Ish-zv.kryeministri, Erion Braçe ka zbuluar se ka qenë në zyrën e Sali Berishës, kur ky i fundit drejtonte vendin.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PS, zbuloi edhe arsyen për vizitën në zyrën e kundërshtarit politik, e cila sipas tij, lidhej me situatën energjetike.
Braçe deklaroi se kishte shkuar në zyrën e kryeministrit asaj kohe, që t’i lutej që Berati të kishte 1 orë energji elektrike më shumë.
Deklarata e Braçes, erdhi pas akuzave për energjinë elektrike nga ana e opozitës.
“Në këtë sallë kemi edhe opinione të ndryshme për borxhin, por diferencën e bëjnë faktet, unë ju dëgjova me vëmendje, por që të thoni se që nga viti 2006 Shqipëria nuk ka pasur ndërprerje dritash, më vjen keq, ose nuk keni qenë këtu, ose keni pasur një zgjidhje alternative.
Në 2007 nga Tropoja deri në Konispol ka pasur 4 orë drita. Në vitin 2007 4 orë drita kishte, i lutesha kryeministrit, për çudi isha në zyrën e tij…në atë kohë i lutesha që t’i jepte Beratit një orë drita shtesë, nga 4 ta bënte 5. Të mos ta vijoj më tutje, kur u përmbyt nga Malësia e Madhe deri në Lezhë 6 herë rresht se nuk menaxhohej dot energjia në kaskadën e Drinit”, tha Braçe.