Në dhjetëvjetorin e vdekjes
Josif Papagjoni
…Dhjetë vjet më parë kritiku Adriatik Kallulli, emër fort i njohur i letrave shqipe, eruditi dhe ligjëruesi i pashoq i katedrave dhe lektoriumeve të universiteteve, mbylli sytë në një paqe të amshueshme në Vienë të Austrisë. Koha e rreptë e mortit, koha e epifanisë së tij teksa është bashkuar tashmë me frymën, e bën të vështirë të gjesh fjalën më të saktë, fjalën më të ëmbël, fjalën më të bukur. Emri i tij në kujtesat tona lëviz. Lëviz në parafytyrimin tim pasi me të më bashkonte jo vetëm fjala për letërsinë dhe artet, jo vetëm të qenit pedagog në Universitetin e Arteve, jo vetëm profesioni si kritik, por ca më shumë miqësia dhe mallëngjimi që ndanim së toku gjithkund. Ende e kam krahun të ngrohtë nga shtrëngimi i dorës së tij teksa ecnim udhëve.
Adriatik Kallulli ishte një profesor i respektuar gjithkund, një dekan i dijes letrare dhe estetike, një lektor dhe ligjërues me talent burimor, që dinte t’i jepte sa peshë historike e teorike fjalës, aq dhe shprehësi, elegancë, stil, hijeshi. Kjo dije është një enciklopedi shëtitëse mbetur në mbamendjen e mijëra e mijëra studenteve ku ka dhënë leksionet e tij mbushur plot njohuri e pasion; ngulitur te shkrimtarët, artistët, intelektualët e kohës, lexuesit e shumtë, kombi. Mendja e begatë e profesor Kallullit është mbjellë në mijëra artikuj, ligjërime, kumtime; e gjen të përzgjedhur aty, në 8 monografitë e tij të botuara dhe të tjera që mbetën në dorëshkrim. Ai ishe njeriu i dijes, i horizontit të mendimit. Ai lindi mbi një det teksa nëna e tij shkonte në një tjetër tokë, në Bari të Italisë, dhe prandaj ai mori emrin e atij deti: Adriatik. Dhe e reshti frymën e fundit në një tjetër tokë të huaj, në Vienë të Austrisë, në prag krishtlindjesh kur dita mundte natën, për t’u rikthyer në tokën e tij përmes qiellit. Dhe një grimë herë e shoh rrugëtimin e tij në jetë si një trajektore drite, një hapësirë e lakmuar për gjithë njerëzit që i blatohen pasionit të tyre siç ai iu blatua. Atij i shkon metafora “det e qiell bashkë”. Me rrënjën e gjakut ishte nga fshati Sasaj i Bregdetit të Jugut, ndërsa horizonti i mendjes, fisnikëria dhe lartësia e karakterit dhe dinjitetit njerëzor, së toku me aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të pushtuar auditorët universitarë duket sikur shënjonin edhe metaforën e qenies dhe mendimit të tij të shtrirë në mbi 50 vjet studime, botime, veprimtari kritike e pedagogjike. Mendja dhe shpirti i Adriatik Kallullit qenë të dyja të gjera, të thella, të hapura.
Përpos gjerësisë dhe lartësisë, në studion e tij bujti edhe aventura e guximit teksa u jepte formë qasjeve të tij kritike e analitike. Brezi im, dhe të tjerët më pas, u mëkuam nga pena e tij e shkathët, nga mendja e tij e hapur, mësuam inxhinjerinë e shqyrtimit kritik ku idetë nuk duheshin mbytur nën zhguallin e klisheve dhe skemave, as të ftoheshin nga bryma e racionalitetit të tepruar, por të fluturonin hapësirave të çlirëta të asocacioneve sikurse aq hijshëm dinte të fluturonte ai. Adriatiku ishe modeli i fjalës së zjarrtë, pasionale, i stilit të veçantë, i frymës së kohës. Romanet e Xoxës, poezia e Kadaresë dhe e Arapit, rrëfimet e Agollit dhe vargjet e Spahiut kishin po aq ahtin e shpirtit të tij. Edhe Migjeni edhe Noli, edhe Poradeci apo Kuteli, të adhuruarit e tij, paçka se koha kishte hedhur mbi fjalën e tyre velin e vlerësimit historik, te lexuesi i Kallullit kalonin po përmes portës së frymës së tij. Frymë që shpirtëzonte shumëçka e shumëkë duke mbetur gjithëpo ajo, e ngrohtë dhe e shtrenjtë sa s’ka. Ndjenja e bukur estetike, emocioni i thellë, sqima stilistike ishin tre të parapëlqyerit e tij. Ky ishte modeli më elegant që aso kohe, kur fjala ishte e lidhur nga vargonjtë, ne mësuam, vlerësuam dhe pëlqyem nga prof. Adriatik Kallulli.
Kujtoj me mall se si ai ngarendte sa nga një auditor në tjetrin, sa nga një qytet në tjetrin. Ishe pa qibër, i thjeshtë, zemërhapur, andaj dhe kurrë nuk nguroi të bënte pjesë të vlerësimit të tij me qindra letrarë e libra të rinj anembanë Shqipërisë etnike. Por rrugëtimi i tij mbërrinte rëndom edhe nëpër katedrat e metropoleve universitare e akademike nga SHBA në Gjermani, nga Franca në Zvicër, nga Kajro në Vjenë, nga Brukseli në Helsinki etj. Ai ishe në rrugë sepse vetë ishe një rrugë. Por rruga më e dashur e tij ishte ajo ku flitej shqipja jonë e bukur, sepse Kallulli ishe një selitës i shqipes, ishe zot i kësaj fjale nëpër tubime pafund shkrimtarësh e artistësh. S’di pse ligjërimi i tij kishte diçka përthithëse brenda, diçka si nga magjia apo religjioni, sepse ndoshta vetëm kështu shpjegohet ai interes i madh që dëgjuesit e tij të shumë, posaçërisht studentët e letërsisë, arteve, gazetarisë i dorëzoheshin situatës hipnotike të komunikimit me të. Rrallë njerëz e kanë këtë veti si ajo e mikut tim të larguar por të paharuar, Adriatik. Po, ai ishe një ligjërues i rrallë, i shkallës së parë, sepse e përziente bukur mirë dijen dhe analizën e kthjellët me migrimet nëpër mistikën e artit, në gjëza e referenca estetike, filozofike, në bëma personalitetesh. Kjo lidhej doemos edhe me kujtesën e tij të jashtëzakonshme, e cila mua më pat sfiduar qindra herë teksa më tregonte, madje, gjer edhe faqen e romanit, librit a shkrimit ku mund të gjendej kjo apo ajo gjëzë, ky apo ai emër personazhi, varg poetik, sentencë filozofike. Më habiste se si mbante përmendsh mijëra vargje nga poetët tanë dhe ata botërorë, në shqip e anglisht. Mendja e tij ishte vërtet një bibliotekë.
I dashur Adriatik! Ti je tashmë i bashkuar me frymën. Prehu në paqen e amshueshme, ashtu siç ishte edhe shpirti yt: i bardhë dhe i tejdukshëm si ajri. Sot jemi në dhjetëvjetorin e vdekjes tënde, ne familjarët e miqtë e tu të shumtë kurrë s’mund ta harrojmë të qeshurën tënde. Po, i shtrenjti mik, ti ishte i pangopur me jetën, me gëzimin, se ishe një pionier i tyre. Ne që të kemi dashur aq shumë si studentë, si kolegë, si miq, si bashkëvendasit e tu e dimë se ti ishe nga ajo farë që e sfidon harresën e mortit, duke mbetur pjesë e memories kulturore të shqiptarëve. Fjala jote, ashtu si pjalmi, diku nëpër sallat dhe studiot e Akademisë së Arteve ka për të drithëruar, diku nëpër auditore universitetesh ka për të pëshpëritur në vetmi sublime. Të jesh i sigurt për këtë. Dhe ngaherë ajo do të gjallojë në kujtesën tonë, pranë një gote vere, një kafeje a një bisede miqsh; dhe mes heshtjes së meditimit, të tjerët kanë për ta gjetur atë mepatjetër në rafte librash dhe arkivash. Fjalën tënde të ngrohtë, të bukur, të kulluar. Fjalën e dijes dhe të shpirtit. Fjalën e njeriut që ndërtoi me aq punë e pasion një emër deti: Adriatik.