“Hipokrizi të paguash 200€ në natë për afganët, kur ke larguar 300 mijë shqiptarë”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

NGA LEONARD KARAJ

Qeveria shqiptare mori vendimin duke u vetofruar për të pritur e strehuar rreth 4000 afganë. Si e komentoni këtë vendim, është politik apo human?

Të paguash 200 €uro në natë për akomodim në hotele luksi, sikundër ka ndodhur me një pjesë të qytetarëve afganë (jo me të gjithë), që kanë mbërritur në Shqipëri, për mua është servilizëm deri në hipokrizi dhe askërrkund humanizëm. Pra, aq sa paguhet për një natë akomodim ndaj emigrantëve nga qeveria shqiptare, merr rrogë minimale në një muaj punë (23 mijë lekë të rinj), një qytetar shqiptar. Ndaj nëse kjo lloj mënyre pritjeje ndaj afganëve quhet humanizëm, atëherë le të bëhemi të gjithë emigrantë-afganë.

Për mendimin tim, vendimi i qeverisë për të strehuar rreth 4000 afganë është thelbësisht politik, dhe nuk ka asnjë grimcë të shkaktuar prej ndonjë shpirti humanizmi. Madje, nëse vëreje me kujdes patetizmin dhe falsitetin e skenave të Ramës në takimin me disa emigrantë afganë, pikërisht në ato hotelet 200 €uroshe nata, do të kuptoje panoramën gati fyese të asaj që vetë kryeministri para disa ditësh e perifrazonte me shprehjen: “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut”. Një shpërlarje truri kjo, me akte të denja për telenovela indiane ku “suspanza” nga njëra fjalë tek tjetra ngjall gati një tragjedi apokaliktike. Por Rama harron ose ngatërron me dashje faktin se atdheu (Shqipëria) nuk është shtëpi, por atdhe, dhe është si për atë dhe për ne. Dhe sa për falë të urta, ka një tjetër fort djegëse gjuha shqipe që thotë: “Miku është si peshku, pas 3 ditësh nis dhe qelbet!” Thënë këtë, pranohet gjerësisht se në, një vend si Shqipëria, që vetëm 30 vite më parë “shpërtheu” dyert e burgut komunist për të emigruar dhe që fatkeqësisht vijon ende të emigrojë masivisht, ardhja e afganëve do duhej të ishte me nota të forta humaniste. Por nuk është i tillë dhe ky është një fakt kokëfortë dhe i pakontestueshëm. Pavarësisht “bombardimeve mediatike” që ka lëshuar qeveria me armatën e vet të skuthave dhe patronazhistëve, duke u mundur tu mbushin mendjen shqiptarëve se kanë një kryeministër të dhembshur, një lider global, që pasi zgjidhi të gjitha hallet dhe problemet e vendit, po i “digjet shpirti” për popullin afgan, përsëri e kanë shumë të vështirë që “ta mbulojnë diellin me shoshë”. E vërteta është një dhe gjithnjë e më shumë lakuriqe: ardhja e afganëve në Shqipëri është e imponuar nga politika e SHBA-ve, e cila në Shqipëri dhe Kosovë, si kurrë në ndonjë vend tjetër në Europë, ka një ndikim gati absolut.

Krahas afganëve që konsiderohen si emigrantët e rinj, Shqipëria prej disa vitesh mban edhe mbi 2 mijë muxhahedin iranianë. A vihet në pikëpyetje siguria kombëtare nga regjimi taleban, irinian apo organizata të tjera terroriste?

Teorikisht po. Ne nuk shquhemi për siguri maksimale kombëtare dhe kjo vihet re fare lehtë jo vetëm në atë çka shpenzojmë për Ministrinë e Mbrojtjes apo SHISH, por edhe për atë që vërehet çdo ditë nër kufinjtë tanë, pjesa më e madhe e të cilëve janë kthyer në rrugë tranziti të drogave të forta. Unë besoj se Shqipëria nuk i ka kapacitetet as mesatare për të mbrojtur një kombësi tjetër, e cila mund të jetë e rrezikuar. Mjafton të shikosh muxhahedinët, frika ndaj të cilëve bëri që SHBA të ngrinin një zonë të fortifikuar në Manzë të Durrësit, për ti mbrojtur. Nëse do ishte e kundërta, pra nëse Shqipëria do jepte siguri për ta, atëherë nuk do kishte qenë e nevojshme të harxhoheshin miliona dollarë për ndërtimin e atij kampi fortifikues. E njëjta gjë mund të vlejë në këtë rast edhe për afganët.

Në opinionin qytetar ka njerëz të ndarë pro dhe kundër ardhjes së afganëve në vendin tonë. Çfarë fiton dhe humbet Shqipëria?

Thuasje asgjë. Këtu i fituari më i madh është Edi Rama, i cili për të disatën herë po tenton të tregojë përpara europianëve dhe sidomos amerikanëve se ai është një lider bujar, i dhembshur, largpamës, një politikan që i mbron të pambrojturit paçka se në vetëm 8 vjet qeverisje, falë politikave të tija regrestiste dhe korrupsionit galopant, ka detyruar minimalisht 300 mijë shqiptarë që të emigrojnë anekënd botës. Po, është e vërtetë se: Shqipëria mund të jetë pak më mirë se Afganistani, Bangladeshi apo edhe shumë vende afrikane, por gjithë kjo shumëzohet me një hiç, kur dihet fare mirë se çdo emigrant nuk mund të jetë i barabartë me një vendas. Ndoshta teorikisht po, por në realitet, të gjithë e dimë se është totalisht ndryshe. Ndaj në këtë kontekst, për një kryeministër apo qeveri që më shumë sesa për popullin e vet mendon për disa oligarkë që duan fuqi punëtore, por me kosto gjithnjë e më të ulët (nesër do jetë më lehtë për një oligark që të punësojë një afganistanez sesa një shqiptar, kjo për shkak se i huaji do të marrë një rrogë më të ulët sesa vendasi, pavarësisht se rrogat në Shqipëri edhe kaq sa janë, konsiderohen si më të ulëtat në Europë), ky mund të jetë një përfitim.

Lexo edhe :  Kadare mes ikjes dhe ardhjes!

Në politikën e trazuar pozita dhe opozita u bënë bashkë për të strehuar qytetarët afganë që punuan për NATO. A është një qëndrim për ta pasur mirë me ndërkomëtarët, veçanërisht me SHBA?

Pikë së pari, ata nuk janë vetëm qytetarë që kanë punuar për NATO-n. Nuk e ndan dot askush nëse ka punuar apo jo me këtë organizatë. Gjithsesi, sa i përket qëndrimit, po dhe vetëm po: vasaliteti i qeverisë shqiptare në tërësi dhe kryeministrit tonë në veçanti për ta pasur mirë me ndërkombëtarët dhe SHBA ka qenë dhe vijon të jetë për rekord “guinness”. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që për vite me radhë gjithë shpura e ndërkomëtarëve në Tiranë të mos thonë asnjë kritikë serioze ndaj mazhorancës dhe qeverisjes së vendit. Asnjë deklaratë. Asnjë “tuit”, apo status në FB, për largimet masive nga vendi. Askush nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë të vetme për kanabizimin e vendit (madje më keq akoma, edhe SHBA-ve u ka mbetur ora tek Lazarati, përderisa edhe pas 8 vitesh përmendin këtë fshat si problematik për mjelljen e hashashit, ndërkohë që tonelata droge janë kapur gjatë gjithë kësaj kohe anekënd Shqipërisë).

Askush nuk flet për shëndetësinë në kolaps. Asnjë nuk hap gojën për 15 mijë viktima të panumëruara nga virusi (kjo, vetëm ajo që është deklaruar….). Asnjë deklaratë kundër qeverisë për arsimin në gjendje mizeraël apo për fakti se për të disatën herë nuk bëmë dot zgjedhje me standartet më minimale. Asnjë deklaratë kundër qeverisë për krimin që është më i fortë se shteti dhe vazhdon të vrasë në mes të ditës. Askush nuk foli për teatrin, sarajet e toptanëve, për betonizimin e frikshëm të Tiranës nga Erion Veliaj, për mega-korrupsionin e inceneratorëve, apo të tenderimeve skandaloze me çmime stratosferike. Asnjë fjalë për miliona euro që duhet të paguajmë si gjoba për arbitrazhet, etj, etj. Pra, mjafton kjo analizë sipërfaqësore për të kuptuar se edhe “mikëpritja e madhe” e Ramës ndaj afganëve nuk është gjë tjetër veçse një qëndrim vasaliteti, hipokrizi ulëritëse, e kryeministrit tonë ndaj ndërkombëtarëve në përgjithësi dhe amerikanëve në veçanti. Në të kundërt, si është e mundur që afganët janë “pritur krahëhapur” vetëm nga Shqipëria dhe Kosova dhe thuajse të gjitha vendet e tjera europiane, me të ardhura shumëfish më të larta sesa neve, i refuzuan?!

Kryeministri Edi Rama është shprehur se afganët mund të qëndrojnë në Shqipëri nëse dëshirojnë të mos largohen. Në gjykimin tuaj ata do jenë për një periudhë të përkohshme apo të përhershme?

Unë uroj të jetë e përkohëshme, por dyshoj fort se të gjithë ata që do të vijnë në harkun e pak viteve do të mund të largohen nga Shqipëria. Kuptohet për çdokënd, qëndrimi në një vend të kushtëzon jetën, ndaj nuk do të ishte aspak çudi që në harkun e pak viteve të kishim një komunitet të madh afganësh në Shqipëri. Dhe të mos harrojmë dy gjëra: e para se Afganistani është rreth 38 milionë banorë dhe mjafon një përqindje shumë e vogël e këtij vendi që të zbarkojë në Shqipëri që për neve të jenë shumë (kur mendon se neve jemi vetëm 2 milionë banorë). Dhe së dyti, unë uroj shumë që pas kësaj, europianëve të mos u shtohet edhe më shumë “oreksi” për të na konsideruar tashmë me gojën plot: “vend islamik”. Po, Shqipëria është vend me përqindje më të madhe muslimane, por është po aq fakt se mes feve ka një harmoni për t’u admiruar, çka do uroja që ardhja e emigrantëve të tjerë, kryesisht nga vendet muslimane (afganë, bangladeshas, sirianë, iranianë, etj), të mos prishte këtë harmoni për tu pasur zili.

Të fundit

Robbie Williams barazoi rekordin e Beatles me 15 albume nr. 1 në Mbretërinë e Bashkuar

Robbie Williams ka barazuar rekordin e The Beatles për shumicën e albumeve në vendin e parë në tabelën e...

Kolumbia dërgon avionë të forcave ajrore për të marrë emigrantët e dëbuar nga SHBA

Një avion i Forcave Ajrore Kolumbiane u nis sot nga San Diego me 110 imigrantë kolumbianë të dëbuar. Një avion i dytë u nis...

Studimi/ Prindërit kanë gjithmonë një fëmijë të preferuar!

Një studim i botuar në Psychological Bulletin i jep fund dyshimit shekullor që mundon fëmijët në të gjithë botën: a kanë babi dhe mami një fëmijë të...

Gafë e lojtarit të Barcelonës në konferencë: “Gasperini? Cili lojtar është ky?”

Alejandro Balde, talenti i ri i Barcelonës, ishte ai i cili u shfaq në konferencë për mediat përkrah trajnerit Hansi Flick, për të folur...

A do të na godasë vërtetë një asteroid në vitin 2032?

Asteroidi 2024 YR4 , i zbuluar vitin e kaluar, u klasifikua si niveli 3 në shkallën e Torinos , sistemi që mat rrezikun e...

Lajme të tjera

Web TV