MEDEA, krimi i hakmarrjes së verbër
Ese Pirro Loli
Medea ka zbritur nga dy mite të mëdha të antikitetit, dhe për të marrë të gjithë dritën e vlerave artistike, qëndroi te Euripidi , kryemjeshtri i skenës tragjike e si kryepersonazh, tash e tremijë vjet, ndrit në majat e vlerave të kulturës njerëzore, objekt i teatrit, pikturës, poezisë, muzikës; kaq e çmuar në muzeumet dhe galeritë e botës. … – e dashur dhe e urryer; është thika që theri fëmijtë e vet dhe në teh të thikës në betejat e filozofëve, psikologëve dhe drejtësisë të çdo kohe…
JEHONA E PERSONAZHIT
Medea është personazhi më kompleks i dijes dhe i artit, aq sa thua se nuk e ka krijuar mendja e njeriut të tillë, po vetë Zoti, Zoti kur përballej me djallin. Dhe pas betejës nga të dyja anët e peshores poetët e mëdhenj na thënë – ky është njeriu kompleks me dashuri dhe urrejtje, familje dhe atdhe, luftë dhe pushtet, Eros dhe Thanatos, art dhe dije, krim dhe ndëshkim. Medea, është truri i çakërdisur i botës njerëzore, dyzimi i saj me një kafshë agresive përbrenda njeriut. Krimi i saj në të gjitha format përsëritet çdo ditë, …Kudo e kurdoherë gjaku i njeriut derdhet edhe Brenda familjes e fisit Dhe harrohen xhelati dhe viktima, por Medea mbetet një. Ajo ka një pasaportë shumë të pasur. Me firma e vula shtetesh në cdo kontinent. Si në të paktë personazhet e mëdhenj që i përjetëson arti. Ajo hyn e del në qendër të dy miteve të mëdha, (Jasonit dhe Tezeut), por kryeheroinë e tragjedisë u bë nga Euripidi 400 vjet p.e re. Atë e rimori dhe Ovidi e Seneka 300 vjet më vonë e tragjedia më e re për të u shkrua nga Robinson Jeffersit më 1946. Ajo ka qenë e preferuar e krejt pikturës antike që në shek VI (p.e re) në dhjetëra piktura në në mure e vazo. Piktura të saj të lashta me këndvështrime të ndryshme, sot ruhen në Napoli, Luvër, Londër e Romë; Atë e kanë pikturuar dhe të mëdhejtë e artit si Rembrandi (1648) dhe Delakrua(1883) dhe qindra piktorë të tjerë…
Skena e tre shekujve të fundit e ka parë edhe në opera, melodrama, koncerte, recitale…
Ka mbi 2500 vjet që kryqëzohen medimet e psikologëve, filozofëve, estetëve, kodeve penale e të drejtës romake dhe anglosaksione dhe gjithmonë diçka mbetet e pagjykuar e pa u thënë për Medean, krim i paparashkruar në shekuj.
FORCA E PUSHTETIT DHE E DASHURISË
Aftësine hypnotizuese e magjinë e kish fituar nga hyjnesha Hekata. Ishte bijë mbreti, e pikuar në bukuri e dinjitet. Ra në dashuri me Jasonin, heroin e etur për lavdi e pushtet, që me 50 trima u nis për në Kolkidë t’i rrëmbente bashkën e artë mbretit (Eetit), babait të Medeas, kusht për të fituar oborrin. Për hir të dashurisë kjo , tradhëton të atin dhe atdheun dhe i ndih Jasonit. Por rrëmbimi i pushteti nuk është i lehtë, ashtu si bashka e artë, varur në një majë lisi në territorin e zotit Ares, që ruhet nga një dragua i përbindshëm që nuk mbyll kurrë sy.
Arti i madh mitik na njeh që në fillim me kushtet e parealizueshme surrealiste: Jasonit mund t’i kthehet Bashka e artë(pushteti) por me kusht : Të punohet fusha e Aresit, Zotit të luftës me plug hekuri, me dema të zjarrtë, të mbjellë dhëmbët e dragoit të gjarpërit të shenjtë, të presë që dhëmbët të mbijnë, të bëhen ushtarë e pastaj të ndeshet me ta
Dhe t’i , t’i vrasë…
Të gjitha të pamundura.
Në skenë hyn Medea dhe takohet me Jasonin. Pas tyre fshehtas vepron Hera dhe Athena, drejtojnë Erosin mbi ta që të bien në dashuri që me shikimin e parë. Medea me magjitë e saj i bën të mundëshme kushtet e pamundura dhe bie marrëzisht në dashuri me Jasonin. Deri sa ushtarët e mbirë nga dhëmbët e dragoit vrasin njeri tjetrin, Jasoni vret Dragoin e përbindshëm rrëmben Bashkën dhe…
por mbreti nuk pranon të dorëzohet, i vihet pas. Çifti me dredhi e me trimëri nisen në trojet e pushtetit të rrëmbyer ; lundrojnë përmes Iistras(Danubit) kalojnë plot pengesa dhe arrijnë në Adriatik.
TËRBIMI I HAKMARRJES SË VERBËR
Këtu mbarojë aktet dramatike dhe fillon tragjedia. Ata janë martuar me “temena” si çift mbretëror, kanë lindur dhe dy djem, por nuk janë të lumtur. Bashkën e artë e morën, por jo pushtetin. Mbreti Peli, nuk ua dorëzon kurorën dhe, si të mos mjaftonte kjo, përsëri si kusht pushteti, Jasoni e tradhton e dashuron Glaukën, bijën e mbretit Kreont. Dhe djemtë i ka lindur me piksynim pushteti, pasurie e trashëgimie. Në skenë rishfaqet Medea, tani gjithsesi, e mbushur me urrejtje ndaj të shoqit dhe lëshohet si tigër tërbuar për hakmarrje. Së pari vret Glaukën duke i dërguar tesha të lagura me helm. Me to u vra dhe i ati, mbreti Kreont, që donte t’i hiqte rrobat e vdekjes së bijës. Radhën e kishte Jasoni, por jo. Tërbimi i tigreshës nuk do zbutej. Ai duhet të vuajë më shumë se me me një thikë në grykë, më shumë se me një helm në tesha e në vena…; ai duhet të tmerrohet para pellgut të gjakut të djemëve të tij…
… Ka shekuj që pyetje të shumta ngrihen për shkaqet e këtij krimi makabër, tradhtinë dhe hakmarrjen, dhe shumëkush për një farë bërthamëze kriminale brenda njeriut …Që nga lashtësia psikologë e filozofë kryqëzohen e, ndërsa krime të tilla përsëriten pa pushim, ( për meshkuj ordinerë dhe Medeat e ditës merret një gjykatë dhe …harrohen duke mbuluar balta baltën)… Medea e Euripidit flet, gjykon, vret e ndëshkon dhe e drejta ose e padrejta e saj, anohet andej e këndej, 3000 vjet debate pa përgjigje të sakta… Ajo ishte e ndërgjegjëshme që mynxyra e saj do ishte ngjethëse jo vetë për të atin e fëmijëve, por për vetë njerëzimin që do trazohej nga gjëma e mnershme e mosozotëshme e një nëne që vret djemtë e saj…
KRIMI I PA NDËSHKUAR DHE LETËRSIA E MADHE
Gjyqi nuk ka mbaruar. Dhe asnjë ndëshkim nuk mund të ruajë baraspeshat. Ka rreth 3000 vjet që vazhdon ky gjyq. Pa hetues, pa gjyqtarë, as magjiistarë e hyjni. Balanca e drejtësisë ulet e ngrihet dhe në të dyja krahët janë psikologët dhe filozofët, që, me në krye Platonin ishin dhe poetë. E që atëherë këta mendjendritur na thanë se nuk ka drejtësi absolute dhe tragjedia si çdo vetpër arti duhet të shihet pa paramendime.
…(Në pikturën e famëshme të Eugjen Delakruasë, Medea gjysmë e zhveshur, flokë të kërleshur, shikim të egër e tmerruar, ka rrëmbyer të dy djemtë lakuriq, i shtrëngon nën gjinjtë e zbuluar dhe në dorë mban një thikë të gjatë. Që ndrit. Në sfond, ajo duket sikur qëndron brenda një shpelle të terrët, (shpella e vetvetes). Sfondi është i zi. Si korb mesnate me sy gjaku.. Drita bije mbi gjinjtë e saj, trupin e vocërrakëve lakuriq dhe tehun e thikës…Pas pak gjaku i pafajshëm do mblidhet pellg te këmbët, te gishtat e saj zbuluar që duken si kthetrat e tigrit…)
Zgjodha këtë pikturë se më duket se shpreh të dyja grupet psikofilozofëve dhe estetëve…
***
Stoicistët me në krye Epiktetin thonë se Medea përballë këtij krimi të përbindshëm ishte e kthjellët. Ajo i ka tejkaluar lëkundjet – tani e dikton zëmërata. Dhe kërkon shpagim. Plani është bërë përpikmërisht me urrejtjen shtazarake. Hakmarrja ndaj të shoqit përtej gjakut është e lëngëzuar. Ka jargët e tigrit. Dhe kjo zëmëratë mbisundon krejt arsyen…Ajo, me sy të çelët a krejt e verbuar, vepron e xhindosur. S’ka zgjidhje tjetër … Dikush thotë – po mirë , ndalo o njeri, o nënë , o grua, o Mede, ndalo së dashuruari tët shoq, ose vrit atë që të tradhtoi dhe fund. Hakmarrja u krye… – Jo jo, flet heroina me vete. Kjo që do bëj është e vetmja dhe më e drejta zgjidhje. Unë nuk dua ta shpëtoj tradhëtarin tim por bashkë me turpin dhe dhimbjen, ta mbuloj me tmerr….
Ajo nuk vepron siç do dëshëronte çdo njeri. Jo së jashtëmi ku ngarjet dhe sendet ridimensionohen ndryshe nga autori që rrudhat e mendimit i ka më të thella.
B.Grupi i dytë (platonistët), më duket se e ka ballin më të gjerë. Sipas tyre fryma e njeriut është e ndajshme. Në esencë ata thonë se njeriu si njësi unike dyzohet në “i arësyeshëm” dhe “i pa arësyeshëm”.
XHINDET E ZËMËRIMIT
Platoni thotë se dëshirat patologjike e shtyjnë njeriun drejt zëmëratës, urrejtjes. Arsyeja duhet të jetë pjesa kryesore mbisunduese në shpirtin e njeriut përmbi dëshirat, dëshpërimin, hakmarrjen , krimin, perversotetin…Platoni sheh se Medea brenda saj ka një frymë konfliktuale, arsyen që e fton për gjakftohtësi, për të mos përdorur thikën ndaj fëmijëve të saj…por jo, jo. Arsyeja mundet, mbytet nga xhindet e zëmëratës. Gjaku i mpiksur, gjaku i zi i lëviz asaj nëpër damarë dhe i kap trurin dhe zemrën. Ia tërbon nervat dhe ia shuan ndjenjat. Hungëron tigri i egër. Gruaja dhe nëna, nëna nuk është më. Platoni flet për instikte shtazarake. A thua brenda njeriut gjallon një kafshë e vogël gjakatare që, në momente të veçanta, ndryshon formë dhe e mund arsyen, atë elefantin e urtë dominues. Të dy brenda qenies janë. Vetgjyqësia, nënnjerëzorja, e keqja, shtaza nuk pranon të bëhet pjesë e jetës njerëzore si forma më e lartë e jetës së gjallë. Te “Fedro” arsyetimi platonik jepet në një metaforë më kuptimplote. Fryma njerëzore përfytyrojet si Koçi(karrocë) që tërhiqet nga dy kuaj. Sipër qëndron koçari, ose arsyeja. Kali i parë është i urtë, dëgjon urdhrat dhe vepron, i dyti – është i shurdhët dhe i dhunshëm që nuk i bindet as frerit ne nofull as kamzhikut në vithe. Koçari mundohet të vendosë nën fre dëshirat seksuale, kafshën e pabindur. Ose ngritjen e vorbullës që tjetërson qenien. Medea nuk e bindi dot kalin e tërbuar. Ai turfullonte dhe e tërhoqi zvarrë (koçarin). Në dorë ka rrëmbyer thikën e mprehtë…(Mermiri ishte dhjetë vjeç, Feri katër…) Ngadhnjeu tërbimi i verbër. Energjia negative e sfinksit. Në të gjitha rastet e krimeve postmede, edhe sot e kësaj dite, është vetëm ky kalë që tërheq qenien, që zhbën njeriun. Pas krimit, gruaja, nëna, dashnorja, kthehen në memorie të boshatisura.
…Po shtaza vepruese brenda nesh a ka arsye? (Medea, kjo grua krenare, me gjini e mbretëri, e zgjuar dhe e bukur, dashnorja dhe nëna, plot dinjitet, kjo femër trime, që sakrifikoi duke tradhtuar atdheun dhe të atin për dashurinë a ka të drejtë? Kjo pyetje ka shekuj që qëndron pa përgjigje të saktë. Me as po, as jo. Me veprimet e veta Medea nuk kërkon as të drejtën , as të padrejtën. Ajo, veç shpall vetveten. Ose natyrën tragjike të njeriut.
Krimi përsëritet e përsëritet në përditshmërinë e njerëzimit dhe asnjëherë nuk e ka zhdukur atë zëmëratën prej kafshe. Edhe brenda gjakut e fisit . Dhe nuk të bind edhe kur kacaviret te shkaqet. Hetuesit janë lodhur nga krimet. Gjykatat janë formale. Dhe bëhen hi e pluhur të gjitha vlerat dhe dinjiteti njerëzor përpara gjakut të derdhur. Psikofilozofët e kritikët e rrahin dialogun nëpër maja , përballen me kompleksin e pandreqshëm njeri, e mprehin mendimin në zonat më të nxehta të mospajtimeve dhe kundërshive.
Dhe, pa pretenduar për të drejtën, për kafshën brenda njeriut, dëshmia e pëehershme mbetet letërsisë së madhe.