Nga Qazim Shehu
Shqiptaro-italiani Dedin Suli eshte koreograf dhe studiues i artit koreografik. Ai ka shkruar librat:”Artistë të shquar të interpretimit koreografik shqiptar 1950-2012”, “Besim Zekthi, korife i vallëzimit shqiptar”, “Agron Aliaj, artisti që thuri legjendë”, si dhe “Valltari fluturues”. Dedin Suli prej vitesh banon në Itali, por ai kurrë nuk e harron ardhjen në Shqipëri si dhe lidhjen e kahershme me TOB-in, ndonëse ka kohë që është larguar. Ai është autor i dhjetra shkrimeve të tjera ku promovon vlera të artistëve dhe të artit koreografik të botuar në shtypin shqiptar dhe atë italian.Libri i tij për Agron Aliajn është shoqëruar me një prathënie të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ndërsa për studimet e tij nuk janë kursyer të bëjnë vlerësime edhe kritikë të tjerë me zë, ndër ta, Adriatik Kallulli, Josif Papagjoni etj
Siç mund të përcillet një kohë e fillimit, atëherë mjaft gjëra nuk i diheshin për shkak të mungesës së përvojës,por mjaftonte pasioni dhe dëshira. Ishte viti 1951 kur u krijua Filarmonia dhe filloi punën si koreograf. Me krijimin e TOB-it, 1957, Filarmonia u ndaIshin shfaqjet e para “Shatërvani i Bahçisrajt”, pastaj “Romeo e Zhuljeta”, “Halili dhe Hajria’ etj, ku debutoi si kërcimtar.Krijimtarinë e filloi në Shkodër-një tablo muzikore emetuese nga Tonin Harapi, pastaj në vitet 1960-61 fillon një krijimtari më e zgjerur me tablo koreografike të Çesk Zadesë. Ai lindi në Shkodër, në një qytet ku iu dha rasti të dëgjojë muzikë të Verdit, Bahut, Moxarit, Shubertit, dalë nga ca pllaka gramafoni në shkollë prej Preng Jakovës. Në jetë për çdo talent të ri është e nevojshme një përkrahje, dhe atij iu gjendën përkrahësit të cilëve u është mirënjohës si Faruk Koka dhe Ylli Bebeziqi.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vendin tonë filloi një interesim i madh për artin koreografik, ai kaloi në vlerësimin institucional, në vëmendjen e drejtpërdrejtë të shtetit. Ne jemi një vend shumë i pasur me valle dhe ato janë të larmishme. Ishte shumë e rëndësishme që ato të viheshin në vëmendje të përpunimit dhe lartësimit të tyre artistik. U krijua Filarmonia, TOB, Ansambli i Këngëve dhe Valleve, Shkolla e Baletit, pa përmendur këtu gjithë veprimtaritë e tjera të organizuara në nivel lokal dhe kombëtar. U vunë në skenë vepra të vështira si” Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Shota dhe Azem Galica”, “Joniada” etj. Duhet thënë se krijimtaria koreografike njohu përveç përkrahjes së shtetit edhe daljen në skenë të disa mjeshtërve të vërtetë ,krijuesve dhe studiuesve me vlera si Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Agron Aliaj, Ramazan Bogdani etj, etj, të cilët i dhanë tonusin emblematik artit më cilësor të kërcimit.Shtohet këtu edhe emri i Albert Jankut,Artist i Merituar,interpretues i shumë roleve në baletin kombëtar ,por edhe në balete të huaja.Ai është korepertitor pranë baletit në TOB. Më vonë Dedini ka botuar librin: “Kështu e njoha unë Panajot Kanaçin”. Albert Janku shkëlqen si artist që nga viti 1964.
Sot është liri veprimi dhe njeriu ka mundësi të bëjë zgjedhjen e tij. Po liria nganjëherë bëhet një sugjestion dehës. Janë largur artistë shumë të mirë nga skena e kërcimit shqiptar si Angjelin Perlocaj, Klejdi Kadiu, Ilir Shaqiri etj. Pse largohen këta artistë, kjo është e vetëkuptueshme, po arti, sidomos ai koreografik, është dashur ta ketë një përkrahje më të madhe të shtetit, si në tërheqjen e vëmendjes ndaj problemeve të organizimit dhe nxitjes së talenteve, ashtu edhe në mbështetjen financiare. Kjo ndihmë do vijë duke u pjekur elementët kulturorë të shoqërisë sonë, gjithashtu duke kuptuar se një traditë e mirë në këtë lëmë gjithmonë e shtron një lehtësi dhe jep një pikëmbështetje për të ecur më mirë drejt krijimit të vlerave artistike.
Vallet, folklori koreografik shqiptar është i veçantë. Ka një dallim nga vallet ballkanike dhe larmi ngjyrash në kostumografi. Me një densitet dhe harmoni të pakundshoqe të strukturave të lëvizjeve. Gjithnjë duhet të mendohet se popujt kanë marrë dhe kanë dhënë me njëri-tjetrin, megjithatë, populli shqiptar ka ditur të ruajë origjinalitetin dhe freskinë e vet në art. Pushtimet e huaja kanë lënë ndonjë shenjë imitacion të vogël në vallet e Shqipnisë së Mesme, por pa rëndësi të dukshme. Në përgjegjësi, folklori shqiptar është konservativ në shekuj, ka rigjeneruar veten duke pasur një forcë vitale të burueshme prej fantazisë dhe shpirtit të vet. Çdo zonë ka vallet e veta karakteristike, të cilat nganjëherë emërtohen me emrin e një krahine të caktuar, ose të një zone më të gjerë.Diversiteti i vlerave nuk i ikën përbashkësisë së etnisë, forcës jetësore dhe morale të një populli të lidhur me truallin e vet, historinë, luftrat, përpjekjeve për ndërtimin e jetës.Kjo larmi duhet njohur, dhe pikërisht kjo e ka imponuar gjithnjë Dedinin me një këshëri të madhe për të ndjekur me kujdes gjithë këtë laryshi të valles shqiptare e të krijimit muzikor si koreograf, por edhe si studiues, duke mos harruar se vërtetë folklorin e bën populli, po midis popullit ka mjeshtër të shquar, ashtu siç kanë dalë edhe njerëz të talentuar që vunë bazat e baletit shqiptar. Trofeu i vitit 1970 në Dizhon të Francës: “Gjerdan i Artë”, ishte një kulminacion, një meritë e veçantë e asaj valleje të bukur dhe e këngës shqiptare.
Në studimin e jetës dhe veprës së artistëve natyrisht ka dashur dhe besoj ia ka arritur të bëjë diçka edhe si homazh, po më shumë për të treguar se gjërat kanë kujtesë dhe kjo kujtesë ia vlen të gdhendet, sepse sado koha të bëjë punën e saj, ajo ka nevojë të ripëtërihet dhe të flasë. Ka dashur të flasë me gjuhën e fakteve, jashtë çdo amplifikimi të panevojshëm, të sjellë në vëmendje gjithë atë larmi të teatrit muzikor dhe të baletit dhe koreografisë në tërësi.Çdo histori është jo vetëm një krenari-veçmas kjo krenari bëhet e fortë sa më tepër kalon koha-por edhe një përvojë për të kthyer kokën pas e për të riparë disa gjëra, për të pasur iniciativat në vënien në skenë të gjinive muzikore të vështira, sidomos krijime origjinale të muzikës dhe baletit shqiptar,për të përkrahur talentet e reja e për t`u dhënë mundësi e për të krijuar hapësira për ta.
Atij i pëlqen të gërmojë, të lërë diçka, siç i pëlqen të takojë njerëz dhe të bisedojë.Sot njeriu mund të jetojë ku të dojë dhe nuk pse paragjykohet për këtë, por rikthimi në kohë është një farë jetese e dyfishtë, jo vetëm për nostalgji, por për të dhënë diçka. Zamir Këlliçi ka ruajtu gjithë arkivin muzikor në TOB, e ka sistemuar në letër.Është një e metë e madhe që në kohëra të caktuara shumë shfaqje të bukura nuk janë filmuar.Sa mirë do qe që shfaqjet e para të ishin të filmuara, se ne krenohemi me to. Por nuk e quan të arsyeshme që të mos përshkruhen dhe sistemohen nëpër libra,çka i ka sjellë Dedinit, krahas pasionit, edhe një detyrim moral.
Për perspektivën e artit koreogragfik ai nuk është skeptik, por shprehhet se një përpjekje më e madhe do të qe e udhës.Kur është dhënë “Liqeni i Mjellmave”, kostumet dhe skenat,janë marrë në Romë.Nayrisht sot ka bashkëpunime, por të mos harrojmë se një investim më i madh do e gjallëronte më shumë koreografinë shqiptare.Gjithnjë duhet të memorizojmë se abc e koreografisë është Panajot Kanaçi, emrat e mëdhenj të Agron Aliajt, Besim Zekthit, Ramazan Bogdanit që ëshë një etnokoreolog i shkëlqyer me 18 vëllime punë studimore, për të vijuar me Lili Cingun, Rexhep Çelikun e me radhë… Përmendja e emrave has vështirësi, por mund të lexohen në librat e tij emra dhe dëshmi të arritjeve të mëdha koreografike nëpër kohë.Perspektivën e artit koreografik shqiptar me hapjen e Shqipërisë. Dedini e sheh si një mundësi për të dalë talente,por i vjen keq që talentet më të mira i merr bota.
Në librat e tij për koreografinë shqiptare, Dedin Suli kamundur të bëjë një studim gati shterues për koreografinë shqptare,e cila ka njohur një sukses të paparë nëpër dekada dhe trashëgon një vlerë të hershme, sa herë flasim për vallet tona të lashta, shumëllojshmërinë e tyre dhe spektrin e fuqishëm dekorativ të veshjeve popullore me të cilin këto valle luhen. Janë të shumta studimet e Sulit për këtë fushë të rëndësishme të artit dhe prekin të gjitha etapat kohore të artit koreografik, zhvillimet e tij që nga lashtësia dhe më vonë. Këto studime kanë ardhë pas një pune të mëvetësishme dhe bashkëpunuese studimore, arkivimit të mjaft eventeve artistike, bashkëpunimit dhe njohjes me protagonistët e valles shqiptare, muzikanët, orkestruesit, njohjes së subkjektit artistik të valles dhe këtë ai e shpreh duke njohur që nga kërcimet e thjeshta gjer te baleti. Kështu, librat e tij shprehin më së miri një panoramë të gjerë të zhivillimit të artit koreografik në Shqipëri,sidomos pas vitit 1945, atëherë kur shteti e vuri këtë art të magjishëm në baza institucilonale dhe financoi zhvillimin e tij duke çuar për studime jashtë mjaft artistë të talentuar, por duke sjellë në Shqipëri edhe baletmaestër të mëdhenj siç ishte baletmaestri rus Georgi Vasiljeviç Perkun i cili dha ndihmesë në krijimin dhe konsolidimin e grupit artistik të valleve. Por aty gjeti një grup koreografësh e valltarësh të talentuar si: Melushe Bebeziqi, Melani Terca, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Panajot Kanaçi, baletmaestro i madh që ishte asistent i tij. Që nga vepra “Halili dhe Hajria”, me libret të Panajot Kanaçit e muzikë të Tish Daisë e gjer tek veprat e mëvonshme, kemi një trajktore të bukur të artit koreografik me suksese brilante, përcaktuar nga vektorë estetikë mahnitës.Por të mos harrohet, se artistët shqiptarë ishin në gjendje të vinin në skenë , madje me sukses të admirueshëm edhe kryevepra të artit botëror, siç ndodh me baletin”Liqeni i mjellmave” me muzikë të Çajkovskit dhe regji të Agron Aliaj.Lexuesit sërish do t`i duhet t`i përimtojë këto vepra në penën e Dedin Sulit për të mësuar për subjektin, personazhet, artistët që i kanë luajtur këto personazhe,Autori ndalet në shtjellimin e të vërtetave artistike duke nënvizuar si lexim midis rreshtave ide të qenësishme..Por është e nevojshmë dhe detyrë shpirtërore që vepra e tyre të njihet në ndërrimin e brezave, ajo tashmë e ka krijuar shkollën e muzikës dhe koreografisë. Dedini si studiues dhe njohës i thellë arrin të krijojë plotërinë e një tabloje vitesh dhe dekadash në krijimin e profilit të tyre dhe të rrugës së artit shqiptar duke shpalosur mirë idenë se arti shqiptar i koreografisë arriti kulminacione të vërteta me vepra dinjitoze që i rezistuan kohës dhe tingëllojnë të freskëta edhe sot nëse vihen në skenë.Tablotë e fuqishme koreografike me kompozim strukturash të ndërlikuara, balete dhe opera shqiptare, shprehën më së miri në atë kohë se çfarë mund të bëhet, nëse arti mbështetet institucionalisht, pavarësisht politizimit të sistemit apo kufizimeve të kohës prej dogmave ideologjike që artisti i mirë dinte t`i anashkalonte. Lexuesi do prekë e ndjenjë në librat e Dedinit një pasuri të madhe faktesh, mbresash dhe suksesesh të artistëve tanë, po njëherit edhe plot privacione e çaste dramatike si një linjë interesante që jep impulse dhe nxitje në krijimin e veprave të mira;në to ne mund të gjejmë mjaft bërthama narrative, mikrofabula të impresionit të gjallë nga jeta e artistëve, duke dekoduar një kohë të vështirë, e cila e vendoste artistin në syrin e ciklonit , po njëkohësisht edhe shpirtin e madh të artistëve të vërtetë që dinin t`ia hapnin rrugën një talenti të ri, jashtë manifestacionit të artistëve cingunë të brejtur nga një xhelozi e pakuptueshme, refleks i një talenti shterp.Kështu, librat e tij e kryejnë detyrën jo vetëm të informimit , po ato përcaktojnë përmes portretizimit edhe rrjedhat kohore në filozofi të fuqishme sociale, intime, kulturore dhe politike, duke dhënë portretin e një kohe që, nganjëherë ,mbrapshtinë e saj është e detyruar ta zbukurojë përmes arritjeve të artit.Dedin Suli mëton dhe ia arrin të na japë dimensionin e artit si vazhdimësi e një kulture të lashtë, po njëherit edhe si shënim personalitetesh, të cilët shërbejnë sot si modele krenarie për adhuruesit e artit koreografik.Arti shqiptar i koreografisë ka gjetur tek Dedin Suli një penë të mprehtë, një kulturolog të rafinuar dhe njëherit një njohës shterues të tij.
©Copyright Fjala.al
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Fjala, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Fjala dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.