Nga Besnik Gjongecaj
Në kohën pak para ndrrimit të sistemeve në Shqipëri, dikush nga PD e Tiranës
më çoi në një sallë te Pallati i Kulturës dhe më tha se njerëzit e asaj salle do të duhej të kuptonin programin e PD për arsimin dhe universitetet. Ishte një situatë revolucionare, në të cilën refuzimi dhe sqarimet nuk kishin pikë kuptimi, bëheshin nul para se të artikuloheshin. Gjithçka krijohej dhe merrte udhë në ecje dhe po ashtu shuhej në vrap e sipër.
Fillova të flas mes një zhurme të butë, që përhapej si mjegull dhe më pengonte komunikimin. I zgjidhja fjalët me kujdes, që edhe të mos ishin të komplikuara për sallën, por edhe të mos e degjeneronin mbledhjen në një takim politik të radhës. Zhurma filloi të mos i ngjajë më mjegullës, por një rrebeshi shiu. E kuptova shpejt që më shumë se universitetet, njerëzve në sallë iu interesonte se si do t’ju merrej pushteti komunistëve. Kisha dështuar pa nisur mirë. Demokratët në sallë kërkonin rrëzimin e menjëhershëm të diktaturës dhe as nuk pyesnin se çfarë do të ndërtohej në boshllëkun që do të linte ajo pas rrëzimit.
Këta ishin demokratët e parë, të pa kompromis, të pa gjunjëzueshëm, që qanin po me aq lehtësi sa edhe egërsoheshin, naivë deri në keqpërdorim. Të pastër deri në kockë. Nëse kohën njerëzore që ka kaluar nga data e asaj mbledhje e deri më sot do ta imagjinonim si kohë gjeologjike, demokratët “native” të asaj salle do të na dukeshin si Neandërtalët, të cilët, sepse e donin aq shumë lirinë, u shfarosën (extinct) për t’u zëvendësuar pas tridhjetë vitesh, nga Lulzim Basha dhe Grida Duma.
* * *
Që prej asaj mbledhje e deri më sot profili i demokratit ka pësuar ndryshime dramatike, madje të paparashikueshme, të cilat, përgjithsisht, nuk iu nënshtruan një procesi demokratik. Në të kundërtën, ndryshimet ndodhën në një terren pa standarde dhe në një proces spontan, që jo rrallë merrte anë nga e keqja. Një proces që, fatkeqësisht, nuk u mbështet në shtratin e uniniversiteteve të vërteta. Jo vetëm se nuk patëm të tillë, por sepse universitetet shqiptare nuk e fituan kurrë atributin e përgatitjes së rinisë për demokraci. Ajo që ndodhi është e thjeshtë, por e vendosur brenda një gjykimi të thellë. Esencialisht, personaliteti i demokratit ndryshoi në funksion të zhvillimeve jasht PD dhe pavarësisht nga PD. Formimi i tij u krye nën peshën e konstitucionit gjykues të një shoqërie me probleme të thella, me një moral të grisur, të bërë copë, që si një velë e përplaste Shqipërinë e atyre viteve sa andej këtej. Varësisht nëse e pranon ose jo realitetin e kësaj premise, e gjitha kjo përcakton edhe raportin me të vërtetën mbi PD dhe fatin e saj. PD nuk krijoi kurrë atë energji demokratike brenda saj që të ishte e mjaftueshme për formimin e gjeneratës së re të demokratëve nga njëra anë, por mbi të gjitha, nuk krijoi kurrë energjinë e mjaftueshme për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde më të përparuara, për ta udhëhequr atë. E thënë fare thjesht: duke u tharë më shumë se vitalizuar në kohën e pas formimit, PD nuk mundi të plotësojë misionin historik të saj. Ja pse ndryshimet dramatike të profilit të një demokrati ndodhën, dhe ndodhin edhe sot e kësaj dite, nën ndikimin e një organizate, themelet demokratike të së cilës nuk mbarojnë kurrë së ndërtuari. Aq sa nga një shkollë potencialisht demokracie për brezat e demokratëve, PD u shndërrua në një spital çmendie për ta. Atje ku cirkoevolucionet e trurit lëmohen prej forcës shplarëse të ngjarjeve që futen në PD nga jasht dhe prej një shoqërie që degradohet përditë. Çka e largon PD nga rrënjët dhe misioni i saj.
* * *
Megjithëse partitë presupozohen të jenë pole elitare dhe si të tilla do të duhet t’i ofrojnë standarde të përparuara shoqërisë, në historinë e PD ka plot shembuj të kundërt, pra, shembuj se si standarde të një shoqërie në degradim janë bërë edhe standarde të saj. Shembuj dhe modele të tillë, shpesh të sendërtuar në individë që nuk e kanë merituar kurrë të bëhen pjesë e asaj partie dhe që lidhen me korrupsionin, makutërinë, servilizmin, jetën e dyfishtë, degradimin moral, karakterin e dobët, integritetin copë copë, personalitetin e degraduar, antihumanizmin cinik… jo rrallë kanë kërcyer nga pjesa më e zezë e shoqërisë shqiptare për t’u bërë pjesë e PD. Megjithatë, në kontekstin e komunikimit të PD me shoqërinë, ka edhe raste kur një standard i prodhuar nga PD i është ofruar shoqërisë për t’u bërë edhe standard i saj. Një rast i tillë është edhe KOP-i, ose Komiteti i Orientimit të Politikave, i cili do të mbetet i pashlyer në kujtesën institucionale të kësaj partie. Jo vetëm se ishte rasti që PD “i shiti” shoqërisë një “vlerë” apo “standard demokratik” të prodhuar prej saj. Jo. KOP-i do të mbahet mend se si një shpërfytyrim i ulët i standardeve demokratike brenda PD iu shit shoqërisë shqiptare si një vlerë demokratike, që gjasme do të rivitalizonte PD dhe shoqërinë. Dhe ja pse.
KOP-i ishte shenja më sinjifikative për të treguar se autoritarizmi ishte ngjitur në maja të panjohura më parë në PD. U bë e qartë se në PD kishte një dorë të hekurt, që me atë lehtësi që të tërheq brenda edhe të largon prej saj. Kulti i individit ishte bërë sundues brenda partisë, përfundimisht.
Më qartësisht se çdo gjë tjetër KOP-i dha mesazhin e trishtë se të ndërtosh një karrierë sipas meritokracisë brenda PD është një mision i pamundur. Sepse, befasisht vjen një ditë “peshkaqeni”- ju kujtohet Plaku dhe Deti!?- apo një urdhër kryetari, apo një listë emrash dhe ta bën copa copa karrierën me po atë lehtësi që peshkaqeni e shqeu peshkun stërmadh te novela e Hemingway. Në këtë rast, dhe kjo është shumë e thellë për t’u kuptuar nga manekinët që qeverisin PD e sotme, nuk goditet vetëm individi, por edhe vetë PD si institucion. Sepse vetëm nëpërmjet ndërtimit të karrierës brenda një partie bëhet e mundur qëndrueshmëria politike e saj. Janë demokratët ata, që duke investuar jetën e tyre në parti, do të jenë edhe të fundit që dorëzohen kur ajo rezikohet të bjerë. Karriera dhe vota e lirë, ja çfarë i japin qëndrueshmëri një force politike. KOP – i në vetvete i zëvendësoi të dyja.
KOP-i krijoi përfundimisht mundësinë që me të njëjtën lehtësi që i thyen karrierën dikujt, me po atë lehtësi autoritari i partisë ndërton karrierën e një tjetri nga hiçi. Këtu ekzaktësisht partia tret raportin me të drejtën, me të vërtetën, dhe kthehet në një klub horrash që “punojnë” ditën për Shqipërinë dhe gjithë natën luftojnë si t’ia hanë kokat njeri tjetrit.
Në thelb, prandaj, KOP – i u shndrrua në një premisë për rënien e standardeve demokratike në PD. Midis të tjerave, rriti rëndshëm probabilitetin e infiltrimit të njerëzve të padenjë brenda saj, që shpejt u kthyen në demokratë të gabuar. Njërin prej të cilëve PD e ka peshqesh prej shume viteve, ndërsa sot e tetë vjet e mban në krye. Lulzim Bashën, ose demokratin e gabuar!
* * *
Demokrati i gabuar nuk është shfaqur rastësisht në hapësirën që zë PD në skenën e politikës. Gjithçka ka ndodhur po aq gradualisht sa ç’mund të ndodhë gati gati në zhvillimin e një fenomeni natyror. Demokratët e parë, që miqësisht i kam quajtur “neandërtalë” në fillim të shkrimit, filluan të gjejnë gjithmonë e më pak hapësirë politike me kalimin e viteve. Liria e paanë e fillimit të viteve 90 filloi të kufizohej, dhe vetëm një pjesë shumë të vogël e këtij kufizimi bëhej për shkak të ligjit, rregullit, njësoj të aplikueshëm për të gjithë. Ajo që rëndshëm filloi të kufizonte lirinë dhe statusin e demokratëve të vërtetë ishte koha kur shpërndarja e pushtetit filloi të bëhej pa patur nevojë fare për rregullim, pa u vendosur në asnjë dokument dhe pa u pasqyruar në asnjë vendimmarrje. Ajo që gradualisht filloi të marrë rëndësi ishte raporti personal me autoritetet e partisë apo të qeverisjes së saj. U krijua një terren i panjohur për demokratët e vërtetë, madje ishte një terren krejt armiqsor për ta. Toka po u rrëshqiste nën këmbë “neandërtalëve të vjetër dhe të rinj”. Nga epërsi, morali demokratik u kthye në ngarkesë; nga vlerë në antivlerë, çka e bënte gati të pamundur mbijetesën. Demokratët e vërtetë largoheshin prej PD me një fluks relativ shumë më të madh se ç’largohen sot shqiptarët prej vendit të tyre, ndërsa sa vinte dhe rritej dramatikisht numri i demokratëve të gabuar që rrëmbenin pushtet brenda PD. E gjithë kjo u vendos në një raport të zhdrejtë. Largimi fizik i demokratëve të vërtetë u shoqërua gjithmonë, sepse s’ka se si ndodh ndryshe, edhe me rënien tragjike të energjisë politike brenda PD, varfërimin e shpirtit dhe dobësimin e idealit demokratik. Fuqia politike e PD u bë gjithmonë e më e dobët, ndërsa demokratët e gabuar u bënë gjithmonë e më të shumtë. Aq sa protestat u zëvendësuan me tavolina të rrumbullakta si tavolina bixhozi, ndërsa debatet me shtrëngime të pabesë duarsh.
* * *
PD ka arritur sot në atë hon historik që mund të kapërxehet vetëm nëse i jep një vlerë sublime raportit me të vërtetën. Ka një pyetje të madhe, ndoshta më e madhja që mund të bëhet mbi tridhjetë vitet e shkuara, të cilës z. Berisha do të duhet t’i japë përgjigje në foltoret e tij. Një përgjigje të ndryshme nga gjysëm përgjigjja e dhënë prej tij madje deri para pak ditësh. Pyetja është kjo: Ku shkoi energjia politike e çliruar nga shqiptarët në mbështetje të PD në vitin 92, e cila pothuajse u përgjysmua gjatë tridhjetë viteve!? Ose, që është e njëjta gjë: Si është e mundur që përveç vitit 1992, në të gjitha zgjedhjet e tjera politike (viti 96 përjashtohet) PD, pavarësisht ardhjes ose jo në pushtet, ka marrë gjithmonë më pak vota se PS?! Deri sot, z. Berisha ka vetëm një përgjigje: Ajo energji nuk i dedikohej vetëm PD, sepse kishim të bënim me një front dhe jo një parti. Kaq, por që duhet të plotësohet deri në fund. Ishte vërtet një front, por ai front ishte antikomunist, sepse vetëm nëse ishte i tillë, PD do të mund të merrte vota. Nëse ishte kështu, atëhere si është e mundur që shqiptarët, këta “herbivore” të damkosur, të arrinin deri atje sa ta ndanin përgjysëm me PS përpjekjen antikomuniste që realizuan në fillim të viteve 90?! Aq më shumë, ta ndanin me një parti që edhe sot e kësaj dite nuk i dënon krimet apo protagonistët e shoqërisë diktatoriale? Aq më shumë, ta ndanin me një parti, qeveritë e së cilës mbushen plot e përplot me pinjollë të nomenklaturës së lartë komuniste!? Aq sa, po të përmendeshin vetëm mbiemra të dedikuar, pra të origjinës, kur ata rreshtohen para ndërtesës së qeverisë, do të kujtonim se përsëri ka një Byro Politike në krye të këtij vendi fatkeq. Si ka mundësi, pra, që energjia kundër diktaturës e fillimit të viteve 90 të ndahej përgjysëm me pinjollët e diktaturës që mbijetojnë sot edhe pas tridhjetë vitesh!? Përgjigja se kishim të bënim me një front, prandaj, është e gabuar. Ajo nuk mbështetet te e vërteta. Më cinikët rezervojnë një përgjigje tjetër për pyetjen. Përgjigja është kjo: shqiptarët i kanë ndarë votat e 92, sepse vuajnë sindromën e Stokholmit! Ose, me fjalë të tjera, shqiptarët kanë rënë në dashuri me persekutorët e tyre të dikurshëm dhe vetëm kështu mund të spjegohen votat për ta. Qartësisht, megjithëse nuk janë të paktë zvarranikët e kafeneve që e sjellin rrotull këtë përgjigje në variantin se “shqiptarët janë një popull i majtë”, kjo është gjithashtu një përgjigje e gabuar, sepse nuk spjegon dot, të paktën, përpjekjet e pafund të shqiptarëve në luftë me armiqtë e lirisë. Atëhere, a ka një përgjigje për këtë pyetje që do të mund të mbështetet mbi të vërtetën?
* * *
Përgjigja nuk mund të vijë nga analiza të pjeshme, as nga ndarja e tridhjetë viteve në “kohë të PS” apo “në kohë të PD”. Çdo copëzim prodhon një gjysëm të vërtetë. Nëse i shohim të tridhjetë vitet një copësh (in one piece) do të mund të konstatojmë se PD humbi energjinë politike të fillimit të viteve 90, sepse përdori sistemin e vjetër politik të Shqipërisë për të zgjidhur problemet e reja të tranzicionit demokratik. Në të gjitha pikpamjet! Autoritarizmi i mori frymën meritokracisë dhe konkurencës, çka solli sundimin e demokratëve të gabuar dhe largoi demokratët e vërtetë; sistemi universitar ruajti të nëjtën strukturë dhe të njëjtin mentalitet, çka prodhoi jo profesionistë dhe të rinj të papërgatitur për demokraci; sistemi ekonomik nuk e zëvendësoi ekonominë e centralizuar (the centralized oriented economy) me ekonominë e tregut (market oriented economy), por me një gjendje hibride ku sundojnë forcat jasht tregut dhe oligarkët; degradimi moral i shoqërisë diktatoriale u zëvendësua me moralin amorf të një shoqërie që nuk e ka as idenë se ku po shkon. Të gjitha këto ishin të mjaftueshme për t’i larguar qytetarët e këtij vendi nga PD. Ja pse, pavarësisht fitoreve pjesore, në fund të tridhjetë viteve PD është humbëse, integralisht, dhe vetëm e vetëm sepse shpërdoroi energjinë që shqiptarët i dhuruan në prag të tranzicionit dhe nuk e përdori atë për të reformuar realisht sistemin e trashëguar. Dhe ja ku jemi sot: një demokrat i gabuar në krye të PD, dy tri njerëz që vijnë vërdallë tij dhe i përgatisin fjalime, një zyrë e fshehtë për të bërë pis kundërshtarët brenda partisë; dhe në fund Shqipëria, që sikur të mos kishte ndodhur asgjë në tridhjetë vite, përsëri nuk është gjë tjetër veçse një lodër në duart e familjeve të mëdha komuniste. Ndërsa në ajër, sëbashku me covid-19, shpërndahet mallkimi i sindromit të Stokholmit.