Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se Gadishulli i Karaburunit, nuk ka asnjë vatër zjarri aktive. Megjithatë kjo nuk shihet si triumf, pasi ka ende ditë të tjera të nxehta dhe vatra të rrezikshme.
Në Kukës prej më shumë se një jave po digjen pyjet, ndërsa tymi prej ditësh ka mbuluar zonën, ku pavarësisht ndërhyrjes nga ajri dhe nga toka vatrat e zjarrit janë tepër agresive. Vatrat më problematike vijojnë të mbeten Laku i Thive dhe Maja e Rrunës në Kukës, ku për shkak të erës së fortë, temperaturave të larta dhe terrenit të vështirë për të ndërhyrë, flakët rrezikojnë që të përhapen edhe më shumë për t’u futur më pas në zonën administrative të Pukës. Në këtë zonë po bëhet edhe ndërhyrje nga ajri, por që ende nuk e kanë vënë nën kontroll flakët që përpijnë kullotat dhe pyjet. Ditën e djeshme në Maja e Rrunës janë angazhuar 10 forca zjarrfikëse, 6 punonjës të pyjores, 5 punonjës të Njësia Administrative Malzi, 20 forca nga komuniteti i zonës dhe forcat e DMR-së Kukës. Operacionet po përqendrohen në Majën e Rrunës dhe Qafën e Mollave që kufizojnë Malziun me Mirditën, ku prej ditësh po digjet një sipërfaqe e madhe pyjore. Ndërsa vatra në Lakun e Thive, e favorizuar nga era pritet t’i afrohet Pukës. Edhe në bashkinë Tropojë janë dy vatra zjarri aktive një në pyje të fshatit Betoshë, Lekbibaj dhe vatra tjetër afër fshatit Dragobi, Margegaj, ku janë angazhuar 6 punonjës të pyjores ,5 punonjës të AZM, 4 punonjës të NjA Margegaj dhe 10 forca nga komuniteti i zonës për shuarjen e flakëve.
Ministria e Mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një prononcim për mediat, ka treguar se Gadishulli i Karaburunit, nuk ka asnjë vatër zjarri aktive. Megjithatë ai tha se kjo nuk shihet si triumf, pasi ka ende ditë të tjera të nxehta. Më tej Peleshi tregoi se aktualisht ndodhen 9 vatra zjarri aktive, ndërsa shtoi se më problematikja janë ato të Kukësit. “Ndodhemi pranë vatrës më serioze. Nuk jemi në një moment triumfi përfundimtar, por të paktën për këtë zonë që na ka munduar, sot mund të themi që ka zero vatra zjarri. Gadishulli i Karaburunit është i qetë, pa vatra zjarri. Por kemi ende shumë ditë të nxehta përpara, çdo gjë mund të ndodhë. Jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të përballuar çdo gjë, por mirë. Kemi ende 9 vatra zjarri aktive, më kritikja është në Kukës, dy vatrat atje. Kemi 175 vatra zjarri të shuara, kemi rreth 3 mijë trupa në rang vendi të angazhuara, kemi 1.500 forca zjarrfikëse në të gjithë vendin”, tha Peleshi.
Zjarrvëninet, Peleshi i hap derën Lelit: Tani ruaj pyjet dhe kullotat
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i ka hapur rrugën kryetarit të Bashkisë Vlorë Dritan Lelit që të nxjerrë njerëzit e tij për të ruajtur pyjet dhe kullotat nga zjarrëvëniet. Në një deklaratë për shtyp, ku njoftoi se Llogaraja shpëtoi, Peleshi i ka lënë topin Lelit për ruajtjen e territorit që administrohet nga ai. “Meqënëse jemi te pushteti vendor, unë dua të them që këtë zonë ja kthejmë pushtetit vendor, Bashkisë. E ftoj Bashkinë Vlorë që të marrë përsipër administrimin dhe vëzhgimin e vatrave të zjarrit dhe të qëndrojnë këtu natë e ditë për monitorimin e situatës, pasi ne kemi punë të tjera. Ne jemi mbështetje kur pushtetit vendor i kanë shteruar të gjitha burimet e veta. Kur del flaka në majë të malit apo në mes të parkut ne nuk fshihemi, secilin në kohën e vet të bëjë detyrën e vet që flakët mos shkojnë në majë të malit dhe pastaj ti bien në telefon Ministrisë të Mbrojtjes “Hajde na sillni helikopter”. Bashkia e Vlorës të vijë këtu edhe të ruaje më të gjitha mjetet dhe trupat e veta, edhe nëse ndizet një vatër zjarri ta shuajnë atë. Pra, të ngrihet Bashkia në lartësinë e duhur”, tha Peleshi.
Zjarret në Voskopojë, shkrumbohen 30 hektarë pisha dhe ah
Bashkia e Korçës bën bilancin e sipërfaqeve të djegura të zjarreve të ditëve të fundit në Krushovë, Gjonomadh, Leshnjë dhe Vithkuq tek Manastiri i Shën Pjetrit. Sipas nënkryetarit të bashkisë Thanas Tona, dëmet më të mëdha janë në pyllin e Krushovës, pasi janë djegur plotësisht më shumë se 30 ha pyll me pishë dhe ah, ndërkohë që më shumë se 150 ha janë përshkruar nga zjarri. 5 ha është sipërfaqja e përshkruar nga flakët në pyllin me pisha në fshatin Gjonomadh, prej të cilave 2 ha të djegur plotësisht. Po ashtu 2 ha është sipërfaqja e djegur plotësisht edhe në pyllin e Manastirit të Shën Pjetrit në Vithkuq, ndërkohë që dëmet kanë qënë të mëdha në bimësi të ulët edhe në Leshnjë. Sipas Tonës, në pyjet e Krushovës aktualisht kanë mbetur vetëm 4 punonjës të shërbimeve të bashkisë, të cilët monitorojnë situatën, pasi kemi të bëjmë tashmë vetëm me vatra sporadike, ashtu siç ka edhe në pyllin e Gjonomadhit. Ndërkohë që në Leshnjë dhe në Vithkuq vatrat e zjarrit janë shuar plotësisht. Burime nga bashkia e Pogradecit, bëjnë me dije se kemi një riaktivizim të vatrave të zjarrit në Malësinë e Mokrës, por nuk ka rrezik për banesat.
Fier,Prefekti: U dogjën 7000 rrënjë ulliri dhe pemë frutore
Prefekti i Fierit, Baki Bala ka bërë bilancin e zjarreve në këtë qark, ku tregon se zona e Cakranit dhe Çorrush ishin më problematiket pasi rrezikoheshin banesat. Zjarret u vunë në kontroll pas ndërhyrjes nga toka dhe ajri, por sipas prefektit dëmi ekonomi i banorëve është i madh dhe se dëmshpërblimi i tyre është një problem që i takon bashkisë. Bala tha se zjarret dogjën 7000 rrënjë ulliri dhe shumë pemë frutore. “Edhe qarku jonë ka pasur problematika të zjarrit. 3-4 ditët e fundit nuk kemi situata komplekse për zjarrin. Para një jave kemi pasur disa problematike sidomos në Fier, Mallakastër dhe Patos. Ne total kemi 105 hektarë të djegur për periudhën korrik-gusht, 7000 rrënjë ulliri dhe shumë pemë frutore. Dëmshpërblimet për banorët duhet të konsiderohen nga bashkia. Bashkia nuk duhet ta konsiderojë thjeshtë zjarri, por djegie të ekonomisë së tyre dhe duhet ta konsiderojnë që janë mungesë të ardhurat dhe humbje të mëdha”, tha Bala. Në lidhje me zjarrfikëset dhe punë e tyre, prefekti tha se ato nuk janë në kapacitet të mjaftueshme për të menaxhuar situatën dhe se ato duhen rritur për t’u përballur më mirë në të ardhmen. Sipas prefektit fillimisht u ndërhy nga ajri dhe toka aty ku kishte rrezik të banesave dhe më pas në pyjet dhe bimësinë e zonës.