Nga Roel Korkuti
Scan Media ka publikuar edicionin e dytë të barometrit ekonomik dhe indeksit të besimit konsumator scan, një bashkëpunim mes IDRA research and consulting dhe “Scan Intelligence Unit”. Ky edicion i dytë, që i referohet tremujorit të dytë të vitit, pra periudhës prill-qershor të këtij viti, sjell nëj përmirësim në treguesit kryesor të barometrit, pro edhe risi, duke filluar nga një bllok i shtuar pyetjesh, kushtuar pushimeve verore. Gjetjet kryesore do t`i shohim të analizuara me detaje.
Rritet lehtë indeksi i besimit konsumator
Indeksi i Besimit Konsumator për tremujorin e dytë të vitit rezulton në 41.2 pikë, nga 39 pikë që ishte në tremujorin e parë. Pavarësisht rritjes së lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës, niveli pranë 41 pikëve tregon një situatë pesimiste sa i përket aktualitetit dhe pritshmërive për të ardhmen e konsumatorit, duke qenë se niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi. Indeksi i Besimit Konsumator Scan bazohet mbi 6 nën-indikatorë, ku tre prej të cilëve i referohen situatës aktuale, dhe tre të tjerë pritshmërive për të ardhmen. Indikatori që merr më shumë pikë në tremujorin e dytë është ai i pritshmërive për situatën financiare, i cili fokusohet pranë 53.5 pikëve, nga 52.7 pikë që ishte në tremujorin e parë të vitit.
Në vend të dytë ndërkohë është një tjetër indikator, ai pritshmërive për situatën ekonomike, pranë 51.2 pikëve, nga 49.8 pikë që ishte në tremujorin e parë të vitit, duke hyrë kështu në territor pozitiv. Këta dy indikatorë janë të vetmit në territor pozitiv. Ai i blerjeve të mëdha aktuale ndërkohë është indikatori që merr më pak pikë, me vetëm 15.1, po aq sa në tremujorin e parë të vitit.
Nga ana tjetër, indikatori i situatës ekonomike aktuale është ai që regjistron rritjen më të madhe në terma tremujorësh, duke u ngjitur pranë 38.3 pikë, nga vetëm 30.6 pikë që ishte në tremujorin paraardhës. Edhe indikatori i situatës financiare aktuale ka pësuar një rritje të ndjeshme, pranë 42.7 pikëve, nga 38.8 pikë që ishte në tremujrouin e parë të vitit. Sakaq, indikatori që i referohet pritjeve për papunësinë, është i vetmi në rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Tre nën-indikatorët e situatës aktuale përmblidhen në një nën indikator tjetër, i cili rezulton në 32 pikë, nga 28.2 që ishte në tremujorin e parë.
Tre indikatorët e tjerë, ata të pritshmërive grupohen në një nën-indikator tjetër, i cili rezulton në 50.4 pikë, nga 49.9 që ishte më parë. Pra, për familjet shqiptare, situata aktuale është më pesimiste se pritshmëritë, paçka se përmirësimi për aktualitetin është ndjeshëm më i lartë se pritshmëritë, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Shifrat duket se reflektojnë më së miri situatën e familjeve shqiptare dhe ndryshimin e perceptimit të tyre mbi të tashmen dhe të ardhmen në harkun e dy tremujorëve. Tremujori i parë i vitit i vuri familjet shqiptare përballë shumë sfidash dhe pasigurish, si vala më e rëndë e pandemisë me shumë infektime dhe humbje jetësh, por edhe zgjedhjet e përgjithshme. Me tejkalimin e këtyre momenteve, duke se edhe perceptimi i përgjithshëm është përmirësuar disi, paçka se sfida të mëdha mbeten ende, që nga dëshira për emigrim deri te mundësia për të bërë pushime.
Duke analizuar shpërndarjen e përgjigjeve sipas secilës pyetje të marrë në shqyrtim vihet re që rreth 52% e të anketuarve shprehen se situata e përgjithshme aktuale e vendit krahasuar me 12 muaj më parë është më keq, nga ku 10% prej të anketuarve mendojnë që është shumë më keq se një vit më parë dhe 41% shprehen se është më keq se një vit më parë. Lidhur me situatën financiare të familjes aktualisht, e krahasuar kjo me 12 muaj më parë, rreth 9% e të anketuarve e vlerësojnë si shumë më keq e ndërsa 31% e të anketuarve shprehen se është më keq.
Pritshmëritë për të ardhmen janë më optimiste për familjet shqiptare. Kur pyeten rreth pritshmërive financiare të situatës së tyre familjare pas 12 muajsh, 44% shprehen se do të jetë më mirë ose shumë më mirë se aktualisht. Thuajse e njëjta përqindje (44%) shprehen se situata ekonomike e vendit pas 1 viti do të jetë më mirë ose shumë më mirë se tani. Lidhur me nivelin e papunësisë në të ardhmen thuajse një në tre të anketuar (31%) mendojnë se niveli i papunësisë pas 12 muajsh do të jetë më mirë ose shumë më mirë, 32% shprehen se do të jetë në të njëjtat nivele si aktualisht dhe 32% mendojnë se niveli i papunësisë do të jetë më keq ose shumë më keq.
Të anketuarit janë pyetur gjithashtu nëse në situatën aktuale ekonomike, a mendojnë se është momenti i duhur që njerëzit të bëjnë blerje të mëdha shtëpiake si mobilje, pajisje elektroshtëpiake të mëdha, televizor apo pajisje të tjera elektronike. Pjesa më e madhe e të anketuarve, 7 në 10 të anketuar, deklarojnë se tani nuk është momenti i duhur për të bërë blerje të tilla (72%). Më pak se një në katër të anketuar janë neutral (22%), pra mendojnë se nuk është as momenti i duhur por as momenti i gabuar për të bërë blerje të mëdha shtëpiake. Vetëm 4% shprehen se tani është momenti i duhur që për blerje të tilla.
Në krahasim me tremujorin e parë të vitit vërehet një ulje prej thuajse 8% në të anketuarit që shprehen se situata financiare e familjes është më keq ose shumë më keq se 12 muaj më parë (51% në T1 kundrejt 40% në T2). Ndërsa për situatën aktuale të vendit në krahasim me 12 muaj më parë vërehet një diferencë prej rreth 11% më pak në ata që shprehen se situata aktualisht është shumë më keq (21% në T1 kundrejt 10% në T2).
Gjysma e shqiptarëve nuk bëjnë dot pushime verore
Barometri Ekonomik Scan këtë tremujor të dytë vjen edhe me disa risi, për t`iu përshtatur edhe aktualitetit sezonal, si një bllok pyetjesh drejtuar konsumatorit në lidhje me pushimet verore. Ajo që bie në sy qysh në krye të herës nga rezultati i anketës në lidhje me këtë çështje është fakti se gjysma e shqiptarëve, më saktësisht 49% e tyre, nuk planifikojnë të bëjnë pushime verore, (me të paktën një natë fjetje).
Edhe shifra e atyre që janë të pavendosur, me anketë e kryer në tremujorin e dytë të vitit, është mjaft e lartë, pranë 21%. Ndërkohë, vetëm 30% e të anketurave duket se planifikojnë të bëjnë pushime verore këtë vit. Pra, më pak se 1 në 3 shqiptarë ëshët në gjendje të përballojë pushimet verore. Pjesa tjetër duket se kufizohet nga çështje financiare, kohe apo ndoshta edhe dëshire.
Mes këtyre 30% që planifikojnë të bëjnë pushime verore ndërkohë, 85% prej tyre do t`i kalojnë në Shqipëri, 8% jashtë Shqipërisë dhe 7% do t`i ndërthurin mes brenda dhe jashtë vendit. Barometri Ekonomik këtë edicion të dytë në lidhje me këtë çështje është ndalur edhe te buxheti i familjeve shqiptare për pushimet verore, mes atyre që e planifikojnë diçka të tillë. Kështu, anketa tregon se gati gjysma e tyre, kanë një buxhet jo më të lartë se 50 mijë lekë, me ata që kanë një buxhet nga 30-40 mijë lekë, që zënë edhe pjesën kryesore, prej 30% të totalit. Ndërkohë, janë vetëm 13% e totalit ata të cilët kanë planifikuar një buxhet më të madh se 100 mijë lekë për pushimet e verës këtë vit. Rezultatet e anketës tregojnë gjithashtu se, kohëzgjatja mesatare e pushimeve verore për ata të cilët i kanë planifikuar, do të jetë prej rreth 8.9 ditësh.
Taksat janë problemi numër një i familjeve shqiptare
Të anketuarve i është kërkuar që të japin një vlerësim për disa çështje aktuale dhe sa problematike do ti konsideronin ato për familjen e tyre. Vlerësimi është kryer në një shkallë nga 1 në 10, ku 1 do të thotë aspak problem dhe 10 do të thotë shumë problematike.
Taksat dhe tatimet janë cilësuar si problematika më e madhe aktualisht për familjet, e vlerësuar me 7.45 pikë nga 10 që është maksimumi. Problemi i dytë renditet korrupsioni me 7.27 pikë, pasuar nga papunësia me një vlerësim prej 6.84 pikësh. Situata politike dhe efikasiteti i gjyqësorit vlerësohen si më pak problematiket nga lista e problematikave të parashtruara, me respektivisht 5.56 dhe 5.99 pikë. Diferenca më e madhe në krahasim me tremujorin e parë të vitit vihet re në vlerësimin e COVID-19 si një problematikë për familjen.
Në këtë tremujor COVID-19 ka një vlerësim prej 6.14 pikë krahasuar me tremujorin e parë ku ky vlerësim ishte problematika e renditur e para me 7.61 pikë. Diferencë tjetër vërehet edhe tek papunësia, ku vlerësimi në këtë tremujor prej 6.84 është më i ulët se ai i tremujorit të parë prej 7.23 pikësh.
Rritet kënaqësia e jetesës, por jo dëshira për të mos emigruar
Sa i përket një prej pyetjeve më delicate, të përfshira edhe në tremujorin e parë të vitit, atë të planeve për të emigruar, duket se nuk ka thuajse asnjë ndryshi me tremujorin paraardhës, dhe shifra e atyre që e kanë në plan emigrimin mbetet ende shumë e lartë. Të anketuarit u pyetën nëse ata personalisht planifikojnë të emigrojnë jashtë vendit gjatë 12 muajve të ardhshëm. Më shumë se gjysma e të anketuarve shprehen se nuk kanë plan të emigrojnë (56%).
Nga ana tjetër rreth një në tre të anketuar shprehen se po e mendojnë të emigrojnë (34%), 9% kanë një plan konkret për të emigruar dhe 1% janë në pritje që të emigrojnë pasi kanë përfunduar dokumentacionin e nevojshëm. Në përqindjen e atyre që shprehen se nuk kanë ndërmend të emigrojnë nuk ka diferenca me tremujorin e parë.
Ndërkohë, kënaqësia e jetesës duket se është rritur lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës, tregon anketa. Duke analizuar rezultatet e kësaj pyetje vihet re që rreth 38% e të anketuarve shprehen të kënaqur me nivelin e tyre të jetesës, nga ku 4% janë plotësisht të kënaqur dhe 34% më së shumti të kënaqur. Për të vazhduar më tej 36% janë më së shumti të pakënaqur dhe 22% plotësisht të pakënaqur. Në krahasim me tremujorin e parë rreth 5% më shumë e të anketuarve shprehen se janë më së shumti të kënaqur me nivelin e jetesës dhe 5% më pak shprehen se janë plotësisht të pakënaqur.
Treguesi i kufizimit material
Treguesi i kufizimit material është një prej produkteve më të rëndësishme të barometrit ekonomik Scan, për shkak të risisë që sjell por edhe për shkak se është gjithëpërfshirës duke sjellë nëj panoramë edhe më të qartë të situatës së familejve shqiptare. Në total ky indeks është vlerësuar me 43%, çka do të thotë që rreth 43% e familjeve të anketuara nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e kufizimit material. Krahasuar me tremujorin e parë, vihet re një rritje prej 2.6 pikë përqindje në këtë tregues.
A mundet familja juaj të përballojnë financiarisht pushime vjetore një javë, larg nga shtëpia? Vetëm pak më shumë se një në tre familje (37%) janë përgjigjur se mund të përballojnë pushime të tilla.
Kur pyeten nëse mund të përballojnë financiarisht një vakt me mish/pulë/peshk një herë në dy ditë, 56% shprehen se familja tyre mund ta përballojë. Ndërsa për shpenzimet e papritura shëndetësore më pak se gjysma e familjeve (42%) janë në gjendje t’i përballojnë në shuma prej 30.000 Lekësh përmes të ardhurave të tyre.
Në krahasim me tremujorin e parë vërehet një ulje prej 4% e të anketuarve që shprehen se nuk mund të përballojnë financiarisht një vakt me mish/pulë/peshk një herë në dy ditë.
Ndërsa për pushimet verore rreth 2% më shumë e të anketuarve shprehen se familja e tyre mund të përballojë financiarisht pushime vjetore një javë larg shtëpisë. Lidhur me shpenzimet e papritura shëndetësore vërehet vetëm një diferencë e lehtë prej 1%.
Të gjithë të anketuarit shprehen se kanë telefon celular në familjen e tyre (100%). Televizor disponojnë 98% prej familjeve të anketuara, dhe makinë larëse/lavatriçe disponojnë 95.5% e të familjeve. Kur pyeten nëse kanë automjet për përdorim privat në familje, rreth 39.6% shprehen se nuk kanë një të tillë pasi nuk mund ta përballojnë atë financiarisht. Më pak se gjysma pohojnë që kanë një automjet në familje (49%) dhe 11% e të anketuarve nuk kanë një makinë në familje por kjo jo për shkak të pamundësive financiare por sepse nuk i nevojitet. Në krahasim me tremujorin e parë vërehet diferencë vetëm në zotërimin e një automjeti në familje (3% më pak në T2).
Rreth 44% e të anketuarve shprehen se nuk mund të përballojnë shpenzimet për mbajtjen e temperaturës së duhur të shtëpisë, nga ku 24% shprehen “në të shumtën e rasteve jo” dhe 20% “asnjëherë”. Nga ana tjetër, 36% arrijnë të përballojnë shpenzimet për mbajtjen e temperaturës së duhur por jo gjithmonë dhe vetëm 20% shprehen se mund ta përballojnë gjithmonë.
Nëse analizojmë rezultatet sipas tremujorit, vihet re një diferencë prej 7% më pak në të anketuarit që shprehen se mund të përballojnë gjithmonë shpenzimet e temperaturës së duhur të shtëpisë dhe 6% më shumë të atyre që shprehen në këtë tremujor që nuk mund ti përballojnë asnjëherë.
Të anketuarit u pyetën nëse ka ndodhur që në 12 muajt e fundit familja e tyre nuk ka qenë në gjendje të paguajë në kohë për shkak të vështirësive financiare faturat si atë të shërbimeve për energjinë elektrike, ujë gaz, këstin e kredisë apo qiranë e shtëpisë nëse kanë një të tillë. Rreth 71% e të anketuarve nuk kanë qira për shtëpinë ku banojnë, 75% nuk kanë një kredi hipotekore dhe vetëm 1% shprehen se nuk kanë fatura për shërbimet elektrike, ujë, gaz, etj. Diferenca të vogla vërehen në krahasimin e përqindjes së të anketuarve që kanë qira (29% në T2 kundrejt 32% në T1).
Nga të anketuarit që kanë qira për shtëpinë, kredi hipotekore apo fatura të shërbimeve elektrike, ujë dhe gaz, rreth 50% e tyre shprehen se në 12 muajt e fundit kanë pasur të paktën një rast ku nuk kanë mundur të paguajnë në kohë detyrime e qirasë për shkak të pamundësive financiare, 45% këstin e kredisë hipotekore dhe 37% kanë pasur vonesa në pagesat e faturave të shërbimeve elektrike, ujë, gaz.