Bashkëbisedim me Hijen – Rreth romanit “Avokati i Diktatorit”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Pirro Loli

“…Ne të gjallët, nuk ishim të zotët t’ia bënim gjyqin diktatorit tonë, shpresoj t’ia bëjnë të vdekurit tanë. Ata e njohën më mirë. …”

“Uni” autori dhe regjisori i kësaj drame romaneske, zbreta midis të vdekurve në trojet e Hadit. I gjeta personazhet të gatshëm. Dhe para se të njihesha e të shkrihesha me ta, duhet të flisja me vetveten. Dhe si përherë, u përballa me hijen time. Është qenia dhe mos qenia e secilit. Në këtë roman ngarkuar me shumë pesha e role të vështirë duhet të shfaqesha, jo vetëm si autor, gjykatës e dëshmitar, por dhe si “avokat” i diktatorit.

***
Hija – Pirro, unë kam një jetë e bindur me sinqeritetin dhe “marrëzitë” e tua, ndaj pranoj që bisedën ta bëjmë të zëshme dhe publike.
Përgjigje – Cila hije je ti, hija e mëngjesit apo e darkës sime?

Pyetje – Po pyet për kohën e ekzistencës tënde? Ti vetë ke thënë se shkrimtari ka dy biografi, atë të zakonshmen (bio) dhe veprën. Për ty, kjo e dyta ka rëndësi dhe ia vlen të lexohet. Unë jam hija e shkrimtarit, demoni i krijimit dhe jam kurioze edhe për “çmenduritë” e tua të fundit në këtë roman.
Përgjigje – Pranoj, por si e tillë, pra dhe ti, e ke të vështirë të realizohesh lartësive dhe dështimeve të mia. Të kujtohet gabimi im? Kur botova librin e parë me tregime, atëherë m’ u duk vetja shkrimtar, tani pas dhjetëra vitesh, pas botimeve të shumta nuk e mbush dot gojën, a jam poet, shkrimtar, apo eseist? …Monologu, hija e shkrimtarit (dyzimi) janë njëfarë mashtrimesh që i ledhatojnë të gjithë shkrimtarët me pozat e gjatësisë irreale, prandaj unë ta kam shmangur ty mëngjesin dhe darkën.

Pyetje – Si dhe kur ka lindur ideja e këtij romani që intrigon edhe në titull? A mundet të na i afrosh sadopak ?
Përgjigje – Ngacmimi ka qenë rastësor. Një ide u mpreh e u bë trill i përfytyrimeve të mija, natën në gjumë; ishte një ëndërr e gjatë, shumë e gjatë që, dhe kur më harronte, e kërkoja vetë, deri sa më zhyti e më përthithi plotësisht katakombeve të Hadit. Tridhjetë e pesë vjet e mbajta brenda vetes. Dhe akoma nuk e di, zbrita vetë me dëshirë, apo më thirrën të vdekurit. Ata qenë rebeluar dhe kishin arritur të siguronin hapjen e një gjyqi (post mortem) pranë Hyut të vdekjes (Hadit) kundër diktatorit të sapo vdekur. Nuk pranonin që ai, vrasësi i tyre, të prehej në paqe bashkë me ta. Dëshmia e tyre ishte kërkesë për të zbuluar plagët. Protesta e tyre, akuza, në këtë gjyq sureal në dukje, shpalos ngjarje të pabesueshme, plagë dhe të vërteta tronditëse që nuk i mbulon dot balta e varrit as harresa. Autori ka zbritur midis tyre në trojet në Had duke u sinkronizuar me ta edhe si personazh.

Pyetje – Me sa po kuptoj, më duket se romani yt i fundit “ Avokati i diktatorit” (dhjetor, 2020) është shkruar me të zezën e natës. Që nga kopertina dhe të gjithë mjediset ku zhvillohen ngjarjet, më duket se i ke zhytur në mellanin e zi të natës. Shikimi dhe veprimi kërkon dhe dritë, apo jo?..
Përgjigje – Po, është e vërtetë dhe e natyrshme sepse të gjitha ngjarjet zhvillohen në nëntokë, në perandorinë e vdekjes, në Had. I gjithë romani në çdo qelizë të veprës sipas rolit të personazheve ose gjendjes funksionale, pra gjithçka, është regjistruar në një shirit filmi zhytur në lëngun e natës. Kjo natë e gjatë brenda meje dhe njeriut shqiptar ishte përmbytur duke kaluar përmes një konflikt të mprehtë të përgjakshëm. Atij lexuesi që kërkon dritë, mund t’ i them: Lexuesi e ka dritën në mendjen e vet, ka gjithashtu dhe mundësitë që i jep autori për të fantazuar, për të parë e gjykuar, por ka dhe dritën metaforike të eshtrave të bardha dhe të pafajshme të mijëra viktimave.

Pyetje – Të shqetëson surrealizmi i tyre? Ose, akoma më direkt, sa është i besueshëm ky subjekt?
Përgjigje – Aspak nuk më shqetëson. Besimi nuk është kriter vlerash. Kjo më tepër se autorit i takon lexuesit. Gjetja artistike i takon autorit. Letërsia e mirë mbarë botërore vërteton se metafora bëhet më e vërtetë se e vërteta. Ngjarjet nuk janë të natës, por të ditës. Hadi është vetëm mjedis i trishtë, gjetje artistike. Mos harro, Diktatorët vrasin edhe pas vdekjes dhe qenia e dy grupeve shoqërore me opinione të kundërta bëhet burim konfliktesh e krimesh të reja.) Atje poshtë përleshen shpirtra të pafajshëm. Imagjinata e largon shkrimtarin nga arti i përvojave të njohura dhe i drejtohet nocionit të artit si një art i një eksperience personale thellësisht estetike. Është imagjinata ajo që krijon situata për një efekt hipnotik e magjepsës mbi lexuesin. E veçanta, provokon ndjenja të pa provuara e të papara. Gjendja e përveçme mund të jetë mister, frikë, gabim, tmerr, ankth, habi, neveri, pra çfarëdo efektesh të panjohura, reale dhe jo realë, por prekës, sfidë ndaj logjikës, dhe bashkëkohësisë.

Pyetje – Ky roman, mos është dhe një provë tjetër trillimi në gjetjet e tua artistike, të realizuara dhe në poezi dhe në prozë.
Përgjigje – Po, pa dyshim. Çdo vepër është dhe një stad i përvojës artistike. E, subjekti, para se të jetë fakt ose fantazi, moral apo akuzë, dije tjetër, a këshillë, është gjendje e qenies më tepër se një dije dhe argument logjik, por sidomos realizim artistik ndryshe; pra, lexuesi i kualifikuar kërkon të dijë si është shkruar një vepër, jo përse është shkruar e aq më pak kush e ka shkruar. . Lexuesi është qenie e pavarur, koncept tjetër. Shkrimtari dhe lexuesi janë dy brigjet e një ure që asnjëherë nuk mbaron së ndërtuari.

Pyetje – A mund të na i thuash pak më konkretisht, ç’ hapëirë reale dhe e besueshme çelet para lexuesit?
Përgjigje – Romani është i strukturuar si hartë e re, plotësisht e njohur; natyrisht “larg logjikës”. Është pasqyra e hartës së botës së gjallë, kthyer përmbysë me rolin e diktatorëve, në kohën pa kohë, në raport me të gjithë njerëzit, dhe dramat, dashurinë dhe urrejtjen, pemët, lulet e zogjtë… Metafora ka fshirë kufijtë fizikë e metafizikë. Tokës dhe qiellit. Këtu mbillet trupi për të bulëzuar shpirti. Të gjitha elementet e ngjizjes së romanit përbëjnë një metaforë komplekse. Absurdi i saj nuk futet në histori, për më tepër, ajo sajon gjendjen e një lënde që përpunohet nëpër duar, drejt një gjyqi absurd.

Pyetje – Mesazhet e romanit besoj se nuk i shërbejnë metafizikës së njeriut, ata rrahin për ne të gjallët, apo jo ?Pse duhet të kthehemi tek ata që nuk janë më?!
Përgjigje- Mesazhet hidhen në ajër dhe autori thërret lexuesin për bashkëpunim si dëshmi dhe zbulimin e një të vërtete të përgjakshme mbuluar me baltë. Akoma shoqëria jonë postkomuniste nuk i ka gjetur eshtrat e njerëzve të saj të pushkatuar e të zhdukur; akoma xhelatët janë të pagjykuar dhe bëjnë jetën e tyre të privilegjuar sikur nuk ka ndodhur asgjë. Të gjitha kohët kanë patur diktatorë, pra, dhe krime, por Bolshevizmi si epidemi kozmike, ka më se një shekull jete kriminale. Terri i këtyre viteve është më i errët se terri midis të gjallëve. Dhe verbëria gjithashtu. E, nuk duhet të habitemi që diktatori vazhdon të vrasë dhe pas vdekjes, madje, në shumë vende të lindjes është është akoma i gjallë. Ky roman është një akt gjykimi

Lexo edhe :  Ministri Gonxhe përkujton Musine Kokalarin

Pyetje – Si del diktatori në roman ?
Përgjigje – Ai nuk del fare. Por plagët janë të hapura. Me qëllim e kam lënë jashtë shkaktarin , anipse është kryefjalë e pa shprehur. Mungesa e bën më të pranishëm.

Pyetje – Po viktimat si realizohen e si përballen ?
Përgjigje – Këtu secili nga dëshmitarët pohon vdekjen e vet shkaktuar me gjithfarë mënyrash të dhunshme; secili pozon ferrin e vet, dramën e vet me akte origjinale. Dëshmitë në letërsi vetëm shpallen, nuk gjykohen. Dhe apelimet dhe dënimet i ka mbuluar balta. Vendimi dhe dënimi nuk i takon as autorit as gjykatës speciale. Vendimi i takon lexuesit. Duke njohur dhunën dhe krimin, secili realizon “dënimin” pa u shpallur në skenë diktatori vrasës. Këtë e përfaqëson, një personazh vampir, jo i racës sonë edhe më i egër e gjakatar, është një personazh bazal në roman krejt i veçantë – një kufomë trup madhe e pa tretur. Të vdesësh e të mos tretesh, do të thotë ke dënimin më të madh natyror dhe hyjnor. Tek kjo kufomë shtohen misteret në historinë e vrasjeve nga të huajt që kanë komanduar edhe vrasjet e mëdha. Kufoma e gjallë, mbuluar me mish të kalbur, bije erë të rëndë vdekjeje tejpërtej varrezës. Kësaj kufome i është dhënë ky dënim hyjnor kapital me kusht që të pendohet dhe të kërkojë ndjesë, përndryshe, nuk do të tretet e do vuajë dhe në jetën tjetër rëndesën dhe dhimbjen e mishit të një shpirti mëkatar e gjakatar.

Pyetje – Mos vallë ky roman na ofron një grishje për hakmarrje? Si i bëhet me urrejtjen e justifikuar të viktimave për revansh?
Përgjigje – Përkundrazi bateria kryesore e romanit shkarkohet kundër urrejtjes, hakmarrjes dhe revanshit. Kjo kërkon forcë të veçantë, energji shpirtërore. Në jetë dhe në art. Hakmarrja dhe urrejtja si dukuri njerëzore duhet të na nxisin të frenojmë vetveten. Në roman realizohet me një metaforë dyzimi me vetveten. Është mjë zë i brendshëm, kacafytje e qenies me të keqen e vet si me një tumor, që as të vdes as të largohet, por rritet e rritet. Është dilemë e padukur në ndërgjegje. Zërat e kundërt gërmojnë natën e gjumit të njeri tjetrit. E Shumë herë, akoma symbyllur, mua më bëhej sikur do tërhiqja kockat e mia nëpër rërë dhe do qetësohesha sado pak kur tërhiqesha në vetminë time të mundimshme…

Pyetje – Si konkretisht, më duket paksa e parealizueshe, dhe e çuditshme. Kush e përfaqëson hakmarrjen dhe revanshin shoqëror?
Përgjigje – Në provë kam vënë vetveten. Jam dyzuar. Erida, hyjnesha mitike e hakmarrjes, (Te Eskili) është gjysma ime, pjesa ime më e keqe, por e pashmangshmja. Ajo i kishte të fshehta dhe të mprehta kthetrat. Ajo gjallon në brendësitë e çdo njeriu të gjallë. Kurrë nuk hoqi dorë nga inati, hakmarrja dhe sherret duke ndërhyrë brutalisht deri në “Instancat e larta të Hadit”, deri në ëndrrat e mia. Kjo na ndau përfundimisht. Dhe brenda meje mbeti si njollë e izoluar, si një tumor i zi i frikshëm, Ndaj dhe unë e flaka si tumor. Ajo vjen e zbehet nëpër faqet e romanit deri në mosqenie nga ballafaqimi me autorin…

Pyetje – Krijohet përshtypja sikur autori ngrihet në roman për të mbrojtur diktatorin. Mos e kam gabim…?
Përgjigje – Jo, nuk e kini gabim. Kjo është një enigmë që ngrihet në roman, jo vetëm për diskutim, por edhe si kurth. Në fakt ky film i zi që shpaloset publikisht, synon të lajë edhe fytyrën e avokatit ose të autorit. Është një duel personal për të flakur tutje copa nga vetvetja. Është njeriu i përgjysmuar, intelektuali, njeriu i dilemave, gabimeve, dyshimeve, njeriu progresist. Viktima dhe fajtori. Është dukuria e ringut për ballafaqim.

Pyetje – Ç’kërkojmë nga lexuesi në këtë libër që më duket krejt i veçantë?
Përgjigje- Së pari kërkojmë ta lexojë. Së dyti le t’í themi që ky “kurth” që ngrihet që në titull të romanit, është një nga mesazhet e tij e synon të çelë dritën e së vërtetës, të asaj të vërtete që shumëkush e ka shkelur me këmbë. Deri në kriminalizimin e shoqërisë. Që duhet të pastrohet si psikologji e si moral. E duhet t’í vëmë gishtin kokës për përgjegjësitë jetike që ka njeriu në çdo situatë dhe sidomos në raportin e tij me shoqërinë. Intelektuali duhet të jetë violina e parë e koncertit shoqëror. Po letërsia nuk urdhëron, nuk imponohet, nuk është as gjak, as thikë as helm, as flamur – ajo vetëm ndriçon dhe digjet në vetvete. Le t’ía lëmë lexuesit këtë enigmë.
Pyetje – Ju si autor, dëshironi që lexuesi të mendojë si ju?
Përgjigje – Makar të ishte kështu, por jo. Lexuesi thirret në të drejtën dhe lirinë e tij të anojnë nga të dojë. pro dhe kundër diktatorit, ama, gjithmonë me drejtësinë, gjykimin, urtësinë dhe të vërtetën.

Pyetje – Lexuesi, i provokuar tashmë me të pabesueshmen letrare, kërkon një zgjidhje. Si vendosi gjyqi? A ka një finale ky roman ?
Përgjigje – Të gjithë elementet nxitojnë drejt fundit të gjyqit, që pritet me ankth. Është drita e përhershme e eshtrave që akuzon e kërkon të ngrihet përmbi baltën e varreve, për drejtësi. Çdo njeri ka lindur nga eshtrat e pararendësve të vet, është ADN- ja e njëjtë, kësisoj, njeriu shqiptar, i ka aq të dashura, të respektuara dhe të shenjta eshtrat e familjes së tij, por, krejt pa pritur, Hadi i Madh, aprovon një tjetër vendim të pa apeluar dhe të pa imagjinueshëm. Kështu, hyjnia “ma ka mohuar” librin del ”kundër autorit” dhe trupit gjykues , pra, praktikisht edhe kundër këtij gjykimi.

Pyetje – A mundesh, dy fjalë për për fundin në respekt të lexuesit
Përgjigje – Po. Minosi (Kryegjykatësi) ngrihet në emër të Zotit të madh, Hadit shpall këtë projekt vendim.
1.Ti Erida e lashtë, hyjnesha e inatit, sherrit dhe revanshit, pasi tú prenë kthetrat e hakmarrjes dhe planeve për revansh, je e shkarkuar pa kthim, pa apelim nga trojet e vdekjes.
2. Ti, prijësi i të vdekurve të mi, që shqetësove gjumin e tyre paqësor, dëgjo mirë: atje lart u fryve me gjakun e popullit tënd, këtu je i vdekur. Dikur i gjithëpushtetshëm, tani rënë në pjesën më të errët të Hadit, i veçuar, mbuluar me një batanie ngjyrë ari ku lëvizin krimbat, dëgjo! Mallkuar qofsh! Mos arrifsh dot te vdekja e kulluar me këto duar të gjakosura! Shko tani në varrin tënd dhe hesht përgjithmonë!…
3. Ju të vdekur (dhe të gjallë!) Tani s’ka asnjë kuptim rebelimi juaj kundër ish prijësit tuaj. Asnjë nga harqet tuaja vrastare nuk e arrin dot të ndalojë varrosjen e tjetrit, sepse ai s’është më ai. Hakmarrja juaj është e verbër dhe e kotë. Pa kuptuar ju kini ngritur dorë kundër jetës suaj dhe amshimit. Dhe kjo bie ndesh edhe me racën dhe karakterin tuaj. Të nderuar, çohuni më këmbë! Shkoni nëpër varret tuaja, qetësohuni dhe heshtni!
Firmosur Kryetari i gjyqit, Minosi

***
Unë, avokati i diktatorit, mbajta fjalën e fundit që u përhap në ajër si gjethet e vjeshtës:
…Mos ishte vegimi i një dritëze që na vetoi vetëtimthi paksa nëpër eshtra? Mos vallë edhe dielli i demokracisë është lodhur e për një çast përplasi qerpikët e zjarrtë dhe na verboi..Ja tani, turpëruar nga vetvetja u largua krye ulur… Ç’ishte e gjithë kjo? Ëndërr apo një e vërtetë tjetër? A thua vetë Zoti i nën dheut, Hadi i Madh, zhytur në mbretërinë e vdekjes thellë natës së përtejme, po tallet me ne?!
“Avokati D.V.”

Të fundit

‘Palestinezët nuk do të kenë të drejtë të kthehen’/ Trump zbulon planin e tij për Gazën

Presidenti Donald Trump deklaroi se palestinezët në Gazë nuk do të kenë të drejtën e kthimit sipas planit të...

Një milion dollarë për të deshifruar shkrimin enigmatik të Luginës së Indus

Një milion dollarë do të shpërblehen për këdo që mund të zgjidhë enigmën e shkrimit të Luginës së Indus, një nga misteret më të mëdha...

Richard Gere e quan Trump një njeri bullizues: Jemi në një vend shumë të errët në Amerikë

Ndërsa pranoi një çmim për arritje të jetës në Çmimet Goya në Spanjë, Richard Gere shfrytëzoi rastin për të shprehur shqetësimet e tij për...

‘Një martesë, një divorc, një funeral’/Komedia satirike premiere në Korçë

‘Një martesë, një divorc, një funeral’ është komedia satirike që u shfaq për 5 netë radhazi në sallën e tejmbushur të Teatrit të Korçës. Me...

Përparësitë e kopshteve vertikale nuk janë vetëm estetike, ato ulin temperaturën në qytet

Kopshtet vertikale janë një risi (relative) vitet e fundit, ato po shfaqen gjithnjë e më shpesh në lagjet e qytetit tonë dhe ata që...

Lajme të tjera

Web TV