Doruntina në bulevardin e vdekur

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Frrok Çupi

Pendesa e fundit e Kostandinit:

Pse nuk e kishte shpallur Doruntinën ‘dëshmore’ të atdheut, por e la veç me një varr. 30 vjet, e nuk e kishte bërë këtë gjë!  Ideja i erdhi në kokë dje kur po niste zbarkimin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Po të ishte Doruntina ‘dëshmore’, ajo menjëherë do të deklaronte se ndodhej në bulevardin që i përket asaj…

Por edhe kjo ide u fik në momentin kur Sali Berisha u shfaq në derën e hekurt të PD, ish SHQUP, dhe aty u step. Iu bë sikur rrasa e gurtë që mbulon Doruntinën e vdekur nuk mund të hapej kurrë për të, dhe u largua me qëllime bizare, ndoshta do të kthehet nesër te ‘varri’. PD, domethënë  ‘Doruntina’, nuk është më për kalin e Berishës; edhe kjo ide ka vdekur.

Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ iu duk larg, shumë larg, sa në Jutbinë. Bulevardit glorifikues të Musolinit dhe Hoxhës iu avit çalë- çalë, si ta kishte Doruntinën jo në kalë, por mbi shpatulla. Një ëndërr e keqe. Tetë bodyguardë (që në kohën e Kostandinit quheshin mercenarë) po i bënin hije të keqe. Saliu kishte ardhur në bulevard me një ide gjiganteske për të shembur gjithë Ballkanin, edhe ‘Ballkanin e Hapur’, por s’po e mbanin vegjët. Filloi të mërmërisë me vete, dhe për këtë nisi të urrejë rojat që po ia shikonin dobësinë.

Mërmërima me veten:

E para, po sa pak shahitë paskan ardhur në ditën e Doruntinës. Rreth tij priste që të vinte ‘populli mbarë’ në mburravecllëkun e Berishës. Po veç pak kosovarë e pak tropojanë, sa pesë sofër burra kishin ardhur në bulevardin e vdekur. Vajmedet për këtë ditë- mërmërinte Saliu.

E dyta, mërmërima inatçore:

Ah more ‘Ballkan i Hapur’!… I erdhi në kokë pamja e rrasës së mbyllur te dera e Partisë Demokratike, dhe iu bë se për të tjerët çdo gjë është i hapur, edhe Ballkani vetë ku ka ndodhur Balada e Kostandinit. Veç për Berishën janë mbyllur të gjitha. Aty u nxeh keq; por s’e mbanin leqet. Bodyguardët janë e zeza e të zotit, se ata shikojnë e shënojnë çdo gjë.

Mërmërima me bodyguardët:

Të gjithë ata duket se kanë dalë nga e njëjta kuti: Secili me mjekër të zezë. Duket se që nga data 9 shtator, kur Berisha u përjashtua nga Parlamenti i PD, tetë bodyguardët janë depozituar në një bunker të madh, derisa t’u rritej leshi në fytyrë. Ata duheshin ‘me leshra të frikshëm’ për këtë ditë në bulevardin ‘e vdekjes’. Saliu kishte menduar se këtu do të vdiste vendimi amerikan për ‘non grata’, por ndodhi e kundërta. Bodyguardët ishin tetë, i nënti Berisha. Të nëntë janë kompozuar si nëntë malet e Baladës së Doruntinës; këta do të kapërcenin nëntë male… Por miti ra në bulevardin ‘Dëshmorët…’

Lexo edhe :  A mund të jetë 21 janari “në fazë hetimi paraprak” edhe në vitin 2025?!

Mërmërimë me të rënët:

Të gjithë ata që u mblodhën rreth ‘Doruntinës’, të gjithë janë të rënë. I pari është vetë vëllai, Saliu. Ky erdhi në histori mbi kalë dhe po ikën më këmbë. Kur po zbriste nga podiumi ku mbajti fjalë e i dha porosi Amerikës (si të fliste me Doruntinën e gjallë), bodyguardi i futi krahun, e mbajti peshë dhe e zbriti në gurët e bulevardit. ‘Tash po shkojmë në shpi, vëlla, se nuk mban më!’, i mërmëriti roja në veshë.

I dyti hipi në podium ish- presidenti Nishani. Atë e mbajtën për krahësh edhe kur hipi, por edhe kur zbriti. Fatkeqësisht, gjatë gjithë presidencës së tij, sëmundja e rrëzoi dhe e bëri ta marrin për krahësh. Kësaj nuk ke ç’i bën; por nuk ka shtet në botë që mban një president ‘për krahësh’. Tani, me rastin e  Doruntinës, popullit shqiptar, të njëjtët po i ofrohen ‘për të ardhmen’.

E treta, hipi, por nuk donte të zbriste ish deputetja e një ish- presidenti të një ish-parlamenti në Kosovë. Dëshmia nuk e regjistroi emrin e saj. Vetëm një gjë dukej se e kishte të përtërirë që nga koha kur mbahej mend: dhëmbët e gojës. Kjo grua kosovare deklaroi se Saliu ishte vetë ‘legjenda’. Saliu ngriti pak sytë dhe iu bë se bash kjo ishte ‘Doruntina’. E gjeti të gjallë më në fund; nuk i duhet më as PD as Ballkani!. Ky qe edhe momenti kur Saliut i ndriti gëzimi: “Ja pra që Doruntina ndodhet këtu, pranë meje!’.

Më shumë u gëzua se iu bë sikur Amerika nuk ia paska rrëzuar dot Mitin… Dhe morën rrugën për në shtëpi. Bulevardi ‘Dëshmorët…’ po përjetonte vdekjen.

Të fundit

Joan Laporta befason me premtimin e tij për tifozët e Barcelonës

Vitin e ardhshëm do ketë zgjedhje presidenciale te Barcelona. Joan Laporta do rikandidojë dhe deri tani konsiderohet si fituesi...

“Burri që mori miliona jetë”, vajza sekrete e Putinit e kritikon

Një seri mesazhesh të fshehta në Telegram e kanë rikthyer në qendër të vëmendjes Louisa Rozova-n, 22-vjeçaren që përflitet të jetë vajza sekrete e...

U shpall i zhdukur nga familja, gjendet i groposur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Baincë të komunës së Lipjanit në Kosovë. Një person i cili ishte raportuar më herët si...

Vrasje me armë zjarri në Vaun e Dejës!

Një 65-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së hënës, në Vaun e Dejës. "Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, në Vau...

Zhvillimi i temës së diversitetit kulturor në marrëdhëniet ndërkombëtare

ARBEN JAUPAJ - Zhvillimi i temës së diversitetit kulturor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Diversiteti kulturor është një nga temat më të debatuara të shoqërisë në...

Lajme të tjera

Web TV