Kreu i PD-së Lulzim Basha ka habitur jo pak në qëndrimet e tij kur e ka konsideruar si “Trekëndëshi i Bermudës” treshen politike Rama-Berisha-Meta. Tentativa e kryetarit demokrat për të “shkëputur” veten nga e shkuara ndonëse ka qenë pjesë e saj.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka filluar që të thellojë hendekun që e ndan jo vetëm nga kryesocialisti Edi Rama dhe Ilir Meta por edhe nga ish mentori dhe babai i tij politik, Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij në Kuvend tregoi se “llumi” i politikë qëndron tek trekëndëshi i Bermundës Rama- Berisha- Meta duke e përjashtuar veten, edhe për shkak se ende nuk është testuar si kryeministër i vendit, ndërsa tre të tjerët e kanë kaluar sprovën. Gjatë seancës së djeshme plenare, Lulzim Basha është përplasur me kryemininistrin Edi Rama duke i kujtuar edhe Foltoren e Sali Berishës. Basha është aq i vendosur “në rrugën pa kthim” të drejtimit të Partisë Demokratike sa i tha kryeministrit Edi Rama në një replikë në Parlament, se do të jetë ai në krye të PD-së dhe jo Sali Berisha. Ai i ka bërë ftesë Ramës që të marrë edhe Ilir Metën edhe të shkojë tek “Foltorja” e Berishës. Edhe pse Basha ka humbur tre herë përballë Edi Ramës, ai i kujton rezultatin e 2011, ku Basha i fitoi Bashkinë e Tiranës. “Të gjithë e kuptojnë ku e ke hallin. Ke hall ti sa demokratë mbledh unë? Të ka marrë malli ty? Thuaje të ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën? Shko dhe ti në foltore. Bëni trekëndëshin e Bermudës dhe qani hallin tuaj. Unë jam këtu për të qarë hallin e shqiptarëve, as tëndin, as të Sali Berishës, as të Ilir Metës. Dhe atyre që u vijnë mbrapa. Mua do të më kesh përballë, jo Sali Berishën. Mua që të munda në 2011-n. Unë nuk kam nevojë të të poshtëroj, sepse ti poshtëron veten, me fakte”, tha Basha. Kreu i demokratëve duket i ka vënë “gishtin kokës” që të mos përsërisë gabimet dhe të mos bëjë kompromis me të keqen. “Koha e trekëndëshit të Bermudës ka marrë fund. Misioni im është të mos përsërisim gabimet dhe të mos bëjmë më kompromis me të keqen. Në fakt, e kam edhe unë pjesën time të fajit që je aty. Por pjesën më të vogël, sepse pjesën më të madhe e kanë dy brinjët e tjera të trekëndëshit të Bermudës”, tha Basha. Edhe një herë, kreu i opozitës i bëri thirrje socialistëve që të miratojnë nismën e demokratëve për vettingun në politikë. “Bëhu një herë ti burrë dhe voto vettingun e politikanëve. E bëj unë i pari vettingun, beje ti i dyti”, i tha Basha Ramës gjatë replikave në Kuvend.
Reagimi i Ramaës
Kryeministri Edi Rama i kujtoi Lulzim Bashës fjalën “llum” që u përdor gjatë sherrit Basha- Noka. “Më flet mua për llum tranzicioni dhe tani thua që edhe PD-ja ka pjesën e vet të llumit. Unë këtë fjalë nuk e kam përdorur as për PD-në, sepse është fjalë e madhe, por nëse PD-ja ka llum, ajo pjesë e llumit të ka nxjerrë ty. Ti je pjesa më e brilantinosur e atij llumi”, tha Rama. Duke i kthyer përgjigje Bashës për “faktin” që i tregoi se atë do të ketë përballë si kryetar të Partisë Demokratike, Rama tha: “Të lutem, mos na ço gjuhën aty ku të dhemb dhëmbi ty. Kur thua ti që dua apo nuk dua, do të të kem përballë ty, të them se unë pikërisht ty të dua përballë. Të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë. E kam seriozisht, sepse dua që të ngremë nivelin këtu. Sepse ti vjen këtu duke lexuar abetaren që të ka mësuar llumi. Mos ji karikatura e llumit. Ti duhet të provosh se megjithëse ai llum të nxori në krye, ti duhet të jesh diçka tjetër sot, duhet të rilindësh. Ndërvepro këtu me gjuhën e fakteve. Nuk ka nevojë as të shpifësh, as të akuzosh dhe as të kriminalizosh dynjanë me fakte. Kjo është opozita”. Më tej, kryeministri theksoi se është gati që të diskutojë vetting-un në politikë: “E kuptoj ku e ke hallin me vetting-un tënd, është gjë e lodhur, por hajde ta diskutojmë me ekspertët tuaj dhe tanë. Nëse na del se kjo nismë është shpëtimtare për vendin, do ta votojmë”. Kryeministri Edi Rama, në replikën e tij të zgjatur me Lulzim Bashën, për inceneratorët, u shpreh se është i bindur që “me ndërtimin e inceneratorëve është bërë hap i madh përpara për ta pasur Shqipërinë një vend të pastër”. Rama i ka kujtuar duke i shpjeguar funksionimin e inceneratorëve edhe mbeturinat që mblidheshin në Sharrë. “Bashkitë sot kanë në dispozicion inceneratorët ose landfillet e investuara dhe që sigurisht që janë të detyruara që mbetjet t’i çojnë atje, që të mbyllet historia e helmit në mjedis dhe historia e abuzimit me sasitë e mbetjeve. Ti e di shumë mirë këtë sepse je marrë me Sharrën për një kohë të gjatë. Prandaj, përqendrohu kur flet”, deklaroi kryeministri.