Nga Qazim Shehu
Që në fillim të këtij shkrimi, e quajmë të arsyeshme të paraqesim se personazhi i këtij romani është një vajzë me një botë të pasur shpirtërore, mjaft inteligjente dhe e kulturuar skajshmërisht, si një alter-ego e autores, e cila merr përsipër të tregojë jetën e saj, por edhe të bëhet një gjykuese e mjedisit ku jeton. Është një vajzë e çiltër, e guximshme, që shpërthen konvencionet e ngurta të një shoqërie, e cila gënjen vetveten duke fshehur thelbin e saj të vërtetë, mbuluar gjithmonë e rëndom me pelerinën e grisur të hipokrizisë. Ajo çka duhet thënë dhe është vetëmjaftueshmërisht e këndshme, është se ky personazh (Era) të merr përdore dhe të shëtit me imagjinatë të pasur në kohë e hapësira të dijes kulturore, të befason me fjalor e koncepte kulturore, pra edhe të mëson. Kemi të bëjmë me një roman ku dendësia e informacionit jetësor dhe informacionit kulturor shkrihen në një dhe krijojnë një përkryerje të pëlqyeshme të narrativës, aq sa, kur ndahesh, në fund, nga mbarimi i leximit, dëshiron që këtë roman ta ruash ,dhe pas ca kohe t`i rikthesh sërish, sepse ai është një libër që vijon pikërisht prej këtyre vlerave të spikatura që ka. Është një vepër që, sa rrëfen, aq edhe të ngërthen në të njohura dhe të panjohura të shpirtit njerëzor dhe ta mban gjallë kuriozitetin, një kuriozitet që vjen nga një prozë e mirë, e pëlqyeshme, me ritëm rrëfimor dhe ndjesi të natyrshme ku nuk gjen artifice dhe manierizma të frazës për t`u dukur modern, po ku moderniteti është në çdo qelizë të rrëfimit, në çdo bulëz të episodeve që vijnë dhe na freskojnë ndjesitë e na shpërgjumin pas leximit të veprës. Zakonisht, fjalët e mira nuk kërkohen për një vepër të arrirë, ato dalin natyrshëm dhe krijojnë po në mënyrë të tillë shenjën e respektit për letërsinë serioze, duke marrë trajtën e mirënjohjes së heshtur të lexuesit edhe pse ai nuk e njeh autoren (në këtë rast, unë) edhe pse nuk është i detyruar të thotë për të dy fjalë të mira nga droja e njohjes. Kështu vepra e realizon misionin e saj, komunikimin e natyrshëm me lexuesin dhe ky është një sukses i përfillshëm.
Bota e një femre të kulturuar-ambicioze, me një gjykim të kthjellët, aktive dhe e ndjeshme, vihet në qendër të romanit dhe zbërthehet hap pas hapi në kontrast me ambientin social, kulturor, politik, e këtu thirren herë pas here koncepte nga kultura, politika, mitologjia, historia e nga shumë fusha të ndryshme. Kjo përbën thelbin kompozicional të romanit, dhe ky thelb vjen e ngjizet e shpërhapet përmes episodeve të cilat ndahen dhe bashkohen përmes jetës aktive të personazhit kryesor-Erës. Një vajzë që punon në një kompani dhe për shkak të punës i duhet të bëjë udhëtime në Egjipt e të vijë sërish në Tiranë e kështu: vajtje-ardhje. Përmes vështrimit të protagonists dalin në pah ambiente të reja, mendësi dhe kultura të ndryshme, të cilat përfshihen në dashurinë dhe etjen e saj për ta njohur më mirë botën dhe për të sjellë prej saj të rejat që ajo ka. Këtu vijnë në ndihmë njohuritë e autores, të cilat, merret me mend, janë të shumta dhe të konsiderueshme, por edhe ndjesitë që ngrihen në një rrafsh të shprehjes poetike dhe here- herë përshkohen nga një lirizëm që nuk e dëmton rrëfimin. Proza e saj mëton dhe ia arrin të na sjellë idenë se ne duhet ta afrojmë vështrimin tonë drejt një bote pa paragjykime, sot kur kulturat mësojnë aq shumë nga njëra- tjetra dhe konvecioni i tyre i hershëm herë herë paraqitet si një dekor. Paragjykimi si ngrirje dhe kalcifikimi i së shkuarës nuk duhet të bëhet pengesë për ta njour botën e cila sot bëhet e vogël për shkak të teknologjisë dhe lëvizjes pa pengesa të njerëzve. Dhe pikërisht prej kësaj lindin vështirësitë për të njohur njeriun, i cili si për paradoks bëhet më i mistershëm, më egocentrist, kur i duhet të përballet me sfidat e lëvizjes dhe një ritëm tjetër që sjell moderniteti dhe të konceptuarit e gjërave në trajtën e tyre të rrëshqitshme.
E këtu ajo sjell dy tipa (Miladi në Kajro e Klajdi në Tiranë), shoqen e vet Viola, edhe kjo një personazh interesant që përfaqëson portretin e vajzës së lirë që i hedh pas krahëve konvencionet e ngrira të shoqërisë dhe gjykon lirshëm. Ajo që të bie në sy në roman është përshkrimi i ambienteve, të Tiranës dhe të Egjiptit. Autorja është njohës e kulturave dhe shpesh mendon se mos, kjo njohje, rrezikon që narrative e përshkrimi i personazhit të ndërpritet dhe të kalojmë pastaj në përshkrime të veshjes, etnografisë, mënyrës së jetesës apo dekoracioneve të tjera kulturorë dhe kështu sensi i masës rrëfimore humbet dhe thjesht kalojmë një një reportazh. Zakonisht tema të tilla nuk janë të lehta, por, autorja ka ditur t`i shmanget këtij kurthi që shfaqet natyrshëm, me përshkrimin e botës së brendshme shpirtërore të Miladit, me dialogjet dhe detajet që japin pikërisht këtë botë që vjen nga sjelljet dhe përkujdesjet e tij, të cilat reflektojnë mirësi dhe dashuri. Tregimi objektiv nuk e përjashton subjektivitetin dhe ndërthuren harmonikisht bashkë deri në përkryerje të një proze lirike –refleksive, ku shpalosen ngjyrat e një shpirti rinor përshtypje-sjellës. Në botën e sotme ku ngrihet miti i sendit dhe zhvendoset kuptimi për ndjenjën si lojë e rastësisë ,është vështirë ta përfytyrosh dashurinë brenda pamjes së romanticizmit të dikurshëm, ku, ekzotika dhe fanitja e saj ,duket sikur e sjell të plotë në kuptimin e saj më të mundshëm dhe klasik. Dashuria e sotme e shpreh vlerën e saj të qëndrueshmërisë tjetërsoj, duke u kuptuar dhe manifestuar si rritje e personalitetit të femrës, si përfillje e botës së saj të brendshme, lidhur me këtë personalitet që vjen nga emancipimi kulturor, shkencor,nga suksesi dhe zgjuarsia e saj e instikti i natyrshëm për të hetuar brenda kësaj bote të gënjeshtërt dhe që manipulohet të vërtetën e ndjenjës. Bota e ndjesive të protagonists është e madhe, edhe nga një çast i thjeshtë shpërthejnë fluks ndjesish e përjetimesh që shpallen në lojën moderne të fjalës dhe perceptohen si të tilla përmes një fjalie aktive që ndërtohet e rregullt gjuhësisht dhe krijon një afeksion të mirëfilltë. E përmes kësaj fjalie transfigurohen mjaft realitete, sa të drejtpërdrejta, aq kontekstuale e konceptuale, ku rrëfimi impresionues lejon që herë herë zëri autorial të ngrihet e të sjellë qasje të reja mendimore në përshtatje me rrethanën e të ndodhurës. Prej kësaj sigurohet në roman edhe toni filozofik i gjykimit, paralelizmat dhe alegoritë, ironitë, shprehje të gatshme në gjuhë të huaj, zënë vend autorë të njohur, sillen paradigma e mendime që vijnë e shkrihen duke e pikëzuar hijshëm kostumin e narrativës së autores. Qëllimi i autores është të depërtojë në misterin e ndjenjës, ta ruajë këtë ndjenjë nga kurthet e modernitetit joshës, prej nga buron sensi poetik dhe lirik i romanit; të tregojë vështirësitë që ndesh një vajzë e kulturuar në këtë botë, e cila sa më shumë e njeh atë përmes përvojash qoftë të dijes ,qoftë të kontakteve, aq më tepër na zbulon dramën e saj, ato gjëra që, më së shumti, nuk shkojnë dhe përbëjnë kontraversin e saj. Kështu vështrimi realist i autores gjithnjë sjell para syve të lexuesit një botë të zhveshur, të mbushur shpesh e të frymëzuar me trillin e kotësisë, vanitetit dhe kënaqësisë që vjen nga mosnjohja dhe përshtatja me të.
Një ironi e hollë që ngrihet deri në fuqinë e sarkazmës ndihet në roman kur ajo përshkruan mjediset e Tiranës, dyqanet e saj, llafazanërinë e pastrueses së zyrës, ngjitjet dhe uljet në ashensor, paragjykimet dhe fjalët që dalin kur i duhet të shkojë të tërheqë paratë një bankë etj,detaje që jepen me vërtetësi, shpejt, por që të mbeten në mendje. Ironizimi i mjedisit në të vërtetë është ironia ndaj pseudonjeriut dhe jetës boshe që ai bën; vendosja e kondicionit njeri-mjedis është një koncept që vjen që nga herët prej tipologjisë së romanit realist e deri-diku të romanit natyralist; por autorja e bën këtë edhe përshtat temës që ka zgjedhur, për shkak të njohjes që ka dhe të fuqisë së saj krijuese, megjithëse ndonjëherë përshkrimi natyralist krijon ndonjë farë ngecje dhe e ngadalëson pak zembrekun e rrëfimit.
Historia e një vajze, lidhur kjo, me disa shoqe të saj, e përshkon tej e ndanë romanin; është historia e kërkimit të jetës, e niveleve të saj, e njohjeve dhe e rreziqeve, e dyshimeve dhe e përpjekjeve të vazhdueshme për kapërcimin e sfidave dhe të papriturave. Peripecitë që përshkruhen, bëjnë që këto histori, sa shfaqen së jashtmi, të përjetohen së brendshmi dhe të marrin here- herë konotacione drithëruese që përshkohen nga një tymnajë ankthi apo të kalohet edhe në çaste ngazëllyese e mikluese. Era bëhet prototipi i vajzës së sotme të suksesshme, rrallë e cikur kjo në letërsi,që është gdhendur përmes vetrrëfimit të saj të sinqertë me një vështrim të gjerë e kompleks, prej nga buron një mençuri e gjykim i përpiktë që, lë pak, dilema e mosbesim. Në skanerin e vështrimit të saj duket se nuk shpëton gjë, por ajo nuk harron ta përcjellë këtë vështrim dhe më vuajtjet apo përjetimet e saj, të cilat flasin për një botë të pasur, delikate, të brishtë e mjaft të ndjeshme. Shija e vrazhdë e jetës, banaliteti i saj, moskuptimet dhe divergjencat me të, nuk e çojnë protagonisten në dekurajim, ajo është e ndërgjegjshme se mund t`ia dalësh, se në këtë botë gjithnjë gjendet një mundësi, mjafton të jesh syçelët e kujdesshme, aktive dhe të luftosh për të arritur atë që do, që është e mundshme dhe që të jep dinjitet,vetëm kështu mund të arrish dashurinë, pavarësisht nga dilemat që shtron ajo gjatë rrugës.
Romani është një manifestim i mendimit, shoqëruar me ndjenjë dhe anasjelltas, një diskurs filozofiko-lirik që perceptohet nga rrëfimtarja, por që nuk mbetet i mbyllur, përkundrazi lë shteg që edhe ne të bëhemi pjesëmarrës në të. Rrëfimi i lirë e bën tekstin të hapur edhe pse trajton probleme me qasje aktuale, edhe pse stili i çlirët e bën këtë të funksionalizohet aq bukur si shërbesë që vjen aq natyrshëm nga një tekst i kultivuar dhe elegant. Rrëfimi i shpërthen mundësitë e shprehjes, në perceptime të lira për jetën pa paragjykime, duke sjellë paradokset e mjediseve dhe të kulturave, dhe kështu fiton një shprehësi të mirëfilltë dhe të imponueshme, ndërsa kemi të bëjmë me një roman gjendjesh që rrezëllijnë nga dielli i dashurisë, i cili perëndon në lindje, siç thotë autorja. Të zbërthesh këtë sintagmë duhet të futesh në një kontekst të gjerë historik filozofik, pa sjellë mundësinë e ndonjë kundërvënie brenda saj, por me një fjalë të thjeshtë mund të themi se dashuria gjendet kudo, atje ku ajo është, pavarësisht nga paragjykimet dhe kulturat, racat, ndarja dhe mosqarkullimi si duhet i tyre ka sjellë këto paragjykime.
Proza e Eraldës është një prozë intelektualiste, jetësore ku ind-infiltrimi i çasteve të jetës kryhet dhe distilohet nga një përshkrim i saktë dhe nga një kulturë e gjerë që ka sjellë edhe një frazë elegante, plot vrull dhe harmoni, një frazë, sa të zhveshur nga ngjashmëritë, aq të ruajtur nga emfaza dhe kërcitja artificiale, një denduri fjalësh që muzikojnë rrëfimin dhe e bëjnë atë të shkrifët e të butë si pellush. Është kjo fjali plot intonime dhe shtresa kuptimore të leksikut që e bën narracionin e saj të këndshëm, joshës e kontemporant, larg rrëfimit të mërzitshëm dhe të një trajtshëm, apo larg episodeve të zakonshme, të cilat nuk sjellin gjë. Magjia e rrëfimit, krahas pasurisë së faktit jetësor, qëndron në rrjedhshmërinë dhe në befasimet që kjo rrjedhshmëri lëviz prej të rejave që bie. Kështu, autorja arrin të ndërtojë një roman, suksesi i të cilit qëndron në mjaft aspekte të dinamikës së mendimit dhe të ndjenjës, duke mundësuar një vështrim ndryshe dhe origjinal përshtat temës dhe problematikës së vështirë, që autorja ka ndërmarrë ta tejçojë drejt modelit të një proze të arrirë.