Shpendi Hulësi Topollaj, personalitet i shquar i letrave shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Dhimitraq Thoma Trajani

Kush nga ata që e ka njohur në fillimet e viteve gjashtëdhjetë, nuk e kujtojnë atë skënderbegasin, kur lexojnë botimet tij; atë djalë të shkathët, që reflektonte sjellje dhe edukatë shembullore dhe me vullnet të spikatur për të mësuar, me pasionin e veçantë për librin artistik. Sigurisht, ky nxënës i ekselencës në atë shkollë elitare të arsimimit tonë të mesëm, nuk mund të mos i tërhiqte vëmendjen mësuesve (që duhet thënë se ishin të përzgjedhur për atë institucion), ku pavarësisht nga uniforma ushtarake, në bazën e programit mësimor ishin lëndët e kulturës të përgjithshme. Në portretin e Shpendit, ata vinin re me kënaqësi se po formohej dhe rritej personaliteti i një adoleshenti me të ardhme, i cili “shokun” më të ngushtë kishte librin. Në bangën e Shpendit, pranë teksteve të fizikës, kimisë, algjebrës e shkencave të tjera të natyrës; librave të gjuhës, metrikës, historisë, gjeografisë, por edhe të disa lëndëve të tjera: psikologjisë, darvinizmit, astronomisë, që nuk dihet pse disa nga këto shkenca janë hequr nga kurrikulat e shkollës të mesme?! Po përkrah atyre teksteve do shikonje edhe romane, novela dhe tregime, shumë tituj të kryeveprave botërore, të përkthyera dhe të botuara në fillim të viteve gjashtëdhjetë: vepra e Homerit, “Komedia Hyjnore” e Dantes, “David Koperfildi” i Dikensi; “Të Mjerët” e Hygoit; “Saga e Forsajtve” e Gollsuorthit; “Lufta dhe Paqja” i Tolstoit, “Doni i Qetë” i Shollohovit, “Shpirtrat e vdekura” të Gogolit, novelat e Çehovit, tregimet e Gorkit dhe veprat të shkrimtarëve të tjerë të shquar. Por në zgjedhjen e librave nga Shpendi, dukej se tek ai sikur kishin përparësi poezitë e Pushkinit, Gëtes, Lermontovit, Majakovskit, Shevçenkos, dhe Eseninit; ku Shpendi në diskutimet me shokët e rrethit letrar e përmendte poezinë e fundit të tij: “Lamtumirë shok”. Por nga viti i katërt i shkollës, nën suprinën e bangës të Shpendit, mundet të gjeje edhe ndonjë “libër të fshehur”, që pas botimit ato ishin të ndaluara! Natyrisht, ky gjimnazist i apasionuar pas librit, nuk mund të mos kishte kuriozitet pse ato libra ishin hequr nga qarkullimi dhe ku qëndronte “ndikimi” i tyre?! Paradoksalisht, kur ishte oficer, pse lexonte një libër të tillë provoi kalvarin e gjatë të ndëshkimeve. Nuk e teproj kur them se banga e klasës dhe komodina personale e Shpendit ishin një mini bibliotekë me libra të lexuara ose që “prisnin” të shfletoheshin sa më parë prej tij.
Para ca kohe, dëgjova me interes, në një Stacion Televiziv Kombëtar, intervistën e një shkrimtari tonë të njohur, sigurisht edhe mjaft i lexuar. Ndërmjet të tjerave, më tërhoqi vemendjen një shprehje, që me afërsi po sjell përmbajtjen e saj: mbas disa botimeve, u shpreh ai, vijnë dhe kufizohen idetë dhe frymëzimet krijuese dhe mundet që shkrimtari të përsërisë veten! Nuk marr përsipër të shfaq ndonjë mendim rreth atij pohimi, dhe për më tepër të pretendoj se gjykimi im është i pakontestueshëm, përpos asaj që ajo nuk mundet të jetë një dukuri e përgjithëshme në krijimtari. Dhe gjatë dëgjimit të asaj interviste, më shkoi mendja te krijimtaria shumëplanëshe e Shpendit, çka e dëshmojnë edhe disa libra të shkruara për të dhe krijimtarinë e bollshme të tij. I formuar me një kulturë të gjërë dhe me përvojë jetësore e të pasur; të cilat kanë qënë “krojet” ku ai ka “freskuar shpirtin e mendjen”, ka marrë forcë dhe imagjinata e tij krijuese. Tashti, pas shumë viteve që e kam njohur Shpendin dhe leximit të botimeve të tij, pyes veten: cili ka qënë ai “profet” i asaj foshnje të lindur më 14 shkurt të vitit 1947, në ditën që nderon ndjenjën më të pastër njerëzore, dashurinë, do i vinte atij emrin Shpend, duke parashikuar se ai do “fluturonte” me shpejtësi në kohë, deri në hapësira të largëta, dhe do ndalte fluturimin përpara tempujve të Trojës, Athinës, Romës të Lashtë, piramidave të Egjiptit, etj.; për të lexuar poemat e Homerit, Eskilit, Aristofanit, Pindarit dhe krijuesve të tjerë të letërsisë klasike greke; për t’u kthyer përsëri në Romë, te panteoni i Virgjilit, poetit më të madh romak; për të lexuar prozën e mjeshtrit të madh latin, M. T. Ciceronit dhe poezinë e Catulusit. Duke lexuar romanet, përmbledhjet me novela dhe tregime të Shpendit, nuk mund të mos të shikosh dhe të ndjesh “penelin” me të cilin ai pikturon bukuritë e fshatit, me ngjyrat më të impresionuese që natyra nuk ja ka kursyer atij. Ai me një mjeshtri krijuese artistike, duket sikur ka hedhur në një fletë pentagrami, “simfoninë” e papërsëritshme të zërave të gjallesave të tij, në atë sfond natyror plot gjelbërim dhe lule me ngjyra mahnitëse! Por asaj bukurie natyrore, Shpendi nuk ja “fsheh” ndjenjat e dashurisë që frymëzon ajo natyrë e qetë. Kur lexon krijimtarinë në prozë dhe poezi të Shpendit, s’mund të mos konstatosh se ai është një shkrimtar me horizont të gjërë kulturor dhe njohës i “enciklopedisë” letrare. Njohës i përsosur i psikologjisë njerëzore dhe që kurrë nuk i shterron dashuria për kolegët dhe krijimtarinë e tyre. Nuk mendoj se gaboj kur e cilësoj Shpendin, si një studjues të vëmendshëm të historisë të letërsisë, sidomos asaj klasike. Dhe njohuritë e tij ngjizen më tej nga leximi i krijimtarisë në prozë, përpos atyre emrave të shquar që përmenda më lart, sidomos i dramave të Shekspirit, dy kryeveprave të Stendalit, “Manastiri i Parmës” dhe “E kuqja dhe e Zeza”; “Zherminal” të Emil Zolas; “Zonja Bovari” të Floberit; “Martin Iden”, të Xhek Londonit; “Dhe Yjet rrinë e vështrojnë” të Arçibald Kroninit; novelat e Gi De Mopasanit, S.Cvajgut, Lu Sinit dhe të shumë veprave të tjera nga letërsia ruse; nga Turgenjevi, apo Fjodor Dostojevski, në veprat e të cilit, nëpërmjet personazheve, pasqyrohet një studim psikoanalitik i logjikes njerëzore, e vlerësuar nga bindjet politike dhe gjendja sociale në Rusinë e asaj kohe. Dostojevski vlerësohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe me shumë influence. Shtova diçka më shumë për këtë krijues, duke qënë i mendimit se Shpendi, në krijimtarinë e tij, ndofta është ndikuar nga Dostojevsjki, sidomos në esetë e pafund të tij. Për të gjitha këto, flasin qartë 27 librat me kritike letrare dhe sidomos “Dante… e të tjerë” dhe “Shenjtorët e librave”. I frymëzuar prej këtyre veprave të zgjedhura, Shpendi ka arritur të ndërtojë një profil letrar të spikatur, dhe të krijojë vepra letrare të kërkuara nga një numur gjithmonë në rritje i lexuesve brenda dhe jashtë vendit, tashmë të përkthyera edhe në disa gjuhë të huaja, ku dallojnë romanet madhore të tij “Mashtruesi”, “Lotët e zambakut”, “Pushkatimi”. “Unë kam qenë në mat`hauzen”. “Zhgënjmi i partizanit të Gramozit”, “Pajtimi” etj. Poezia “është si një zog”, që s’njeh kufi. Dhe Shpendi nëpëmjet studimeve të thelluara që në rininë e tij, ka përvetësuar filozofinë racionale që transmeton letërsia dhe që e karakterizon atë, e shprehur me disa fjalë shumë kuptimplota: “poezia e mirë mund të lindë vetëm nga dhimbje të mëdha”. Dhe kjo ështe vërtetuar, ndërmjet të tjerëve, edhe nga poetët më të shquar rusë: Aleksandër Pushkin, Mihail Lermontov, Sergei Esenin, Vladimir Majakovski dhe poeti hebre Osip Mandelshtam. Dhe, me gjithë madhështinë e tyre, i dhanë fund jetës tragjikisht! Sepse ata “kapërxyen” kufijtë e skematizmit dhe shabllonet morale të kohës”. Bijen në sy në krijimtarinë e Shpendit, referencat ndaj personaliteteve të shquar në filozofi, arte, letërsi dhe në fusha të tjera të jetës njerëzore, duke shkuar deri në lashtësi, për të na sjellë idetë e Aristotelit, Senekës, Lukianit, Virgjilit, Tuqiditit, Solonit, Horacit, Plutarkut dhe të mendimtarëve të tjerë, aq të vërteta, sikur ato të jenë shkruar për kohët tona. Dhe dëshiroj të shpreh mendimin se ato nuk sillen si artifica, por si “aksioma sociale të vërtetuara”; ato janë përdorur nga Shpendi si “prizma”, në formën e trupave gjeometrikë të ndryshme, që të emetojnë dhe të qartësojnë dritën që buron nga krijimet e tij. Mbi dymijë vjet më parë ka shkruar këto vargje Soloni:
…Ka të liq kamës e të mir’ të varfër
Veçse virtytin, jo, me pasuri
kurrë s’e ndrroj; se njëri rron nga herë,
dhe tjetri na kalon dorë më dorë.
Dhe kush mundet të thotë se këtë thënie klasike, nuk i ka mësuar shumë më vonë kompozitori më i madh në historinë njerëzore Bet`hoveni? Ai që vdiq në varfëri të plotë, në një dhomë të errët dhe plot lagështi. Dhe dritën që i mungonte asaj dhome, në natën e 7 majit të vitit 1827, ja dhuroi natyra, me atë shkrepëtimën e fuqishme, si “muzikë lamtumire” që paralajmëronte se ai që i dhuroi njerëzimit “Simfoninë e Nëntë”, “monumentin” më të lartë të krijimtarisë të tij, po “fluturonte lart në qiell”, për të mbetur i përjetshëm atje lart. Ai vdiq i varfër, ashtu si edhe Moxarti dhe Berliozi; por duke lënë një mezash moral të paçmuar, kur i drejtohet vëllezërve të tij: “Thuajuni fëmijëve tuaj, të kenë virtyte, se jo paraja, por virtyti e bën njeriun të lumtur. Këtë e them nga përvoja ime, virtyti ma ka ngritur shpirtin peshë kur kam qënë i dëshpëruar”. Dikush mundet të pyesë çfarë lidhje kanë këto referenca me protagonistin e shkrimit tim? Sigurisht përgjigja do të ishte: Një jurist me pëvojë të vlerësuar, me një numër të madh botimesh, rreth shtatëdhjetë të tilla, në shqip dhe në disa gjuhë të huaja, bën një jetë modeste, në një apartament fare të vogël dhe gjithmonë udhëton me mjetet e transportit publik! Dhe është fitues i çmimit të madh “Pushkin” nga LSHA e Rusisë dhe para pak ditësh Presidenti i Republikës i akordoi titullin “Naim Frashëri”. Po ja që duhet të përsëritet ajo shprehja e një filozofi të lashtë: Kur pasuria shkon e përfundon tek ata që nuk shquhen për mend!” Dhe mos u çuditni kur lexoni në shtypin e kohëve të sotme, akoma më shumë, “Miliarderët analfabetë”! Dhe kur lexon: Balzakun, Gollsuorthin, Dostojevskin dhe shumë krijues të tjerë që “kanë vënë dorën mbi plagët sociale”, do bindesh se në referimet e Shpendit, tek ata “gjen dritën” për të iluminuar dhe për të reflektuar në veprën e tij. Sigurisht, atë dritë që ai e reflekton të pastër, pa “njolla të errta, përthyerje dhe deformime”, që mund ta projektojë vetëm një shkrimtar me horizont të gjërë kulturor në gjithë spektrin e saj dhe me botë të pasur shpirtërore. Dhe Shpendi ja ka arritur këtij qëllimi që nëpërmjet tyre ai sikurse thamë, ka freskuar shpirtin dhe ka rritur fantazinë krijuese. Nëpërmjet leximit të veprës të Shpendit, në prozë, poezi, dramaturgji, kritikë e publicistikë nuk e ke të vështirë të kuptosh se krijimtaria e tij s’ka kufi. Ai ka kapërcyer kornizat e skematizmit; vepra e tij është një galeri me personazhe jetësorë, ashtu si ato shfaqen midis nesh. Ai nuk e shikon jetën jashtë realitetit; e çmon dashurinë, ndjenjën më të fuqishme njerëzore, por nuk hesht ndaj padrejtësive. Kush nuk mund të mos preket kur lexon një nga romanet e tij “Luan i Kafazit”, kushtuar gjeneral Abaz Fejzos, studentit të shkëlqyer të Akademisë “Frunxe”, që përfundoi në burgun e Burrelit; kur ajo fanellë që vajza e tij e kish thurrur duke e “larë me lot”, për ta mbrojtur nga i ftohti i atij burgu, do gjendej si mbrojtëse e eshtrave të tij! Shpendi, në veprën e tij, ndërmjet të tjerave, dënon intrigën, xhelozinë, përgojimet dhe çdo “virus” që e sëmur atë. Kur lexon tregimin, “Meditim për një profil të bukur”, nuk mund të mos e çmosh atë tregim për përshkrimet aq të bukura romantike të natyrës të fashatit, simfoninë e zërave të magjishëm që dëgjohen aty, si një kolanë zanore e atij peizazhi mahnitës plot ngjyra. Dhe në atë tregim, duket sikur “reciton” poemën e Pushkinit, të titulluar “Fshati”, aq shumë të dashuruar pas tij. E në atë “magji” të natyrës, lindi edhe një dashuri, por që ajo “nuk mori jetë”, mbeti si një ëndërr, ndaj një vajze të re, që fati s’i kish buzëqeshur, dhe e kishte dënuar të vuante ndjenjën e xhelozisë të burrit të saj. Duke lexuar kritikën letrare të Shpendit, nuk mund të mos konstatosh se ajo është realiste, e sinqertë, e shprehur me gjetje elokuente dhe mbi të gjitha inkurajuese. Natyrisht “në një kopsht plot lulëzim, që shkëmbejnë ndërmjet tyre, me anën e bletëve që qëndrojnë mbi petalet e porsa çelura, nuk ka asgjë të përbashkët me kritikën denigruese të atyre “kritikëve”, që nuk kanë shkruar as “dy vargje”, që ngjasojnë me ata që përpiqen të hedhin nota muzikore në partitura, kur në jetën e tyre nuk kanë prekur një instrument muzikor dhe s’kanë “rrëshqitur” asnjëherë gishtat mbi suprinat dhe tastieriet e tyre. A nuk i ngjajnë këta pseudokritikë, asaj peme, të vetme që në degëzat e saj s’janë parë ndonjëherë lule dhe s’kanë qëndruar asnjëherë bletë, që dinë vetëm të “numurojnë” lulet që bijen nga ndonjë ngricë e vonuar apo kokrrat që shkëputen të infektuara nga insektet; pikërisht si ajo pema helmatisëse “Anchar” e Pushkinit, te poema e tij me të njëjtin emër. Dhe në fund disa rreshta për Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Nuk ka asnjë dyshim se uniforma e nxënësve të saj, ishte dizenjuar sipas modelit të shkollës ushtarake ruse “Suvorov”. Por çfarë frymëzonin tek ata adoleshentë, në ato fytyra simpatike e plot shëndet, ato shiritat e kuq në pantallonat e tyre dhe në spaletat me sfond të kuq, ku ishin të vendosur dy gërma kapitale “S K”. Kush ishte ajo shkollë “ekselente” që për shumë vite me radhë zinte vendet e para në të gjitha konkurset kombëtare që zhvilloheshin ndërmjet shkollave të mesme? Po! Ajo ishte “Shkolla e Gjeneralëve” të ardhshëm të Shqipërisë që drejtuan ushtrinë tonë. Dhe nuk është fjala vetëm për gradat ushtarake, me të cilat ajo simbolizohet. “Gjeneral” me disa yje është edhe protagonist i këtij shkrimi Shpendi, ashtu si shumë “Gjeneralë” të tjerë që gradat i kishin në bisturitë e sallave të operacioneve, në shkencat inxhinierike dhe të natyrës, “gjeneralët” e sporteve, që e kanë nderuar Atdheun tonë kudo në botë; e juristëve, gazetarëve dhe publiçistëve të shquar; të shërbimin inteligjent, “Heronjtë e heshtur”, të edukuar dhe të rritur në atë shkollë, që zotëronin disa gjuhë të huaja; të aftë të komunikonin në çdo vend të botës. Por që fatkeqësisht, tani disa njerëz përpiqen t’i denigrojnë ata atdhetarë idealistë, duke i krahasuar me jeniçerët. Turp! Letë jetë ky dedikim për Shpendin, një nga urimet më të mira në rrugën e pandalshme të krijimtarisë së tij letrare, gjithmonë me dëshirën për t’i shtuar “shportës të tij krijuese” që na ka dhuruar, lule të tjera po kaq të bukura!

Të fundit

Qeveria e Kosovës miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës, kush përfiton

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta...

Dhunuan bashkëshortet, dy të arrestuar në Korçë

KORÇË- Në Korçë janë arrestuar dy persona të cilët akuzohen për dhunë në familje. Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve është një 31 vjeçar, banues në...

Shtohen rastet e virozave respiratore, raportohe një mesatare prej 150 rastesh të tilla

Ditët e para të muajit janar, të shoqëruara me luhatje temperaturash, kanë rritur ndjeshëm rastet e virozave respiratore në Spitalin Rajonal të Fierit. Është dyfishuar...

Këngëtarja shqiptare me maskë tregon gjendjen në Los Angeles/Po jetojmë brenda një oxhaku

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram gjendjen alarmante në Los Angeles pas zjarreve masive që...

Kultivimi i kanabisit mjekësor/ Qeveria miraton rregullat dhe kriteret e licensimit

Qeveria ka miratuar kriteret për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për arsye mjekësore. Sipas vendimit të këshillit të ministrave, bima narkotike mund të mbillet...

Lajme të tjera

Web TV