Deputetët anëtarë të komisioneve të përhershme parlamentare kanë nisur dje punën e tyre me debate të forta sa i takon mbledhjeve online të komisioneve. Demokratët kanë shkuar fizikisht në zyrë dhe nuk kanë pranuar të dalin online për të diskutuar mbi ligjet. Prezenca e tyre fizikisht në mbledhjet e komisioneve shkaktoi përplasje në sallë, ndërsa akuzuan se po tentohet tu mbyllet goja në diskutime. Fjala e mohuar në Komisionet Parlamentare, me argumentin se duhet të jenë prezent online, dhe jo fizikisht, ashtu sikurse ka vendosur Konferenca e Kryetarëve për demokratët është shenjë e mungesës së transparencës. Acarimi i opozitarëve u duk edhe jashtë sallës së Komisioneve, të cilët deklaruan se këto veprime janë anti-kueshtetuese. Përplasja e parë mes palëve ndodhi në Komisionin e Ligjeve ku në pamjet e servirura nga Kuvendi u shfaq me zë dhe video vetëm kryetarja Klotilda Ferhati. Demokratët kishin marrë masa për të përcjellë në kohë reale përmes aparatëve të tyre celularë. Komisoni i Shëndetësisë i drejtuar nga demokratët nuk u transmetua online ndërkohë Kryetarja e Komsionit për Politikën e Jashtme Mimi Kodheli vendosi që mbledhjen ta drejtoje nga online nga zyra e saj për të shmangur prezencën fizike të opozitës në sallë. Lëvizja Socialiste për Integrim zgjodhi të bëjë forcën konstruktive duke marrë pjesë në mbledhje permes te dyjave formave. Më i ashpër u tregua zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, i cili tha se me vendimin për të mos lejuar opozitën për të folur nga salla e Komisionit, është vrarë parlamentarizmi. Kryetarja e Komisionit, Mimi Kodheli e zhvilloi mbledhjen e komisionit online nga zyra e saj.
Deklarata e PD
Partia Demokratike, përmes një prononcimi të dhënë nga nënkryetari i Komisionit, Tomor Alizoti, e cilësoi vendimin për mbajtjen e mbledhjeve të Komisioneve Online në thyerje të rregullores. Teksa shpreh trishtimin për mungesën e jetës parlamentare në vend, Alizoti ironizon me kryeministrin Rama duke thënë se është e tmerrshme për këtë vend që “inkona e modës shqiptare”, ka frikë nga përballja. “Është absurde që Komisioni i Jashtëm, në pikën më të rëndësishme të Kombit shqiptar, ku tanket serbe janë në kufi, ku sot është edhe vizita e Ursula von der Leyen, në situatën kritike të politikës së jashtme, Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme mblidhet online, pra, mblidhet nëpërmjet telefonave, mblidhet nëpërmjet selfie-t. Kur e gjithë Shqipëria është e hapur, kur kafet janë plotë, kur koncertet nga bota sllave vijnë dhe këndojnë në Shqipëri, me mijëra njerëz të cilët konsumojnë edhe alkool, Shqipëria sot dhe kombi shqiptar që ka një sfidë të madhe, ku ka lënë Kosovën vetëm, ku diskutohet vetëm Open Balkan, për influencat e Serbisë, kur influencat ruse janë afër Ballkanit, komisioni i Jashtëm është online. Është me telefona”, tha Alizotaj.
DEBATET TEK LIGJET
Gazment Bardhi: Znj. Kryetare e Komisionit, Mbledhjet online në kushtet e mungeses së masave të jashtëzakonshme, bien ndesh me rregullat e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, nenin a/ 5 të saj. Për këtë arsye, kërkoj krijimin e kushteve të punës së deputetëve për mbledhje fizike në sallën e mbledhjeve të Komisionit të Ligjeve. Ndryshe në kundërshtim me Rregulloren po pengoni opozitën të bëjë detyrën e saj. Mbledhjet online mund të zhvillohen atje ku lejon Rregullorja e Kuvendit, duke nisur nga këto aktivitete politike.
Bledion Nallbati: Kur vjen puna për të argëtuar Skënderbeun, Hamzain, Mamicën dhe të gjithë ata që të lyer dhe të patinuar shkuan në Mbremjen Gala tek Teatri i Operas kjo nuk përben rrezik për shëndetin e qytetarëve, kur vjen puna për çështjet me serioze si ajo e Komisioneve Parlamentare këtu duhet të ruajmë shëndetin. Është në nderin tuaj të jeni seriozë me qytetarët dhe pa diskutim të zbatoni rregulloren. Ne do të jemi aty për të bërë dëtyrën ndaj qytetarëve ndaj ju lutem merrni masat për zhvillimin normal të komisioneve.
Dashnor Sula: Kjo nuk është mbledhje komisioni ligjesh. Është tallje dhe turperim i komisionit të ligjeve dhe Parlamentit. Nëse sulltan Rama do ju urdhëroi që dhe me familjet tona do komunikojmë online zbatojeni urdhërin e verbër të sulltanit. Unë personalisht sjam bindur dhe skam për tu bindur kurrë urdhërave të kundraligjshëm. Sovrani na ka votuar për të përmbushur detyrimet kushtetuese si përfaqësues të tij dhe jo si servila të sulltanatit. Kjo është tallje dhe e turpshme e fyese për inteligjencën e atyre që e pranojnë këtë ferman të sulltanatit. Zoti ju falte se sdini se çpo beni!
Saimir Korreshi: Shoqa Viola me gjithë respektin por njoftimi juaj për të bërë mbledhje online nuk gjen bazë në asnjë pikë të rregullores. Përpos kësaj andej nga Lushnja sikur sna punon mirë interneti e mund të lind problemi që na ngel figura ngrehur e nuk ndjekim dot shpejtësine e mendimeve dhe të fjalëve të kolegëve. Ndaj nesër ju ftoj të merrni masat për të kryer mbledhje normale në ambjentet e komisionit pranë Kuvendit.
Dhurata Çupi: Mbledhja e komisionit duhet të zhvillohet fizikisht. Kjo ne përputhje me kërkesat ligjore mbi zhvillimin e mbledhjeve te komisioneve parlamentare, te transparencës, dhe te komunikimit drejtperdejt me qytetaret.
Kadilli del me ‘Iniciativën Demokratike’
Demokratët nuk do të kenë përballë vetëm dy alternativa, rreshtimin në krah të Bashës apo të Berishës. Përballja mes tyre, prodhoi një tjetër rrymë në PD, Iniciativën e Fatbardh Kadillit, i cili thotë se konflikti mes kryetarit dhe ish kryetarit të partisë ka futur selinë blu në një krizë të thellë. “Grindja e brendshme, kriza e rëndë politike, përplasja mes dy kryetarëve po shpenzon energji, po bjerr moralin tonë politik dhe ka nxjerrë jashtë misionit të saj opozitar PD. Ne besojmë se asnjëra palë nuk jep zgjidhje të qëndrueshme. Nuk janë zgjidhja as për PD dhe as për të ndërtuar opozitë të pastër. Asnjëri nuk bashkon, nuk forcon, nuk na shton, nuk fiton. Nuk jep një fokus të qartë e të vërtetë opozitar. Një alternativë konkuruese”, tha Kadilli. Për këtë arsye, ish kandidati për kryetarin e PD, prezantoi sot Iniciativën Demokratike, një grupim që sipas tij, do të bëjë opozitën e vërtetë. “Përballë pushtetit abuziv të Ramës, ne do të vijmë si një opozitë e pastër, opozitë konkuruese, opozitë që ngjall shpresë. Kjo opozitë e re do ketë propozime të besueshme, nga njerëz të besueshëm, në dobi të vendit. Në përputhje të plotë me statutin e PD, ne sot shpallim krijimin e iniciativës demokratike si strukturë e PD-së jo mbi baza territoriale por sociale, profesionale, politike. Me shtrirje dhe veprim në gjithë territorin”, u shpreh ai. Ndryshe nga gara për kreun e partisë, të zhvilluar në qershor, kur Kadilli nuk pati në krah asnjërin prej figurave të Partisë Demokratike, në prezantimin e grupimit të tij, atij ju bashkuan anëtari i kryesisë së PD, Ivi Kaso, Enno Bozdo, Arben Ristani dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD.