Aksioni opozitar, Basha bën luftën në Kuvend me masakrën zgjedhore

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ju ka bërë me dije aksionin politik deputetëve të grupit parlamentar të PD-së. Ai mësohet se ka thënë se masakra zgjedhore është term që do të përdoret në çdo fjalim.

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike duket se ka vendosur për aksionin e tij politik. Edhe pse tha që do të përdoren të gjitha mjetet për të goditur mazhorancën, Basha e ka vendosur që tani për tani do të jetë në Parlament. Kjo është rruga që Basha ju ka përcaktuar deputetëve, nënkryetarëve dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare. Ditën e djeshme, kreu i PD-së Lulzim Basha mblodhi Kryesinë e Grupit Parlamentar për t’u orientuar me piketat, ku do të fokusohet aksioni i opozitës. Në këtë mbledhje Basha ka porositur deputetët e tij se kryefjalë e çdo fjalimi të tyre, duhet të jetë ajo që është quajtur nga selia blu si masakra zgjedhore.

Kryedemokrati u kërkoi të anëtarëve të Grupit të PD të flasin me fakte dhe prova në Parlament për ndërhyrjet e jashtëligjshme që sipas tij janë bërë në zgjedhjet e 25 prillit nga Partia Socialiste. Ndërkohë, më herët për këtë çështje në mbledhjen e Kryesisë së Grupit u shpreh edhe Flamur Noka, i cili pati rezerva për fjalimet e para të deputetëve në seancën plenare, ku, sipas tij, asnjëri nuk fliste për krimet zgjedhore.

“Këtu po diskutohet sikur jemi në një normalitet. Ka një javë që është përjashtuar historia e kësaj partie. E dyta, ti zotëri na ke ne dhe të gjithë kemi rënë dakord që është bërë masakra elektorale. Ne s’dëgjuam asnjë fjalë në Parlament. Ishte gjithë diktime. Ti na ke thënë që kemi një regjim përpara dhe regjimi nuk luftohet me diktime apo me hartime. Këtu duhet të caktojmë një strategji sesi do përballemi me këtë regjim. Duhet një strategji sesi do evidentojmë masakrën elektorale. Këtu s’po i dëgjoj këto”, mësohet të ketë thënë Noka. Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se opozita ka vetëm një synim, largimin e Edi Ramës, që sipas tij është armiku i vetëm i shqiptarëve.

Lexo edhe :  Parashikimi i motit/ Si do ndryshojnë temperaturat përgjatë ditës

“Diskutuam strategjinë e opozitës në Parlament, pastaj do detajojmë punën në komisione. Armiku i vetëm i shqiptarëve është Edi Rama. Me atë do luftojmë të gjithë, me strategji dhe me çdo mjet tjetër”, u shpreh Alibeaj. Lulzim Basha mbajti qëndrim sa i takon masakrës zgjdhore edhe kur u shpall kabineti “Rama 3”. Ai tha se përballë fakteve të patjetërsueshme, drejtësia nuk mund të qëndrojë duarkryq. “Për Partinë Demokratike, raporti i OSBE/ODIHR nuk është vetëm konfirmim i asaj që ne kemi denoncuar dhe që shqiptarët kanë përjetuar prej këtij regjimi të korruptuar, i cili ka vrarë votën e lirë dhe bashkë me të demokracinë, por një udhërrëfyes për aksionin tonë brenda dhe jashtë vendit, për t’iu kthyer shqiptarëve të drejtën për të pasur një qeveri që buron nga vullneti i tyre i lirë, jo nga krimi dhe korrupsioni që e kanë lënë Shqipërinë në vend numëro për shumë gjatë”, tha Basha.