Raporti i OSBE/ODIHR, PS dhe PD ngrejnë “flamurin” e fitores

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë komentuar raportin e OSBE/ODIHR. Secila palë e ka lexuar në “pasqyrën” e saj rekomandimet që janë dhënë. Për PD-në mbetet raporti më i keq në 30 vite, për PS-në më i miri i këtyre viteve.

Nga Fernada Cenko

Edhe pse është i shkruar e zezë mbi të bardhë, raportin e OSBE/ODHIR, partitë politike kanë lexuar anën që ju shkon në favor të sjelljes së tyre para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Raporti i zbardhur ditën e hënë ka qenë kritik për qeverinë, duke shënuar aty favorizimit që ka bërë administrata në “marrjen” e votave për Partinë Socialiste por edhe përdorimin e të dhënave personale. Edhe pse këto janë “shënime të zeza” për qeverinë duket sikur kjo e fundit e ka lexuar raportin aty ku asaj i intereson. Arben Pëllumbi, sekretari Organizativ i PS-së në një deklaratë për shtyp ka komentuar raportin final të OSBE të cilin e cilëson si më pozitivin e dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri. Sipas Pëllumbit, qartë dhe pa asnjë ekuivok merita u takon qytetarëve për vlerësimin pozitiv të OSBE për zgjedhjet. Ai thotë se PS tashmë është gati për të adresuar çdo rekomandim që nuk është adresuar ende dhe që propozohet nga OSBE. Pëllumbi shton se PS gjithashtu është gati të bashkëpunojë me OSBE dhe aktorët politikë në vend. “Është qartë dhe pa asnjë ekuivok, vlerësimi pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri nga ODIHR. Merita u takon qytetarëve që ushtruan të drejtën e votës. Angazhimi ynë si forca me e madhe politike është adresimi i rekomandimeve. Një numër të rekomandimeve të OSBE dhe Komisionet u adresuan, të tjera mbetën të pa adresuar. Dëshirojmë të shprehim gatishmërinë tonë me OSBE dhe për të vijuar përpjekjet me aktorët në vend për të adresuar rekomandimet në frymë e letër”, tha Arben Pëllumbi. Sekretari Organizativ në PS tha se edhe puna e KQZ është vlerësuar shumë. “Më lejoni të citoj disa argumente në mbështetje të konstatimit. Sa i përket zgjedhjeve, përshkruhet pozitivisht puna e KQZ së re, zgjedhjet parlamentare u organizuar mirë nga administrate zgjedhore. KQZ u përball me detyrime të reja të zgjeruara. Pavarësisht vonesave, miratimi i rregulloreve, trajtimin e stafit, KQZ ia arriti të përmbushë si duhet detyrimet e saj, operoi me transparencë seanca të hapura për aktorët. Administrimi zgjedhor në të gjitha nivelet gëzoi vlerësimin e aktorëve”, tha Pëllumbi. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reguar pas publikimit të raportit nga OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Përmes një postimi në “Facebook” Balla e konsideron përfundimin e raportit si më të mirin që ka marrë Shqipëria në 30 vite. Ndërsa thekson se OSBE konfirmoi raportin paraprak se zgjedhjet se 25 prillit u zhvilluan në mënyrë demokrate dhe respektuan lirinë e zgjedhësve. “OSBE/ODIHR konfirmon gjetjet e raportit paraprak duke konfirmuar se Zgjedhjet e 25 Prillit ishin shprehje kuptimplotë e demokracisë dhe e respektimit të lirisë së zgjedhësve. Shqipëria merr raportin më të mirë për zgjedhjet në këto 30 vite dhe kjo është një meritë e madhe, mbi të gjithë, e qytetarëve shqiptarë, të cilët ushtruan në shumicë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Përgëzime KQZ për vlerësimin e marrë në këtë Raport”, shkruan Balla.

Lulzim Basha

Por ndryshe e ka lexuar Partia Demokratike raportin e OSBE/ODDHIR. Ata pretendojnë se kanë gjetur të shkruara gjithë akuzat që ata kanë bërë për qeverinë “Rama 3”. Duke komentuar edhe reagimin e Pëllumbit, Lulzim Basha në një konferencë të gjatë për shtyp tha se: “Deklarata e PS bëhet për të fshehur atë që ka ndodhur. Unë s’ndodhem këtu as i sforcuar për të thënë diçka, por as i kënaqur, i lumtur”, tha Basha. Në fjalën e tij ai tha se sot është ditë reflektimi për politikën. Ndërsa thekson se raporti ka dalë në rekomandime të parecedentë. “Sot është një ditë reflektimi të thellë, për faktin që gjithçka që kemi thënë për 25 prillin, tashmë qëndron në një raport që në tërësinë e vet, ka dalë me rekomandime të pa precedentë. Më gjeni një vend në Evropë që rekomandimi 2 i kërkon shtetit të garantojë lirinë dhe shtetësinë e votës. Burimi i së keqes është tjetërsimi i votës, ky është sistemi demokratik. Të gjithë janë produkt i votës së qytetarëve, me votë gjykohen nëse e kanë përmbushur përgjegjësinë. U bënë 5 palë zgjedhje që Edi Rama bllokon këtë mekanizëm, pasojat i gjejmë të gjithë”, tha Basha. Kreu i PD-së e konsideroi raportin si vulën e turpit për vjedhjen më të madhe të kryer sipas tij në historinë e pluralizmit. “Ky raport ka konfirmuar atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e dinë që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Konfirmon atë që ne kemi thënë prej ditës së parë, që 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Këtë tani e di gjithë bota demokratike. Sepse ky raport është vula e turpit në vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit”, tha Basha.

Lexo edhe :  Babai i Dua Lipës poston fotot nga Vlora me Edi Ramën: Mendoj se kam bërë një mik

LSI

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, forca e dytë politike në opozitë, raporti i OSBE/ODIHR i vulosi zgjedhjet e 25 prillit si ”masakër zgjedhore”. Nga LSI-ja në deklaratë doli sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllari. “Raporti final i OSBE-ODHIR, i vuri vulën masakrës zgjedhore të 25 prillit të shkaktuar nga qeveria. Raporti, vulos faktin që më 25 prill nuk pati zgjedhje, por një masakër zgjedhore të drejtuar drejtpërdrejt nga Rilindja. Nga ky raport, u konfirmua se më 25 prill: Vullneti i shqiptarëve u tjetërsua, pati blerje masive votash. U ushtrua presion ndaj votuesve në favor të rilindjes. Pati keqpërdorim të aseteve publike në avantazh të partisë në pushtet”, tha mes të tjerash Brahimllari. Petrit Vasili, nënkryetari i LSI, raportin final të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri e ka konsideruar si raportin më të rëndë të 30 viteve të fundit. “Ka vetëm një lexim të raportit, ai lexim që evidenton qartë se në vitin 2021 kemi shitblerje masive të votës, që administrata shpërdoron miliona, dhunon, kërcënon dhe ky është një fakt, që të dhënat personale të rreth 1 milion personave janë pre e presionit dhe shantazhit politik. Në këtë mënyrë, kemi edhe një aktivizim të strukturave mafioze në mbështetje të Rilindjes. Kemi raportin më të rëndë që është parë në 30 vjet. Për t’iu kujtuar idiotëve të dobishëm të PS-së që bëjnë shejtan-budallanë, unë kam qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vitin 1992, ku ndodhte ndryshimi i sistemeve dhe zgjedhjet i organizonte Partia e Punës, e megjithatë nuk ndodhi asgjë nga këto. Ato zgjedhje, ai raport, po ta vendosësh përballë këtij raporti, në atë kohë kemi pasur një raport shumë herë më pozitiv se kjo shëmtirë që kemi në vitin 2021”, tha Vasili. Ndërkohë që nuk shihet më në deklarata politike pas zgjedhjeve Monika Kryemadhi, e cila e ka braktisur selinë prej shumë muajve.

Raporti i OSBE/ODHIR: Presidenti bëri fushatë kundër PS

Raporti i OSBE/ODIHR në përfundimet e tij finale për zgjedhjet e 25 prillit ka kritikuar edhe veprimet e presidentit Ilir Meta. Në raport thuhet se presidenti ka bërë fushatë hapur kundër partisë në pushtet. “Në cilësinë e tij zyrtare, Presidenti bëri fushatë kundër partisë në pushtet”, thuhet në raport. Më tej teksa përmendet gjuha ndërmjet palëve politike gjatë fushatës elektorale, ne raport nënvizohet edhe ajo e presidentit Ilir Meta, ku nënvizohet në veçanti se gjuha e tij ishte konfrontuese. “Gjithashtu u vu re një fushatë negative përmes përdorimit të posterave dhe gjuhës së përdorur gjatë fushatës nga disa udhëheqës partie dhe, në veçanti, Presidenti, ishte konfrontuese. Platforma thelbësore e PS u përqendrua kryesisht në programin e vaksinimit COVID-19 dhe arritjet e qeverisë, duke përfshirë rindërtimet e vazhdueshme pas tërmetit të vitit 2019. Koalicioni i udhëhequr nga PD dhe LSI u mblodhën rreth temës kryesore të kundërshtimit të fuqisë shumë të centralizuar të Kryeministri Rama”, thuhet në raport. Duket se institucionet ndërkombëtare kanë “legjitimuar” edhe vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për presidentin Ilir Meta, i cili e shkarkoi këtë të fundit për “shkelje të rënda” gjatë zgjedhjeve të 25 prillit në lidhje me qëndrimet dhe deklaratat e shprehura prej tij. Ilir Meta u bë kështu Presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Kuvendi gjithashtu miratoi me 9 qershor me 104 vota pro raportin e Komisionit hetimor Parlamentar, i cili propozuar shkarkimin e Metës për “shkelje të rënda” kushtetuese. Pas shkarkimit nga Kuvendi, vëmendja tashmë zhvendoset tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë përfundimisht për shkarkimin ose jo të Ilir Metës si President.


Të fundit

Raporti i OSBE/ODIHR, PS dhe PD ngrejnë “flamurin” e fitores

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë komentuar raportin e OSBE/ODIHR. Secila palë e ka lexuar në “pasqyrën” e saj...

Horoskopi ditor, 28 korrik 2021

Dashi Yjet e mirë janë pozicionuar në anën tuaj dhe kjo do të thotë se nuk do t’ju mungojë mbështetja qiellore gjatë ditës së sotme....

‘Sa fshatare që je’, Rudina Dembacaj i kthen përgjigjen epike ndjekëses

Aktorja e dashur për publikun, Rudina Dembacaj është gjithmonë shumë aktive në rrjetet e saj sociale teksa ndan me fansat detaje nga jeta e...

Lajme të tjera

Web TV