Kush tha se e djathta nuk e “vret babain politik” gaboi. Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një reagim të papritur, njoftoi mbrëmjen e djeshme vendimin për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD-së ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi u shpall “non grata” nga SHBA. Vendimi i Bashës sjell kundërpërgjigjen e ashpër të Berishës. “Do bëj gjithçka për rivendosjen e sovranitetit të PD-së, rikthimin e saj në ato parime që i shkelmoi sot Basha. Sot forca politike është një fasadë-opozitë”. Shpërthen në PD, disa deputetë të opozitës kundër kryetarit.
Ish-kryeministri dhe presidenti i vendit Sali Berisha, njeriu më i fuqishëm politik në 30 vite tranzicion në vend përjashtohet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, subjekt politik që e themeloi vetë. Vendimi është marrë nga ai që pritej më pak, “biri politik” i Berishës, pikërisht Lulzim Basha. I ndodhur nën presion e SHBA-ve dhe në rrezikun e karrierës së tij, Basha vendosi të largojë “babain politik” duke e vrarë atë politikisht. Ish kryeministri është vënë në dijeni vetëm 30 minuta para se Basha të shpallte për vendimin. “Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”-shkruan Lulzim Basha. Për liderin historik të demokratëve Lulzim Basha me vendimin e marrë nën presionin sorrosian ka cënuar çdo normë statutore dhe ligj të vendit. Menjërerë pas lamit bombë, Berisha komentoi ashpër qëndrimin e kryetarit demokrat. “Vendimi është një vendim jashtë çdo lloj norme statutore dhe ligji të vendit. Natyrisht një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet më elementare të një force politike të lirë, nuk mund ta marrë”, është shprehur Berisha. Ai ka thënë se e mirkupton Bashën, por nuk ja fal këtë vendim. “Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ai ka pasur, por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë, duhet të konsideronte dorëheqjen e tij, sesa të dorëzonte sovranitetin e PD”, tha ai. Berisha shkon akoma më tej duke e quajtur PD si satelit i Edi Ramës. “Partia Demokratike është kthyer në satelit i Edi Ramë”, ai shtoi se PD është një fasadë opozitë dhe jo më një opozitë kundër qeverisë. Ka mjaftuar kjo lëvizje e madhe që në PD të nisin menjherë reagimet e ashpra edhe brenda Grupit Parlamentar të PD-së. “PD ka hyrë në spirale shumë të rrezikshme”/ Nga Tritan Shehu tek Flamur Noka, ja qëndrimet e deputetëve demokratë për largimin e Berishës nga grupi parlamentar. Mbrëmjen e sotme, Basha ka mbledhur anëtarët e kryesisë të PD-së brenda selisë blu, ku vendimi për Berishën ka sjellë debate të ashpra. Kanë qenë disa deputetë të cilët kanë kundërshtuar ashpër vendimin e Lulzim Bashës. Dëri në mbrëmje, kundër vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës kanë dalë deputetët Bujar Leskaj, Albana Vokshi, Flamur Noka, Tritan Shehu apo dhe Luçiano Boçi. “Vendimi i gabuar, po mohojmë historinë”, ka deklaruar Noka. Ndërsa Tritan Shehu ka akuzuar Bashën për vrasjen e PD. “Vrave PD-në. PD ka hyrë në një spirale shumë të rrezikshme. Një vendim i tillë nuk mund të merrej nga vetëm një njeri, qoftë dhe kryetari. Duhej ta gjykonim sëbashku”, është shprehur Shehu. Ky vendim është cilësuar si një shkelje e hapur e statutit dhe ligjit të PD-së ndërkohë thotë se ditën e nesërme do të jetë në Parlament.