TVSH-ja e munguar në Shqipëri dhe Kosovë, 2021

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduart Gjokutaj / ALTAX Studio

Çdo sistem fiskal ka firot e tij ligjore dhe nga evazioni në tatimet që ka miratuar për tu mbledhur nga rezidentët e vetë fiskalë. Prandaj nuk është për t’u habitur që në praktikë shuma e taksës së mbledhur është më e vogël se shuma totale e detyrimit tatimor që duhet të paguajë një biznes apo individ. Pjesa më e madhe e tatimeve dhe taksave që përcakton sistemi tatimor në Shqipëri dhe Kosovë deklarohen dhe paguhen në mënyrë vullnetare. Një pjesë tjetër paguhen me vonesë, por që janë pjesë e pagesës vullnetare për sa kohë ata paguajnë edhe gjobat e interesat të lidhura me detyrimet që paguhen me vonesë. Por, gjithsesi disa taksa dhe tatime nuk paguhen fare, apo janë pjesë e mbledhjes me forcë pas kontrolleve dhe investigimit tatimor. Këto të ardhura, bashkë me ato të ardhura të tjera që nuk arrijnë të identifikohen apo të jenë pjesë e barrës tatimore të vendit përbëjnë mungesën e të ardhurave tatimore. Boshllëku i TVSH-së përcaktohet duke zbritur TVSH-në aktuale nga TVSH-ja potencialisht për tu mbledhur, e cila llogaritet mbi bazën e arkëtimeve, e vlerësuar duke përdorur kuadrin ligjor aktual. Është e rëndësishme të theksohet se boshllëku i TVSH-së, ashtu si për çdo tatim vjen më shumë prej politikave fiskale (si do ta shohim në shtjellimin e tij më poshtë), por gjithashtu edhe nga ndryshime në elementë të tjerë të rëndësishëm të tij që lidhen me vullnetarizmin ndaj TVSH-së, siç janë zhvendosjet në akumulimin dhe zvogëlimin e borxhit tatimor, kultura e tatimpaguesit, ambjenti i të bërit biznes, përhapja e korrupsionit, niveli i përdorimit të teknologjisë etj. Në mënyrë që të kuptohet natyra e boshllëkut të TVSH-së dhe pse ai ka ndryshuar me kalimin e kohës, nevojiten vlerësime sipas metodologjisë së përcaktuar për këtë qëllim.

Boshllëku tatimor prej politikës fiskale krijohet nga:

– Përjashtimet e sektorëve ekonomikë dhe aktiviteteve të përcaktuara në ligjin e TVSH-së, apo përjashtime me ligje specifike dhe Marrvëveshje ndërkombëtare për investime të caktuara

– Reduktime/ulje të normës tatimore nën normën standarte të TVSH-së;

– Aplikim të pragut të patatueshëm nga TVSH-ja.

Boshllëku tatimor nga problemet me pajtueshmërinë krijohet nga një sërë qëndrimesh të individëve dhe bizneseve, që të përmbledhura janë:

Pakujdesia/pamaturia në mbajtjen e librave të kontabilitetit dhe atyre tatimorë duke u reflektuar në deklaratat tatimore;
Mungesa e njohjes së legjislacionit dhe detyrimeve në respektim të ligjit;
Kryerja e evazionit të paramenduar, si dhe përdorimi i skemave të shmangies tatimore për qëllime të raportimeve të rreme apo mosraportimeve;
Mosdeklarimi dhe mospagesa e detyrimeve;
Këto karakteristika tregojnë edhe mënyrën se si duhet ndarë tatimi i munguar. Në llogaritjen bruto të boshllëkut janë mungesa teorike e tatimeve që vlerësohen se duhet të paguhen. Në llogaritjen neto të boshllëkut janë vlerësimet për tatimet që kanë mbetur pa deklaruar, pa raportuar dhe pa paguar. Nëse boshllëkun e TVSH-së e krahasojmë me nivelin aktual të TVSH-së që mblidhet për buxhetin e shtetit shqiptar, atëherë llogaritet të arrijë deri në nivelet sa 43.9% e saj. Nga llogaritjet e kryera për matjen e boshllëkut të TVSH, rezulton se nëse do të kishim një sistem ideal pa përjashtime dhe lehtësira, si dhe me një vullnetarizëm dhe nivel administrimi optimal, atëherë shuma e TVSH-së teorikisht e mbledhshme do të jetë 255.4 miliard lekë, nga 155.9 miliard lekë që mblidhet aktualisht, apo një diferencë prej 99.5 miliard lekë. Nëse analizojmë peshën që mban politika fiskale, duket se ajo ndikon shumë më tepër se niveli i administrimit dhe vullnetarizmit me ligjin. Kështu, humbjet nga përjashtimet dhe lehtsëitë e TVSH-së arrijnë në 91.3 miliardë lekë, ndërsa humbjet e TVSH-së nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë së tatimpaguesve me ligjin është 8.2 miliard lekë. Në tërësinë e llogaritjeve të pjesës që i përket boshllëkut tatimor nga politika fiskale shqiptare rezulton se 91.7% e TVSH-së së munguar, si boshllëk në buxhet vjen prej politikës së përjashtimeve dhe lehtësirave fiskale, nëpërmjet miratimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Boshllëku tatimor nga përjashtimet dhe lehtësirat fiskale ka një madhësi sa 59% e të ardhurave bruto të TVSH-së në vitin 2019. Në tërësinë e llogaritjeve të pjesës që i përket boshllëkut tatimor nga zbatimi i politikës fiskale shqiptare rezulton se 8.3% e TVSH-së së munguar, si boshllëk në buxhet vjen prej moszbatimit të ligjit në mënyrë vullnetare dhe performancës së administrimit fiskal. Boshllëku tatimor nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë me ligjin ka një madhësi sa 5.2% e të ardhurave bruto të TVSH-së në vitin 2019. Nëse boshllëkun e TVSH-së e krahasojmë me nivelin aktual të TVSH-së që mblidhet për buxhetin e shtetit kosovar, atëherë llogaritet të arrijë deri në nivelet sa 58.5% e saj. Ky raport i nivelit të përjashtimeve dhe lehtësirave të llogaritura sipas referencës dhe kuadrit ligjor në fuqi është një kosto e shtuar për administrimin dhe tatimpaguesit, të cilët janë përpara kushteve të pabarabarta për të njëjtin tatim, pavarësisht se operojnë në sektorë të ndryshëm që nuk konkurojnë njeri-tjetrin, por që të gjithë operatorët konkurojnë brenda të njëjtës ekonomi. Nëse analizojmë peshën që mban politika fiskale, duket se ajo ndikon më tepër se niveli i administrimit dhe vullnetarizmit me ligjin, por shumë më pak se sa ndikon politika përjashtuese në Shqipëri. Nga llogaritjet e kryera për matjen e boshllëkut të TVSH, rezulton se nëse do të kishim një sistem ideal pa përjashtime dhe lehtësira, si dhe me një vullnetarizëm dhe nivel administrimi optimal, atëherë shuma e TVSH-së teorikisht e mbledhshme do të jetë 1.22 miliard Euro, nga 848.1 milion Euro që mblidhet aktualisht, apo një diferencë prej 372.7 milion Euro. Kështu, humbjet nga përjashtimet dhe lehtësitë e TVSH-së arrijnë në 253.6 milion Euro, ndërsa humbjet e TVSH-së nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë së tatimpaguesve me ligjin është 119.1 milion Euro.

Lexo edhe :  Alternativa berishiane e mosbashkimit të opozitës

Nga politika e përjashtimeve dhe lehtësive të TVSH-së rezulton se 23.8% e BPV nuk tatohet dhe vetëm pjesa e mbetur e tij prej 76.2% është objekt i tatimit të vlerës së shtuar. Politika e përjashtimit dhe lehtësimit nëpërmjet reduktimit të normës së TVSH të segmenteve ekonomike dhe aktiviteteve dhe mallrave e produkteve jep një efekt në boshllëkun gjithsej të TVSH-së me 67.9%. Ndikimin më të madh në krijimin e boshllëkut të TVSH nga politika vjen nga aktivitetet me pasuritë e patundshme, por edhe nga aktivitetet financiare dhe të risigurimit. Një efekt më të vogël kanë në boshllëkun e TVSH aktivitetet në të cilat ka përdorim norma e reduktuar. Në tërësinë e llogaritjeve të pjesës që i përket boshllëkut tatimor nga politika fiskale shqiptare rezulton se 32.1% e TVSH-së së munguar, si boshllëk në buxhet vjen prej moszbatimit të ligjit në mënyrë vullnetare dhe performancës së administrimit fiskal. Boshllëku tatimor nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë me ligjin ka një madhësi sa 5.2% e të ardhurave bruto të TVSH-së në vitin 2019. Efekti i politikës fiskale në boshllëkun e TVSH-së është ndjeshëm më i lartë në Shqipëri me një peshë sa 5.4% e PBB-së, apo 1.8 pikë përqind më shumë se në Kosovë. Ndërsa shihet se efekti i administrimit dhe pajtueshmërisë në Kosovë është më i lartë se në Shqipëri duke patur një peshë sa 1.7% e BPV-së, apo 1.2 pikë përqind më shumë. Në ballafaqimin e boshllëkut të TVSH-së me të ardhurat tatimore shikohet më dukshëm efekti nga politikat përjashtuese, veçanërisht në Shqipëri. Ndërkohë, në Kosovë duket se vëmendje më e madhe duhet ti kushtohet pajtueshmërisë dhe administrimit. Nëse duam të njihemi me efikasitetin e administrimit të TVSH-së, mënyra më e shpejtë e analizimit të efektivitetit të TVSH-së është matja e produktivitetit të TVSH-së, nëpërmjet Raportit të Efikasitetit, i cili përcaktohet si pjesa e TVSH-së në konsum i ndarë nga norma standarte e TVSH-së.

Raporti i efikasitetit në Shqipëri është 0.65, ndërsa në Kosovë është 0.93

Nisur nga këto dy raporte, ne shikojmë se niveli i efikasitetit në Kosovë është më i lartë se në Shqipëri. E gjitha kjo lidhet sa me pjesën e administrimit të TVSH-së së brendshme, po ashtu edhe me TVSH e fshehur në ekonominë informale dhe që është pjesë e evazionit. Futja e sektorit joformal në ekonominë formale është ndoshta një nga sfidat më të rëndësishme për hartimin e politikave për Shqipërinë dhe tërë rajonin e Ballkanit. Në këtë drejtim, modelet e reja për aplikimin e teknologjisë, së bashku me flukset e reja dhe përsosjen e teknologjisë për pagesat janë thelbësore për zgjerimin e territoreve të formalitetit. Vende të ndryshme të BE-së e zbatojnë sistematikisht në format zyrtar vlerësimin boshllëkut tatimor, ndërsa ka edhe shtete të tjera që ende nuk e kanë krijuar këtë traditë të nevojshme të analizës së performimit tatimor. Vlerësimet e boshllëkut tatimor mund të jenë tregues të dobishëm për administratat tatimore dhe qeveritë për të vlerësuar shkallën e mosrespektimit të ligjit prej taksapaguesve dhe nevojën për përmirësimin e politikës tatimore dhe administrimit tatimor. Për të qenë në gjendje të interpretojmë në mënyrë të përshtatshme vlerësimet, është megjithatë thelbësore të kuptojmë tiparet kryesore metodologjike të vlerësimit. Për Ministrinë e Financave, nëpërmjet njohjes me nivelin e boshllëkut tatimor duhet të kuptohet qartë rreziku fiskal në zhvillimin dhe nevojën për mobilizim shtesë të të ardhurave. Boshllëku i pajtueshmërisë tatimore dhe ai i politikës tatimore mund të ndikojnë veprimet për moscënimin e integritetit të administrimit të sistemit aktual, si dhe qëndrueshmërinë e modelit aktual të politikës fiskale, ndërsa do të duhet që të ardhurat e humbura të kërkohen të rikuperohen përmes miratimit të një sistemi ndryshe duke hequr dorë nga modelet e referuara deri më sot si efektive për tu zbatuar nga administrata tatimore. Raporti optimal i Efikasitetit të TVSH-së (100 përqind) duhet të konsiderohet si plotësisht efikas në rastin kur ai mbulon të gjithë bazën e TVSH dhe-së me një normë të sheshtë. Në rastin e disa normave të reduktuara të TVSH-së për mallra ose shërbime të caktuara, raporti i Efikasitetit është nën 100 përqind.

Të fundit

Federata e Futbollit ofron trajtim të specializuar për 14-vjeçarin Luis Meçe

Federata Shqiptare e Futbollit, ka vendosur të ndihmojë Luis Meçen, 14-vjeçarin që u plagos në konfliktin e ndodhur në...

Express: Shqipëria, destinacioni i ri mesdhetar që turistët nuk duhet të humbasin në 2025

Eksperti i udhëtimeve, Simon Calder ka rekomanduar dy destinacione kryesore evropiane – më pak të njohura – për vitin 2025, në një përpjekje për...

Dita Ndërkombëtare e Migrantëve/Balla: U nisën në kërkim të një jete më të mirë

Në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla nderon të gjithë emigrantët shqiptarë kudo janë. Përmes një postimi në...

Eurostat: Shqipëria, e fundit në Europë për konsumin për frymë

Ndonëse pagat, sidomos në sektorin shtetëror po rriten vazhdimisht, me to mund të blesh më pak produkte, duke e bërë jetesën gjithnjë e më...

FOTOLAJM/ Donald Trump ndryshon modelin e flokëve

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka ndryshuar stilin e flokëve, duke debutuar një pamje të re me flokë të krehur pas, në vend të modelit të...

Lajme të tjera

Web TV