SHBA e akuzon për mashtrim, del përpara gjykatës shefja e financës së Huawei

Një drejtuese e lartë e gjigantit kinez të teknologjisë Huawei do të paraqitet në një gjykatë amerikane pas akuzave për mashtrim.

Meng Wanzhou u arrestua gati tre vjet më parë në Kanada me kërkesë të autoriteteve amerikane. Shefja e financave të Huawei dhe vajza e themeluesit të kompanisë, akuzohej nga SHBA se kishte mashtruar bankën britanike HSBC për disa marrëveshje me Iranin që bien ndesh me sanksionet tregtare.

Incidenti ka tensionuar marrëdhëniet e Kinës me SHBA dhe Kanadanë.

Nëse akuzat kundër Meng Wanzhou hiqen, çështja e saj e ekstradimit në Kanada do të pushohet dhe ajo mund të jetë e lirë që sot.

SHBA pretendon se Meng mashtroi bankën HSBC mbi natyrën e vërtetë të marrëdhënies së Huawei me një kompani të quajtur Skycom, duke e vënë bankën në rrezik të shkeljes së sanksioneve amerikane kundër Iranit.