Sot mbahet seanca e parë plenare ku me interes është rikthimi i opozitës në sistem. Gjithashtu do të votohet kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ku ka zëra se mund të marrë edhe vota nga e djathta.
Sot nis punën Kuvendi i ri. Seanca e parë plenare mblidhet për procedurë në orën 10:00, ndërsa pasdite në orën 17:30 ku do të verifikohen mandatet e fituara dhe do të votohet Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla. Ish-ministrja e Arsimit njihet në politikë për thjeshtësinë dhe qetësinë e saj në komunikim çka pritet që në votimin e fshehtë të marrë votat e Partisë Socialiste, por nuk përjashtohet mundësia që të “rrjedhin” vota edhe nga opozita. Figura e saj nuk u debatua nga kampi opozitar kur Kryeministri Edi Rama shpalli qeverinë e re në javën që shkoi. “Risia” në këtë mandat të ri është edhe rikthimi i Partisë Demokratike këtë të premte në Kuvend pas 30 muajsh mungese. Që prej shkurtit të vitit 2019, e deri më tani kanë kaluar 2 vite e gjysëm, qëkur opozita e kryesuar nga PD, dogji mandatet dhe vendosi të ishte jashtë institucioneve parlamentare. Por edhe mos njohja e zgjedhjeve të 25 prilli nga Lulzim Basha e vinte në pikëpyetje rikthimin në Parlament. Përgjatë kësaj kohe që opozita ishte jashtë institucioneve, ajo ndërmori akte si protestat dhe moshyrje në zgjedhjet lokale të vitit 2019-të, për të kundërshtuar qeverinë e Kryeministrit Rama. Skenari i PD-së për të lënë parlamentin nuk u realizua, pasi disa deputetë të opozitës nuk i dogjën mandatet, si Rudina Hajdari apo Myslim Murrizi, por nga ana tjetër, vendet e atyre që i dogjën, i zunë disa deputetë që ishin jashtë listave fituese të PD e LSI. Ata formuan opozitën parlamentare, që do mbahet mend si votuese e ndryshimeve kushtetuese, ndryshimeve në kodin zgjedhor, apo të çdo ligji tjetër që mazhoranca socialiste kalonte në Kuvend. Edhe zgjedhjet lokale që opozita bojkotoi nuk ndaluan socialistët të merrnin të gjitha bashkitë e vendit. Hapi i parë i opozitës për t’u rikthyer drejt institucioneve, ishte Këshilli Politik i formuar mes mazhorancës dhe opozitës, për reformën zgjedhore. Në disa takime u desh ndërhyrja e ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë, që palët të gjenin zgjidhje për cështjet që nuk binin dakord. Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit, nuk ishte goditja e vetme e fuqishme që mori PD, pasi disa javë më vonë, Departamenti Amerikan i Shtetit, mori vendimin për të shpallur ish-liderin e PD-së, Sali Berisha non grata. Por nuk mbeti me kaq, pasi Ambasadorja Amerikane, i kërkoi Bashës të reflektonte përgjatë muajit gusht dhe Sali Berisha në shtator të mos lejonte Berishën të ulej në karrigen e deputetit. Reagimet e Berishës ishin të shumta, ku ai lajmëroi se asnjë kryetar partie, dhe askush tjetër nuk do e pengonte atë të shkonte në Parlament. Ditën e sotme, PD ka lajmëruar se do të zhvillojë mbledhjen e grupit parlamentar, ku nuk ka asnjë njoftim nëse do të ketë një qëndrim për Sali Berishën. Deri më tani Lulzim Basha nuk ka folur publikisht për qëndrimin që do të mbajë PD ndaj Sali Berishës, duke lënë në fuqi, deklaratën që vetë Berisha ka zbuluar për gazetarët, se kreu i PD, i ka kërkuar ambasadores Kim, prova për shpalljen e Berishës non grata. Çështjet që Partia Demokratike pritet t’i ketë me prioritet për të diskutuar me PS, dhe mbi të gjitha të gjejë konsensus janë ndryshimet kushtetuese, reforma zgjedhore dhe territoriale, pasi sipas opozitës, këto 3 cështje kanë pasur ndikimin e tyre në humbjen e zgjedhjeve.