Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha para mediave se kriza energjetike nuk ekziston, por është keqmenaxhim. Sipas tij, në këtë situatë qeveria kërkon të mbushë arkën duke ia lënë barrën qytetarëve.
Kreu i Partisë Demokratike, reagoi menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se qeveria ka shpallur krizën energjetike dhe të shtunën do të prezantohet plani për të përballur këtë situatë. Basha mohoi krizën, duke theksuar se bëhet fjalë për krizë korrupsioni, keqmenaxhimi, me shkak dhe me plan. “Kur tellalli i të keqes doli për të nxitur frikë dhe ankth ishte shtimi i kushteve të presionit te njerëzit, për atë që ai planifikon të bëjë, rritjen e çmimit të energjisë. Sot foli jo si një kryeministër, por si një avokat i klientëve me të cilët po ndan si plaçkë dhe resurset. Nuk ka asnjë paralelizëm mes asaj që po ndodh në Shqipëri dhe situatës së përkohshme në Europë. Edhe përpjekje për t’i qarë hallin kalorësit, për të justifikuar atë që ai ka në plan të bëjë me çmimin e energjisë është një teatër mashtrimesh, për t’iu gënjyer, për të bërë të duket se rritja e çmimeve është e pashmangshme”, është shprehur Basha përballë gazetarëve. Ai tha se kjo nuk është krizë energjetike por keqmenaxhim. “Në fakt, nuk është kështu. Nuk është një krizë energjetike, por një krizë korrupsioni, keqmenaxhimi, me shkak dhe me plan. Ne verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji dhe e blejnë me 3 apo katërfish pak muaj më vonë në tendera korruptive. E kam thënë se OSHEE dhe KESH janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion”, u shpreh Basha. Për kreun e opozitës, “Rama do ta përdorë këtë fatkeqësi njësoj si fatkeqësitë e tjera për të mbushur gropat që ka hapur në buxhet”.
Naftë kontrabandë
Në konferencën e djeshme, lideri i opozitës Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë gjatë konferencës për median. Ai është shprehur se në Shqipëri, 30% e karburantit që përdoret futet kontrabandë. Për këtë, Basha tha se ka informacion të besueshme nga brenda mbledhjes së Ramës. “Siç është bërë e qartë dhe në mbledhjen nga sot doli Edi Rama, sipas burimeve të besueshme, rezulton se 30% e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë. 30% hyn kontrabandë. Sigurisht që humb shteti, humbin qytetarët. Ky ka qenë një moment qetësie, apo heshtje e madhe e pjesëmarrësve në atë mbledhje, sepse të gjithë e dinë që është fakt”, tha Basha. Kryedemokrati ka ngritur edhe pikëpyetje se përse ndodh kontrabanda. “Pyetja është pse ndodh kjo? Si ka mundësi që 1/3 e karburantit hyn kontrabandë? Nuk paguan as taksë, as akcizë, qindra milionë euro që nuk futen në arkën e shtetit, as rritje pensionesh, pagash. Ku shkojnë këto para?”, tha kreu i demokratëve. Ai tha se që prej ditën së mërkurë PD ka nisur hartimin e një kallëzimi që do e çojnë në SPAK. “Po ju njoftoj se prej ditës së djeshme PD ka nisur hartimin e një kallëzimi që do ta depozitojë në SPAK”, tha Lulzim Basha, pasi tregoi se të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje kanë mbetur pa fjalë kur kanë dëgjuar këtë fakt”, tha Basha.
Protestat
Kryetari i PD-së deklaroi se protesta e organizuar pak ditë më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombi” kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike ishte thirrur nga qytetarët. Mes të tjerash Basha tha se PD nuk fshihet, ka thirrur dhe do thërrasë protesta. Madje Basha paralajmëroi se PD do të thërrasë protesta edhe më të mëdha, që sipas tij nuk ka njohur ky vend. “E keni parë pjesëmarrjen e PD në protestë. Jo si politikanë, por si qytetarë. Keni parë dhe korrigjimin e bërë në njoftimin e shtypit të bërë nga një ambasadë e një vendi partner. Kur thërrasim protesta, nuk fshihemi pas askujt. Ne do të thërrasim protesta më të mëdha siç nuk ka njohur ky vend. Nuk është çështje partie, por kombëtare, qytetare. Ne jemi të lumtur që qytetarët kanë nisur aktivizimin. Çdo akt provokativ do të bëjmë gjithçka për ta shmangur, pasi nuk ishim ne që e çuam atë flamur atje. Ne do të mbështesim me çdo mënyrë dhe formë. Për këtë mos të keni as më të voglin dyshim. Në fushën e ligjit, teknologjisë dhe informacionit, integrimin europian, PD disponon potencialet njerëzore, profesionale, ekspertët më të mirë”, tha ai.