“Çmimi i lirisë”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

A ka çmim liria? A mundet që liria të thyejë kanone të pakthyeshme apo t’i mposhtë vështirësitë e panumërta që përball jeta e sotme? Si perceptohet sot liria? A është liria thjesht abstrakte? Pse filozofët rreken të nxjerrin të pamundurën atje, ku është e pamundur të perceptohet pa lirinë? Po mbase, kjo, është mrekullia e artit dhe e fuqisë së lapsit të karikaturës, që nuk i kërkon publikut të angazhohet sesa i detyrohet talentit dhe kulturës së artistit që krijon dhe përshfaq metaforat kuptimore.

Artisti Arben Meksi është nga të paktit që prej vitesh ka trasuar udhën e tij në karikaturë, paçka se vokacioni i tij kulturor-intelektual e përcjell natyrshëm edhe në fusha të tjera. Liria për të në këtë karikaturë, që po paraqesim, ka një simbolikë të jashtëzakonshme duke zbërthyer një ide përmes dialogut të brendshëm të metaforës. “Krahët e lirisë”, emri i karikaturës që po botojmë sot, është e destinuar të mbajë individin e ndrydhur për të mos e thënë dot të vërtetën brenda kafazit të rregullave, kanoneve, ligjeve dhe mbi të gjitha pushtetit, që nën çatinë demokratike ka transformuar gjithçka në interes të lobeve të pushtetit. Dy pëllumbat e Meksit shikojnë realitetin nga dy botë të ndryshme perceptimi, ku liria megjithë aspiratën për fluturim rri e ndrydhur dhe e mpakur, kurse pjesa e lirisë, që nuk e mendon fluturimin “e qesëndis” nga jashtë kafazit. E pamundur ta ndihë, e pamundur t’i ndryshojë drejtimin, sepse krahët e saj janë të ulur dhe të gjakosura, tashmë të gatshme për çdo flirt të mundshëm. Dhe, gjaku që rrjedh nga krahët e shkulur të palirisë mbartin tashmë paradoksin me staturën “e kënaqur” të mbijetesës që shikojnë përballë kthetrat e mbledhura të Lirisë së ndrydhur n’kafaz.

Po a është liria vetëm funksion i fisnikërisë së mendimit dhe elegancës së intelektualitetit të lirë? Për gjatë të gjithë kohërave, liria është ndrydhur dhe një nga temat që e fokuson artistin Meksi është pikërisht kjo: Liria sfidon por në këtë kohë ajo vetë është e sfiduar frikshëm. Kaq e madhe është kjo ndjenjë, saqë gati në shumë prej punëve të tij përmes metaforave të kujdesshme dhe shumë herë përtej humorit të natyrshëm që lind karikatura, na e zbërthen hapur trishtimin e Lirisë sot. Bota në emër të metamorfozave të Civilizimit dhe Globalizmit po e dëmton pa u shqetësuar Lirinë. Nuk do t’ia dijë nëse individi që duket si “Pëllumbi i lirisë” ka ngritur krahët edhe është gati të fluturojë, rëndësi ka që çdo gjë të jetë e kontrolluar. Dhe, Liria e sotme nuk është liria e fundit të shekullit XVI, kohë kur liria ka qenë sinonim i prejardhjes ose edukimit prej zotërie: i fisnikërisë, i bujarisë, i shpirtmadhësisë-i çdo tipari që pretendonim për vete të fuqishmit e të pushtetshmit si shenjë e ekskluzivitetit të vet, shkruante dikur sociologu Bauman, liria jonë është ajo e paradokseve dhe e qasjeve pa sens në kurriz të lirisë.

Lexo edhe :  “Vendi më i humbur në Shqipëri”, premierë në amfiteatrin e Durrësit

Teksa, përballja me Evropën përcillet në punën tjetër, që autori e ka zgjidhur me diçiturën: “Klepsidra brenda Evropës”. Shqipëria po përball një nga sfidat më të jashtëzakonshme për të nisur hapat e parë të integrimit evropian. Por klepsidra brenda orës me simbolikën e Evropës e ka të përcaktuar përfundimisht udhën e saj. Ajo “derdh rërën” dhe e rikthen në një ritual përjetësor, ashtu si udhëzimet dhe masat e marra nga Brukselit bëjnë të njëjtën udhë, duke thënë teorikisht të njëjtën gjë…por duke na mbajtur të ndrydhur. Shqipëria rri dhe e ndjek lëvizjen e klepsidrës e pafuqi. Demokratizimi dhe integrimi po ecin ngadalë për të mos thënë se kanë ngecur ngaqë Evropa është e mbyllur ashtu si ora e Meksit, që ai e zgjidh me finesë dhe me një vizatim të bukur, ku rregulli që paraqet ora dhe sublimiteti i Klepsidrës, mbizotërojnë si gardianët e pamundësisë.

Arben Meksi dallon për një vizatim elegant, kurse formimi si arkitekt i ruan të pastër konceptin e formës, që i prevalon dhe shumë herë e ndih natyrshëm për të përsosur përmbajtjen. Arben Meksi që e nisi rrugëtimin e tij në vitet ’80 në tempullin e karikaturës shqiptare, revistën  “Hosteni”, sot është një zë profesional i cili e përfaqëson Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare dhe bashkë me pak kolegë po e mban këtë zhanër kaq mundim-kërkues në nivele tejet të larta. Nëse në fillim të viteve ’90, ky zhanër nisi të humbte tashmë po mbahet gjallë nga pak personazhe, si Meksi, i cili mundohet të përshfaqi interesat e veta kulturore-etike-politike në problematikat që mbart qenia e sotme, qoftë në vend por edhe ndërkombëtarisht përballë realiteteve. Ndaj, metaforat grafike të Meksit kanë vite që synojnë një publik shumë më të madh gjeografikisht, emocionalisht me interesa të gjëra politike dhe sidomos kulturalisht aq të ngritur.

 

Të fundit

Trump mburret për “rilindjen” e SHBA-ve në gjashtë muaj

Presidenti Donald Trump pretendon se ka rilindur Shtetet e Bashkuara brenda vetëm gjashtë muajve nga kthimi i tij në...

Paul Pogba flet për transferimin e Rashford tek Barça: “Jam shumë i lumtur për të”

Barcelona ka siguruar shërbimet e Marcus Rashford, një nga lëvizjet më të mëdha të kësaj merkato. Marrëveshja do të bëhet zyrtare në orët e...

Vijon zjarri në malin e Dukatit, punohet për të shmangur përhapjen e flakëve

Vijon të jetë aktiv prej disa ditësh zjarri në malin e Dukatit në Vlorë. Puna për shuarjen e flakëve po vazhdon nga toka edhe...

Fiasko nuk nisi kur Britania zbuloi emrat e afganëve, por kur pushtuam vendin e tyre

Simon Jenkins* Cilat janë gjasat për një hetim publik mbi super-ndalimin informativ të lidhur me Afganistanin? Me shumë gjasa do të ishte një hetim i...

Pak minuta në SPAK, Berisha “shpërthen” ndaj Gjokës: Ta quajmë mashtruesen Irena Dumani

Ka zgjatur shumë pak minuta, “vizita” e kryedemokratit Sali Berisha në Prokurorinë e Posaçme. Për gazetarët, ai lexoi shënimin që sipas tij i la...

Lajme të tjera

Web TV