Shqipëria është gati të shërbejë si vend pritës për një tjetër stërvitje të madhe që do të zhvillohet në vitin 2023. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, vlerësoi kontributin e vendit tonë në NATO. Kjo stërvitje për strukturën Euroatlantike ka edhe rëndësi gjeostrategjike, jo vetëm ushtarake.
Shqipëria do të jetë bazë stërvitore për ushtarakët e NATO-s. Këtë fakt e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në nja konferencë të përbashkët me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. Peleshi siguroi mbështetjen dhe ndihmën maksimale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA për stërvitjen e radhës Defender 23, ndërsa tha se Shqipëria konfirmoi gatishmërinë të shërbejë sërish si vend pritës për serinë e Defender. Ndërsa në fjalën e tij, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral Bajram Begaj u shpreh i sigurt se “Defender Europe ‘23”, përmes aktiviteteve dhe demonstrimit të aftësive të saj do t’u japë kundërshtarëve një mesazh të qartë dhe të fortë parandalimi dhe mbrojtjeje”. Ambasadorja Kim teksa mirëpriti grupin sërish në Shqipëri për një tjetër moment historik në angazhimin e vendit ndaj sigurisë rajonale dhe detyrimeve të NATO-s, theksoi se është mesazh i fuqishëm vendosja e flamujve të vendeve tona krah për krah. Përgjatë muajit Maj të këtij viti u zhvillua në vendin tonë “Defender 2021, një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të NATO-s.
Peleshi: Nismë e rëndësishme
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka konfirmuar gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar kërkesat specifike për të bërë ekzekutimin sa më shpejt. “Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak dhe konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike dhe të përgjithshme për ekzekutimin e saj të shpejtë. Stërvitje të tilla me shikueshmëri të lartë tregojnë rëndësinë strategjike të Politikës së Zgjeruar të Parandalimit të SHBA-së për NATO-n dhe aleatët dhe partnerët e saj evropianë si dhe rithekson angazhimin e fortë që Aleanca, dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara, i kushtojnë rajonit tone”, tha Peleshi. Sipas ministrit “Defender Europe” mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe garancisë për qytetarët tanë, vendet e rajonit dhe mbarë Evropën”. Gjatë fjalës së tij ministri Peleshi e cilësoi një histori suksesi stërvitjen “Defender 2021”, e cila u zhvillua disa muaj më parë.
Kim: Shqipëria e përkushtuar në NATO
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim teksa priti grupin sërish në Shqipëri theksoi se është mesazh i fuqishëm vendosja e flamujve të vendeve tona krah për krah. “Të shohësh flamujt e vendeve tona në uniformat e atyre që stërviten krah për krah, dërgon një mesazh të fuqishëm për miqtë tanë, ashtu edhe për kundërshtarët tanë, se kombet tona nuk do të prapësohen së mbrojturi miqtë dhe aleatët tanë… Përgjatë kohës tuaj këtu në Shqipëri, jam e sigurt se do të përjetoni të njëjtën mikpritje, ngrohtësi dhe bukuri të Shqipërisë që unë kam dëshmuar. Shqipëria, ashtu si kombet e përfaqësuara në këtë vend, është e përkushtuar ndaj aleatëve të saj në NATO dhe ka treguar vazhdimisht se është një mike dhe aleate e vërtetë dhe guximtare e Shteteve të Bashkuara. Ne nuk mund të kishim kërkuar më shumë se kaq”, u tha Ambasadorja Kim planifikuesve ushtarakë.