Kapërxeu gardhin dhe iku. “Ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Nuk e tradhtoj kurrë këtë popull dhe atdheun, edhe pse emigroj larg”, thuhej në letrën e tij, të lënë në postën greke të policisë kufitare, që u dorëzua pas arratisjes së tij nga Shqipëria, në vitin 1969…
…Bilal Xhaferri cilësohet si një ndër shkrimtarët e suksesshëm të viteve ’60 në Shqipërinë komuniste. Vinte nga një familje patriotike. Në vitin 1943 mbeti jetim nga nëna në moshën 8-vjeçare, bashkë me tri motrat e mitura. Dy vjet më vonë, në moshën 10-vjeçare, regjimi komunist i pushkatoi të atin, Xhaferr Hoxhën.
Bilal Xhaferri punoi qysh në moshë të mitur për të ushqyer veten dhe motrat bashkë me gjyshin e tyre të verbër. Regjimi komunist u kishte sekuestruar gjithë pasurinë e, gjithsesi, ata duhet të mbijetonin. Jeta e tij në fëmijëri dhe më pas në rini është shumë e vështirë. Megjithatë, ai ia del të mbarojë arsimin e mesëm dhe të angazhohet si një ndër shkrimtarët më të mirë të viteve ’60. Por ai ishte biri i Xhaferr Hoxhës, i cili ishte pushkatuar si “armik i popullit” dhe për këtë arsye do të përndiqej pa pushim nga regjimi komunist, përmes mekanizmit më të tmerrshëm, Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1969 Bilal Xhaferri vendos të arratiset, pasi kishte kuptuar se do të burgosej së shpejti. Para se të largohej, ai la një letër në të cilën shpjegon arsyet e arratisjes.
Më poshtë botohet letra e Bilal Xhaferrit, më 30 gusht 1969, para se të kapërcente muret e diktaturës drejt botës së lirë. Letra gjendet në dosjen që Sigurimi i Shtetit kishte hartuar për Bilal Xhaferrin gjatë kohës së përndjekjes së tij.
“Më zhdukët për së gjalli si letrar”
Letra para arratisjes 30 gusht 1969
“Ju më dëbuat. Jam vënë në gjendjen e një njeriu që i mbetet vetëm një gjë, të hidhet nën rrotat e trenit dhe tani duke luftuar me jetën e me vdekjen, po provoj të ekzistoj akoma i gjallë dhe të arratisem, gjë që më duket njëlloj, sikur hidhem në rrotat e trenit. Nuk jam implikuar në asnjë çështje politike, me asnjë lloj fuqie të huaj, në asnjë organizatë, me asnjë lloj personi. Po ndjek fatin tim të hidhur. Unë jam një njeri që kam dhënë prova se e dua këtë vend, e dua këtë popull dhe u përpoqa të bëj në jetë, duke u përpjekur në fushën letrare, në kushtet më të vështira. Sa për një gabim timin taktik, por pa qëllim të keq, ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Sidoqoftë, përsëri unë do të mbetem ai që isha, një njeri që e do deri në fund popullin dhe atdheun e vet dhe nuk tradhton kurrë këtë popull e atdhe, edhe pse mund të emigrojë larg. Kuptohet, për largimin tim përgjigjem vetëm unë. Asnjeri tjetër nga njerëzit e mi, nga farefisi im, nga miqtë dhe shokët e mi nuk ka dijeni dhe nuk mund të jetë fajtor për çështjen time. Për mundësitë praktike të arratisjes, u detyrova të bëj me vete vetëm një njeri, Selfo Haxhiun. Ai braktisi familjen vetëm sepse mendon se po të arratisem unë, patjetër do të arrestohet, mbasi organet e sigurimit të shtetit do të kuptojnë që jam arratisur me ndihmën e tij”.
Survejimi i shkrimtarit
Por ja çfarë thuhet në materialin e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991: Bilal Xhaferri u vu në përpunim 2/B në dhjetor të vitit 1963. Në prill të vitit 1964 kaloi në përpunim 2/A, për t’u survejuar për 23 vjet me radhë, në vend dhe jashtë tij, në SHBA, ku u vendos pas arratisjes në Greqi, në vitin 1969. U mor në përpunim aktiv si i dyshimtë për veprimtari të organizuar armiqësore. Po kështu u hetua dhe u përndoq rrethi tij miqësor. Babai tij, Xhaferri, (në kujtim të të cilit ai mban mbiemrin) u pushkatua nga partizanët, se ishte me Ballin Kombëtar. Sipas raporteve, Xhaferr Hoxha, u konsiderua si “shtresë e pasur fshatare, se kishte tokë e blegtori” dhe se “ka luftuar me armë në dorë kundër partizanëve”. I mbetur jetim, Bilalin e rriti gjyshi, në Markat të Sarandës. Të dhënat e raportuara tregojnë se Bilali u detyrua të bëjë punë të rënda, por lexonte shumë dhe merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve në qytetin e tij. Për shkak të biografisë u vu në përpunim 2/B. U survejua ngado, edhe në Rrëshen, ku u njoh me Musine Kokalarin, e internuar. “Do t’i bëhet kontroll postar për të parë karakterin e tij me elementin armik, si Musine Kokalari… e të tjerë të internuar në Rrëshen, me të cilët objekti ka pasur lidhje të ngushta para se të vinte ushtar,” thuhej në planin e masave agjenturore-operative. Në një letër që i shkruante mikut të tij, Xhaferri shprehte vlerësimet për Musine Kokalarin. Në raportet e survejimit thuhej se “Musine Kokalari vepron si konsulente letrare, duket se marrëdhënia mes tyre është normale dhe Bilali kërkon mendimin e saj për gjërat që shkruan. Marrëdhëniet janë të kufizuara, pasi Musineja rri e izoluar”. Deri dy ditë para se të arratisej, shkrimtari Bilal Xhaferri punoi në sektorin e fermës “8 Nandori” Sukth, punëtor në brigadën e vreshtave, ku u transferua pas debatit të hapur në Lidhjen e Shkrimtarëve. Në postën greke të policisë kufitare ku u dorëzua, ai la një letër ku deklarohej “se nuk ishte fajtor dhe se e donte atdheun e tij”. Përndjekja e Bilal Xhaferrit vijoi edhe gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Në dosje ka elemente të shumta që hedhin dritë në dinamikat e jetës së tij në atdhe, ku u dënua nga sistemi dhe u survejua, po ashtu jashtë tij, ku u ndoq deri kur mbylli sytë në vitin 1986. Dosja u arkivua më 10.04.1987, me vlerë studimi. Fashikulli 2/A nr. 98 është deklasifikuar nga AIDSSH-ja.
Tregimi që vinte në lojë Lidhjen e Shkrimtarëve
“Bredhi i bukur në oborrin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte mbushur me sorra. Ato krokëllinin në mes të ditës, me të thirrura si ca ustallarë që s’ndërtojnë asgjë, ngriheshin e uleshin nëpër degë, fluturonin duke zëvendësuar njëra-tjetrën, largoheshin dhe ktheheshin përsëri”, kështu nis tregimi i shkrimtarit Bilal Xhaferri, kushtuar Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, gjatë regjimit komunist. Janë disa krijime të tij, të pabotuara, që ishin sekuestruar nga Sigurimi i Shtetit, gjatë kohës kur po i përgatitej dosja për ta arrestuar. Në dosjen e survejimit të tij nga Sigurimi, vërtetohet se njëri nga bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe njëkohësisht pjesë e të njohurve të Bilalit, ishte caktuar të merrte fletoren me dorëshkrime, të cilën ia kishte dorëzuar më pas operativit. Dorëshkrimet u cilësuan si me përmbajtje të dyshimtë, ndaj u fotokopjuan nga Sigurimi i Shtetit. Një prej tyre është edhe tregimi për “Lidhjen e Shkrimtarëve”.
Është një ndër materialet ku duket më qartë përçmimi dhe neveria për Lidhjen e Shkrimtarëve, bashkë me ndjenjën e persekutimit që kishte ndier e po ndiente nga institucionet e diktaturës, ku ishte pjesë edhe Lidhja.
E kam fjalën për ty!
Në dorëshkrimet e shkrimtarit Bilal Xhaferri, i survejuar nga Sigurimi i Shtetit, të sekuestruara nga regjimi, ishte edhe vjersha me titull “E kam fjalën për ty”. U drejtohej poetëve të asaj kohe që ishin rigorozë në respektimin e vijës së partisë dhe u thurnin lavde heronjve të rremë.
Gjatë kohës kur Lidhja e Shkrimtarëve po i bënte “gjyqin”, analiza e kësaj vjershe do të ishte pa dyshim pjesë e diskutimit dhe e demaskimit të Bilal Xhaferrit. Lidhja e Shkrimtarëve i dërgoi një letër organeve të Partisë e të Sigurimit të Shtetit ku akuzohej shkrimtari Bilal Xhaferri me tendenca kundër vijës së Partisë.
“Vjersha e Bilal Xhaferrit: E kam fjalën për ty” është e mbushur me aluzione ndaj poezisë tonë të sotme dhe kërkesave që i shtrohen asaj nga partia, si dhe me ndonjë aluzion direkt ndaj ndonjë poeti të sotëm shqiptar, të gjitha këto në formë kritike dhe gjoja nga pozitat e klasës punëtore, në të cilën autori e konfondon veten. Në të tillë mënyrë flasin për poezinë tonë revizionistët të cilët e luftojnë kërkesën për një art që t’i përgjigjet flakë për flakë realitetit. (Para pak kohësh, Radio Moska, duke bërë një koment mbi ekspozitën tonë të arteve figurative të rreme aktuale që u bë në janar 1968, përpiqej të provojë se kërkesa “flakë për flakë” është shkatërrim për artin. Në pjesën e dytë të vjershës duket se ka një aluzion direkt për poezinë e Ismail Kadaresë, në mos edhe të ndonjë poeti tjetër, kur flet për poema që “hapen si panorama të mbuluara me male, epike”.
Epilogu
Më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria për në Greqi. Më 1970, shkoi në SHBA, në Boston ku deri më 1972 punoi në gazetën “Dielli”. Më 1974 u vendos në Çikago ku themeloi revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame të cilën e drejtoi, botoi dhe redaktoi për 39 numra në dy gjuhë, shqip e anglisht. Në 14 tetor të vitit vitin 1986 vdes në Çikago.
Më 3 maj 1993 Presidenti i Republikës Sali Berisha e dekoroi si “Martir i demokracisë” me motivacionin “Për përkushtim si publicist e politikan disident në luftën kundër komunizmit e diktaturës, për aspiratat e tij thellësisht kombëtare e demokratike”.
Presidenti Bamir Topi i dha titullin “Nder i Kombit”
Më 6 maj 1996 shkrimtari Shefki Hysa, drejtues i OJQ Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare inicoi dhe organizoi ceremonialin e rikthimit në Atdhe të eshtrave të Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.
Përgatiti për botim: L.Veizi