Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi nga Lezha, ku mbajti “Foltoren” e radhës, se më 11 dhjetor do të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së.
“Nga Lezha kam kënaqësinë e madhe të informoj shqiptarët, të informoj demokratët në Shqipëri dhe në mbarë botën, se në 11 dhjetor do mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së. Rroftë Lezha, rroftë Shqipëria!”, tha Berisha.
Edhe pse i shpallur “non grata” nga SHBA për “korrupsion madhor”, Sali Berisha “garantoi” demokratët, se si kryetar i PD-së, do të vendosë marrëdhënie të forta me SHBA-BE.
Ish-kryeministri u ndal te padia ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, duke u shprehur se miqtë e kanë informuar se në dosje ka zero prova dhe dokumenta.
“Kam kënaqësinë t’ju them sot që jo vetëm gjykatësi ka pranuar shqyrtimin e padisë sime, por miq të mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero dokumente, zero prova ashtu siç u kam thënë unë ju. Ftoj sekretarin e shtetit dhe cilindo shtetar të mbarë botës që çdo fakt, provë që të ketë, ta çoj në sallën e gjyqit në Paris. Të nesërmen e vendimit, po e kam pyetur veten, pse e morën këtë vendim ndaj meje? Çfarë kam bërë unë 8 vite, përveç foltores se Parlamentit dhe Facebook-ut nuk kisha asnjë fuqi tjetër. Me fjalën time kisha prish plane të mëdha të George Soros për ndarjen e Kosovës. Kisha kundërshtuar Minishengenin, kapjen e drejtësisë në Shqipëri”, tha Sali Berisha në fjalën e mbajtur.