ekonomike, i mirë e fisnik për bashkëbiseduar me njerëzit e thjeshtë. Viti 1991, vit kur sapo kishin filluar proceset demokratike, Skënder Kuçin e gjeti në Përmet. Ishin vite prove për të gjithë ne, por sidomos për ata që kishin pushtet e që kishim bërë moral për vlerat e sistemit socialist. Sepse vetëm në kundërshti idesh e konceptesh, del në pah karakteri i njeriut. Ai, ashtu si edhe pritej, qëndroi në krah të progresistëve dhe të mbështeste me pastërti shpirtërore e urtësi prej njeriu të mençëm, duke ruajtur midis tyre një harmoni të plotë. Mos përmbajtjen e disa të marrëve (të frymëzuar nga udhëheqës politikë) për të prishur e shkulur nga rrënjët çdo vepër të ndërtuar nga “komunistët”, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, Skënder Kuçi e konsideroi si “veprim budallenjësh të dëshpëruar”. “Veprim budallenjësh të dëshpëruar” e konsideroi edhe largimin nga puna, nxjerjen në rrugë të madhe të shumë kuadrove e specialistëve të cilët, ashtu si vet ai, ishin asete të çmuara për vlerat që kishte si specialistë e si njerëz. Në atë vit kur dorëzoi detyrën e Sekretarit të Parë të rrethit, filloi punë në pozicionin e drejtorit të fabrikës së makaronave aty në Përmet. Por, ashtu si në të gjthë vendin, partia që mori pushtetin nuk mund të lejonte që drejtor të ishte një komunist e ca më shumë një person i nomeklaturës së lartë të Partisë së Punës. Skënder Kuçi e priti me qetësi zhurmën e madhe të demokratikasve që kërkonin shkarkimin e tij të menjëhershëm. Karakreri dhe formimi i tij si njeri, që karierën personale si specialist e politikan e kish vënë në shërbim të të tjerëve, nuk mund të shpërblehej duke e përbaltur. Ca më shumë në një vend si Përmeti e permetarët. Dhe ndodhi vërtet “çudia”. Drejtuuesit demokratë të rrethit kishin vendosur që Skënder Kuçi, ndoshta i vetmi në listat e shkarkim-dëbimeve, të qëndronte për të drejtuar fabrikën. Vetëm pas disa muajësh ai e pa vet të arsyeshme për tu larguar paqësisht dhe të mund të gjente vend punë në sistemin e ri, atë të kapitalizmit.

Skënder Kuçi nuk dha rast apo të bënte veprime për të humbur emrin e mirë, për të cilin kish investuar aftësitë dhe karakterin për të të gjithë jetën. Ai u përball me detyra të vështira si të ishin të lehta, duke lënë të shkruar në “defterin e jetës” atë që njeriu nuk kursen për ta patur pronë të tij atë më të shenjtën: ndershmërinë. Njeriu në jetë nuk merr çfarë dëshiron, por çfarë meriton. Në këtë kuptim ai që bën detyrën dhe që për aq sa punon e jeton mbetet rob i virtytit dhe ndershmërisë merr shpërblimin që i takon të marrë. Edhe Skënder Kuçi ka marë shpërblimin që ka merituar e madje sipas tij “i ka marë të gjitha”. Janë disa Urdhëra, Medalje e Çmime. Por kësaj pyetjeje ai i përgjigjet me sentencën aq të thjeshtë e aq njerëzore: E mira bëhet, nuk thuhet. Disa medalje varen në zemër, jo në xhaketë.

Skënder Kuçi e ka zemrën plot, nuk ka më vend për dekorata.

 

 

 

 

 

 

Të fundit

E kemi ditur gabim! Ja sa herë duhen rimbushur shishet plastike të ujit

Shishet plastike kanë një përdorim të gjerë në vendin tonë. Nga një vëzhgim i lirë, kuptohet qartë se çdo amvisë...

E keni ditur? Ja pesë arsye përse duhet të konsumoni vezë më shpesh

Veza është një nga ushqimet më të shëndetshme për njeriun që ka pësuar një rikthim triumfues, pas pretendimeve për rolin e saj negativ në...

Këto janë shenjat më besnike dhe më të përkushtuara të zodiakut

Besnikëria mund të bazohet, përveç karakterit dhe edukimit, edhe në horoskopin e personave. Lexoni më poshtë cilat janë shenjat më të përkushtuara dhe më...

OKB miraton rezolutën për anëtarësimin e Palestinës, mes tyre Shqipëria

Misioni amerikan tha se Autoriteti Palestinez nuk i plotëson kriteret për anëtarësimin në OKB dhe se rezoluta nuk zgjidh shqetësimet e ngritura më parë...

Edi Rama si shpëtimtar I zgjedhjeve evropiane të Greqisë

Nga Mero Baze Takimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi ka marrë një vëmendje të madhe të panevojshme nga shtypi dhe politika greke,...

Lajme të tjera

Web TV