Gjykata e Lartë cakton seancën e rradhës për ish-ministrin Tahiri

Gjykata e Lartë ka caktuar datën e seancës për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për datën 28 shtator 2021.

Trupi gjykues, me kryetar Ilir Pandën dhe dy anëtarët Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe, do të vazhdojnë procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Në bazë të ndryshimeve të reja ligjore, e njëjta trupë gjykuese, që ka vendosur në dhomë këshillimi kalimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, duhet të vazhdojë edhe procesin gjyqësor.

Në gusht të këtij viti, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dërgoi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme për rekurs në Gjykatën e Lartë, bashkë me ish-kreun e Policisë së Vlorës.

Ky rekurs erdhi pasi Apeli i GJKKO-së rrëzoi dënimin nga shkalla e parë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ky i fundit do të përballet sërish me statusin e të pandehurit.

Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tre vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.

Në nëntor të vitit 2017, prokuroria e akuzoi Çelën se në bashkëpunim me ish-ministrin Saimir Tahiri ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Ish-kreu i Policisë së Vlorës u vetëdorëzua në polici në maj të viti 2020, pas dy viteve në arrati, ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me 3 vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.