Inter lë pas humbjen me Realin, rikthehet te fitorja me goleadë dhe spektakël (Video)

Inter mposht Bologna-n me gjashtë gola dhe merr përkohësisht kreun e Serisë A.

Zikaltrit duket se ia kanë nxjerrë kuqebluve inatin e humbjes së pësuar në Champions League kundër Real Madrid.

Dominim total i zikaltërve në San Siro nga fillimi i ndeshjes deri në fundin e saj.

Gjashtë minuta i janë dashur skuadrës së Inzaghi-t për të kaluar në avantazh me Lautaro Martinez.

Dyfishimi dhe trefishimi i avantazhit ka ardhur në harkun e katër minutave, me Skriniar dhe Barella që kanë shënuar respektivisht golin e dytë dhe të tretë në minutat 30 dhe 34.

Edhe pjesa e dytë ka nisur me gol për milanezët, me Vecino-n që ka kompletuar “pokerin” në minutën e 54-t.

Dy golat e fundit të vendasve janë shënuar nga Edin Dzeko (63′, 68′), me sulmuesin boshnjak që ka treguar aftësinë e tij prej golashënuesi në rastin e golit të dytë personal, të shënuar nga një kënd i pamundur.

Goli i ngushëllimit për miqtë është realizuar në minutën e 86-të nga Theate.

Lajmi i vetëm i keq për kampionët në fuqi të Italisë ka qenë dëmtimi i Correa-s në minutën e 29-të.

Inter ka shënuar të paktën katër gola në tri ndeshjet e fundit të Serisë A të luajtura në shtëpi, ecuria më e mirë për zikaltrit që nga 1999 (katër ndeshje në atë rast).