Kryeministri Edi Rama dhe homolgu i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, morën pjesë dje në hapjen e Pikës së re Kufitare në Grabom të Malësisë së Madhe. Rama ftoi vendin fqinj të përfshihen në nismën e “Ballkanit të Hapur”, e cila u nënshkrua nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por është refuzuar deri tani nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë hapur ditën e djeshme pikën doganore në Grabom të Malësisë së Madhe. Kjo pikë kufitare lidh njësinë administrative të Kelmendit të Bashkisë së Malësisë së Madhe me komunën Tuz të Malit të Zi. Kryeministri Edi Rama deklaroi se së shpejti do të ndërtohet edhe ura që lidh Velipojën ne Malin e Zi ndërsa shtoi se kjo duhet të shërbejë si një urë lidhëse mes Ballkanit për ta garantuar të njëjtat liri dhe të drejta për lëvizjen e lirë si vendet e BE. Rama u shpreh se shpreson që Mali i Zi sa më shpejt të bashkohet në nismën “Ballkani i Hapur”, duke mos i kursyer thumbat për BE. “Sot është një ditë e mirë sepse bie një tjetër mur mes nesh, mes Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe për të gjithë ata që e përdorin këtë rrugë dhe nga sot kanë një pikë kalimi dinjitoze për të kaluar përmes kësaj pike duke u ndjerë qytetarë të denjë të dyja vendeve tona. Nuk mjafton të hapësh një pikë të re doganore nëse së bashku nuk i heqim barrierat, dhe nuk e bëjmë në minutë kalimin pa humbur kohë për identifikimin e dokumenteve”, tha Rama. Ai shtoi se kamionët duhet të presin për të kryer kontrolle dhe do duhet të bëjnë edhe dy kontrolle në një numër të konsiderueshëm rastesh. “Së shpejti siç kam folur në Tiranë me Abazoviç, do angazhohemi për të ndërtuar urën që lidh Velipojën me pjesën e këtejme. Shpresoj që paralelisht me ndërtimin e urës, ne të bëjmë edhe shembjen e barrierave burokratike, tarifore dhe ajo urë të jetë urë kalimi pa pasur nevojë të ndihen sikur po ndahen nga një shtet në shtetin tjetër. Kjo është ajo që ndodh brenda BE. Kudo ku ka ura bë vendet e BE, nuk ka barriera, ura dhe kontroll dokumentesh”-theksoi kryeministri.
Një ftesë për “Ballkanin e Hapur”
Në nënshkrimin e marrveshjes që njihet si “minishengeni Ballkanik”, i pagëzuar së fundmi si “Ballkani i Hapur” që synon lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, janë angazhuar tre shtete; Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kjo nismë është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina. Rama ka kërkuar që edhe Mali i Zi ti bashkohet nismës. “Nuk kemi nevojë të shpikim gjë të re por ta bëjmë këtë hapësirë një hapësirë si në BE ku dominojnë katër liritë. Kjo është nisma gjithpërfshirëse që synon që në të gjitha vendet e rajonit, njerëzit të ndihen të lirë dhe sipërmarrësit të ndihen me të njëjtin dinjitet si ata që lëvizin në BE. Nëse për të hyrë në BE, ju duhet të presin nuk kanë pse të presin në Ballkan. Pika doganore që na bashkon që do të na bashkojë edhe më shumë është e hapur dhe uroj shumë që me qeverinë e Malit të Zi të përparojmë me shpejtësi dhe Mali i Zi të përfshihet pa humbur kohë në iniciativën e Ballkanit të Hapur”, tha Rama. Kreu i qeverisë sonë foli dhe për projektin e ndërtimit të një Ure që lidh Velipojën e Shqipërisë me Shtojin në Mal të Zi, një iniciativë që përflitet prej 30 vjetesh. Duket se ky “projekt” ka afruar më shumë Ramën me zëvendëskryeministrin malazez shqiptarin Dritan Abazoviç. Mësohet se Abazoviç i ka kërkuar Ramës për të bërë urën si një projekt i përbashkët. Ndërtimi i kësaj ure lidhëse mse dy vendeve është me rëndësi strategjikë për interesin kombëtar dhe nënkupton çeljen e 2 pikave kufitare, e cila është një procedurë e komplikuar. Gjithsesi Rama e gjeti edhe këtë rast për të rilançuar idenë e heqjes së barrierave.