Basha nuk ngjit më me “masakrën zgjedhore”

Nga Plator Nesturi

Kur kreu i PD Basha, pas shumë ditësh heshtjeje del të komentojë më së fundmi raportin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet, në Korçë zhvillohej një tjetër konferencë për shtyp. Kryetari i PD së qytetit së bashku me 13 anëtarë të kryesisë së kësaj dege të rëndësihme të jugut, jep dorëheqjen nga funksionet në PD duke bërë fajtor Bashën për situatën në të cilën po rrëshket partia më e madhe e opozitës. Dy lajme që bëjnë crash me njëra-tjetrën, pasi nëse Basha kërkon ti japë pakëz oksigjen tezës së asfiksuar të para tre muajve të “masakrës zgjedhore”, nga ana tjetër i vijnë akuza se axhenda e tij si kryetar nuk ka të bëjë me PD dhe ringjallen e peshës specifike të opozitës, por me hallin e tij personal të shfajësimit nga humbja e rradhës. Në të gjitha rastet nuk pritej të ndodhte ndryshe. Jo pse raporti i OSBE i dha ndonjë material ilustrativ apo besueshmëri akuzave të Bashës. Raporti në vetvete ishte shumë steril në akuza dhe ato çfarë i paraqiste si vëretje i barazonte në përgjegjësisë e të dy palëve e madje dhe rekomandimet ishin më së tepërmi teknike. Në asnjë rast nuk vihet në dyshim rezultati i zgjedhjeve apo ndikueshmëria e vërejtjeve në rezultatin final, duke e bërë kështu shumë të ngjashëm si raport me shumë zgjedhje që gjithsesi janë quajtur si përparim. Gjithsesi, siç pritej pra, Basha nuk do të prishte të njëjtën skemë nga zgjedhjet e kaluara humbëse, për të shkëputur gjysma frazash a thua se akuzat e para tremuajve qenkan në të njëjtën gjatësi vale me raportin. E gjithë kjo mizaskenë është bërë e njohur dhe vulgare. Kasandrën dikur e futën në çmendinë pse nuk ia besonte kush parathënien e të ardhmes, ndërsa Basha edhe për ato që nuk i beson as vetë, ka guxim e del në konferencë shtypi. Thelbi i çështjes gjithsesi nuk mbetet nëse duhet besuar apo jo Basha në ato çfarë deklaron. Përderisa nuk e besojnë as të vetët dhe po e braktisin në masë drejtuesit, edhe aty ku në zgjedhje është marrë rezultat i lartë dhe maksimumi i mandateve, kjo ska të bëjë me demontimin e një sajese që kreu i PD do ta bëjë të besueshme. Vetë Basha nuk ngjit më me “masakrën zgjedhore”. Çështja qëndron që pse harxhon më tej energji në eter, kur partinë nuk ia merr dot kush më, kur gjithsesi mbetet përfaqësuesi qëndror i një opozite që ka një peshë në parlament, e për më tepër nuk ka përse të ketë frikë më kur i bëjnë pyetje për Berishën. Më normalja që në këtë kohë Basha duhej të merrej më së tepërmi me problemet e partisë dhe të ardhmen e saj. Pasi dhe demokratët nuk duan thjesht kryetar partie, por lidership. Ndryshe nuk iknin.