“Freshman”, operacioni që i hoqi nga dora Hitlerit bombën atomike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Operacioni filloi më 18 tetor 1942

Fragment i librit “Historia e spiunazhit botëror” shkruar nga autorët Genovefa Etienne dhe Claude Moniquet

Në vitin 1942, në kohën që në SHBA zë fill projekti “Manhatan”, i cili do ta pajisë Uashingtonin me bombën atomike, MI6 britanike zbulon me njëfarë çudie se Gjermania, prej disa vjetësh po punonte në këtë fushë bërthamore dhe se ishte në prag të shpikjes edhe ajo të bombës atomike. Në fakt, shkencëtarët gjermanë të cilët kanë shtënë në dorë uzinën elektro-kimike të Norsk Hidro në Vermork, në jug të Norvegjisë, u kanë dhënë urdhër inxhinierëve të tyre të shtojnë prodhimin e ujit të rëndë, moderator i domosdoshëm për prodhimin e bombës atomike, të përbërë nga deuteriumi dhe oksigjeni. Kështu që shkatërrimi i kësaj uzine, nga ana e aleatëve shtrohet si detyrë parësore.

MI6 i drejtohet menjëherë profesorit Lief Tronstad, ish-drejtori teknik i Norsk Hidros, i cili ishte bërë shef i shërbimeve sekrete norvegjeze në mërgim. Në sajë të njohjes së tij të përpiktë të vendndodhjes së uzinës, ky shton gjithashtu se nuk do të jetë aspak e lehtë për të kryer një punë të tillë: uzina dhe centrali i saj hidro-elektrik janë vendosur në buzë të një gremine 300 metra e qarkuar rreth e rrotull nga male të pakapërcyeshme.

Njeriu i ngarkuar me këtë mision të pamundur quhet Einer Skinerlend. Ky ishte një njeri që kish marrë pjesë në rezistencën norvegjeze, një tip shumë sportiv, si dhe ka cilësitë e nevojshme për të kryer një operacion të tillë: është një skiator i mrekullueshëm dhe një qitës shumë i mirë, dhe për më tepër, e njeh shumë mirë vendin pasi ka banuar për shumë kohë në atë zonë. Më 29 mars 1942, ky agjent hidhet me parashutë nga RAF-i shumë pranë Norsk Hidros dhe arrin të zërë një punë për ndërtimin e një dige e cila kishte si qëllim shtimin e prodhimit të ujit të rëndë. Ai për një kohë të shkurtër arrin të hyjë në kontakt me Jomar Brunin, kryeinxhinieri i uzinës, dhe arrin të ngrejë një rrjet spiunazhi i cili kishte për mision të shtinte në dorë skemat e hollësishme, fotografi të uzinës dhe përreth saj, informata këto që ia transmeton menjëherë Londrës.

Malet e zhveshura të Norvegjisë si dhe përrenjtë e saj të fuqishëm nuk janë aspak të përshtatshëm për një ndërhyrje parashutimi nga ajri. Megjithatë për MI6 kjo ishte zgjidhja më e mirë.

Operacioni, me emrin “Freshman”, do të fillojë më 18 tetor 1942. Katër norvegjezë, njerëz të shkathët të kësaj krahine, parashutohen diku pranë uzinës, me qëllim që të drejtonin me radio dhe me sinjalistikë, planerët komando të sabotimit, të cilët me t’u ulur në tokë, do të sulmonin Norsk Hidron. Por të 40 planerët, për shkak të kohës së keqe, rrëzohen në tokë. Të mbijetuarit dhe të plagosurit do të ekzekutohen menjëherë nga patrullat gjermane.

Pavarësisht nga kjo humbje e thellë, Londra nuk heq dorë nga ideja e asgjësimit të uzinës dhe përgatit një mision të dytë me emër të koduar Gunersaid, të cilin ia beson kolonelit Xhek Uillson, shef i seksionit norvegjez të SOE-së.

Uillsoni përzgjedh 6 veta nga vullnetarët e ushtrisë mbretërore norvegjeze dhe i stërvit ata në mënyrë intensive, duke pasur për bazë makete gjigante të uzinës së Norsk Hidros të përgatitura me imtësi nga profesor Tronstadi. Të gjitha këto përgatitje bëhen në Skoci, në një shkollë speciale. Suksesi i operacionit varet krejtësisht nga planerët. Të ndjekur nga Gestapo që nga dështimi i operacionit Freshman, këta qëndrojnë në një stan në 1400 metra lartësi.

Lexo edhe :  Të rritesh si fëmijë i vetmuar ka disa pasoja: Ja cilat janë më të zakonshmet

Më 16 shkurt 1943, 6 norvegjezët arrijnë të ulen në akullin e mbuluar nga dëbora të liqenit Skryken. Të kapur në befasi nga tufani me borë e me erë, ata kryejnë një distancë prej 45 kilometrash që i ndan nga vendi ku janë fshehur planerët.

Më 27 shkurt, në ora 20’00, 9 burra të pajisur me eksploziv fillojnë zbritjen e këtij shkëmbi të thepisur, duke kaluar edhe një përrua gjysmë të ngrirë, duke u kacavjerrë në një mur shkëmbor prej 152 metrash për të arritur më pas në një rreze prej 150 metrash larg uzinës. Në sajë të skemave të qarta të profesorit Tronstad, ekipi arrin të futet brenda nga kanalizimi i kabllove, i cili i çon drejt e te salla e përqendrimit të ujit të rëndë, ku roja i vetëm i pranishëm, një norvegjez, nuk bën asnjë rezistencë. Eksplozivët vendosen me të shpejtë mbi rezervuarët, në tubacione dhe në makineritë kryesore. Në orën 01’00 të mëngjesit, misioni Gunersaid ndodhet tashmë matanë përroit gjysmë të ngrirë kur shpërthimi ka asgjësuar më shumë se 1 ton ujë të rëndë.

12.000 ushtarë, një divizion komplet i Vermahtit kalon në qilizmë malet në kërkim të sabotatorëve norvegjezë, të cilët pas 400 km ecje kanë arritur në kufirin suedez dhe më pas i janë drejtuar Londrës. Për sa i përket Skinerlandit, ai kthehet në kasollen e tij dhe vazhdon të mbikëqyrë uzinën.

Në Angli, ku mendohej se gjermanët nuk do mund të prodhonin ujin e rëndë të paktën edhe për dy vjet akoma, bëhet festë. Megjithatë, nga fundi i vitit 1943, Skinerlandi njofton se uzina është riparuar dhe ka filluar nga puna. Shtatmadhoria amerikane i jep urdhër armatës së 8-të ajrore që të bombardojë Norsk Hidron. Dëmet janë të mëdha dhe Geringu, i cili në atë kohë ishte ministër i programit atomik, vendos që pajisjet e Norsk Hidros të transferohen në Gjermani.

Në janar të vitit 1944, Skinerlandi njofton se 30 rezervuarë me ujë të rëndë po ngarkohen në një anijen Hidro dhe propozon që ajo të fundoset duke vendosur njërin nga njerëzit e tyre në bord. Të dielën, më 20 shkurt 1944, trageti çan ujërat e liqenit Tinnsjo. Në orën 10 e 45 minuta, dëgjohet një shpërthim i fuqishëm; pesë minuta më vonë, Hidro fundoset së bashku me 53 pasagjerët.

Ky sukses i bujshëm i shërbimeve sekrete britanike, si kurorëzim këtë herë i bashkëpunimit të frytshëm DI6 dhe SOE, të mbështetur nga rezistenca norvegjeze, u jep fund një herë e mirë përpjekjeve të gjermanëve për t’u pajisur në kohën e duhur me bombën atomike. Doktor Kurt Diebner, anëtar i programit gjerman të kërkimeve atomike, është i detyruar të pranojë, pas lufte, se asgjësimi i ujit të rëndë në Norvegji, ka qenë një nga shkaqet kryesore të pamundësisë së realizimit dhe vënies në punë të një reaktori bërthamor para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Të fundit

Zbulohet faktori i ri që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ja për kë bëhet fjalë

Nëse do ta përfytyronit trupin tuaj si një makinë, zemra do të ishte motori. Zemra, një organ muskulor që ndahet...

Njohja e pensioneve me Italinë, nga e hëna drafti diskutohet në komisione parlamentare!

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare. Drafti parashikohet të prezantohet...

Puka dhe Tropoja bëhen bashkë dhe dhurojnë një mbrëmje të paharruar në “Gëzuar me ju”

Në programin “Gëzuar me ju” ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri, me origjinë nga Puka, dhe Arif Dushaj, nga...

Thuajse të gjithë po e lexojnë gabim takimin e Ramës!

Nga Alban Daci Disa e quajnë takim elektoral me patronazhitë që ndoshta është edhe e vërtetë! Disa thonë se Rama e mbushi stadiumin me autobuzë nga...

Shkëmbimet tregtare / Ja ç’po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

Lajme të tjera

Web TV