Ditën e shtunë, ish-kryeministri Sali Berisha do të thërrasë protestë para zyrave të PD-së, ku qëllimi i shpallur është që të merret godina dhe largojë kryetarin Lulzim Basha, që sipas tyre është shkarkuar nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit. Deklarata të forta nga kundërshtarët në “betejën e dyerve” dhe jo të ideve.
Ky vit nisi vrullshëm për politikën shqiptare. Partia Demokratike vazhdon të mos gjejë qetësi. Dy “kryetarët e PD-së” vijojnë të nxjerrin AS-at që kanë nën mëngë. Ditën e hënë dhe martë Basha filloi me fortifikimin e selisë së Partisë Demokratike, duke e ndjerë konfliktin e mundshëm që është aty në prag. Një grup deputetësh nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike shkuan dje në selinë blu, ndërsa sot është afati i fundit i vendosur nga ta që kryetari Lulzim Basha të lirojë zyrën e tij. Flamur Noka, Edmond Spaho, Luan Baçi, Tritan Shehu kanë shkuar në selinë e PD ku kanë tentuar që të hyjnë përmes derës kryesore, por kanë parë se ajo ka qenë e mbyllur. Më pas ata kanë kërkuar informacione nga gazetarët, nëse këta të fundit janë futur apo jo në seli. Fill pas këtij veprimi, deputetët kanë provuar që të hyjnë në seli edhe nga dyert e tjera që ndodhen nga pas, por dhe ato kanë qenë të mbyllura. Noka është kthyer pas në kohë duke nënvizuar se selia e PD është marrë në kohën kur Noka ka qenë ministër. “Kjo seli me firmën time e të Sali Berishës ka qenë. Kam ardh për të hyrë në seli ku jam deputet prej sa vitesh e anëtar i kësaj partie që në themelim”, tha Noka. Pas deputetëve, mbështetës të Berishës, në një prononcim për media ishte edhe Sekretari i Përgjitshëm në PD, Gazmend Bardhi ku tha se dera është e hapur për demokratët por jo për trafikantët e Berishës. Megjithatë ditën e shtunë pritet që të ketë edhe forca policie dhe nuk dihet nëse demokratët do të përmbahen të hyjnë brenda me dhunë.
Reagimi i Nokës
Në një prononcim për mediat nga selia e PD, deputeti demokrat Flamur Noka u shpreh se është i keqardhur që shtëpia e lirisë, sikur e quan ai PD, është kthyer në një Alkatraz të kohëve moderne. “Një grup deputetësh dhe deputetesh anëtarë të grupit PD, erdhëm sot (dje) në selinë e PD, në shtëpinë tonë, për të zhvilluar një takim dhe një mbledhje në lidhje me axhendën për 2022. Ajo që po konstatojmë me dhimbje është se shtëpia e lirisë, PD sot duhet të ishte një ambjent ku të gumëzhinte, ambjent festiv që të bashkonte të gjithë demokratët, por për fat të keq Edi Rama e ka kthyer me pengun e tij në një Alkatraz të kohëve moderne. Gjithçka e mbyllur e blinduar, thua se e ka kthyer PD në një burg të sigurisë së lartë. Kjo është e turpshme e neveritshme. Pengu i Ramës mund të rrijë i vetëburgosur, si mënyra më e mirë që Rama të zgjasë pushtetin. Rama e ka gabim, kurrë nuk mund të burgosë shpirtin e lirë të demokratëve. Data 8 do jetë një ditë që demokratët do marrin frymë lirisht, nga shtëpia e lirisë. Në mënyrën më paqësore, demokratët nga Alkatraz do e kthejnë në shtëpi lirie këtë seli”, u shpreh Noka.
Reagimi i Bardhit
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi në një komunikim me mediat deklaroi se brenda selisë blu po kryhen punime për shtimin e hapësirave të punës. Ai e cilësoi shoë mediatik ardhjen në seli të një grupi deputetësh të Komisionit të Rithemelimit të PD, që tentuan të hynin brenda institucionit, por dyert ishin të mbyllura. “Më lejoni t’ju uroj një vit të mbarë, me besimin dhe shpresën që gjatë këtij viti të bëheni zëdhënës për lajme pozitive për demokratët dhe qytetarët shqiptarë. Shoë mediatik që patë para pak minutash në shkallët e PD tregon edhe një herë se për disa shoë dhe tallja e vijueshme me demokratët ka zëvendësuar betejën me regjimin e Ramës. Kemi konfirmuan edhe dje (të martën), sikundër është fakt i njohur se në godinën e PD, në ambientet e brendshme të saj janë duke u kryer punime. S’ka nevojë për të ardhur në dyert e PD. Dyert e partisë s’do të qëndrojnë të mbyllura”, tha Bardhi. Ai tha se në 18 dhjetor ka mbaruar koha e llafeve, dhe sipas Bardhit ka filluar koha e punës. “Ju do të hyni dhe do e shihni që në selinë e PD po shtohen ambientet e punës. Koha e llafeve ka mbaruar në 18 dhjetor. Disa që kishin vetëm llafe e janë zgjedhur rrugën e tyre, kanë betejën e tyre. Institucionet e partisë janë në betejë me Ramën. Selia qëndronte e PD ka qenë dhe do të jetë e hapur për çdo demokrat të sakrificë dhe që punon me mund dhe djersë për PD. Do të jetë gjithmonë e mbyllur për çdo trafikant droge që në çdo shëtitje në PD ka qenë në krah të Sali Berishës dhe në mbështetje të tij. Aktet e dhunës dhe gjuha e dhunës e transmetuar gjatë këtyre ditëve, nuk është gjuhë që i shërben demokracisë. Por i shërben forcimit të Edi Ramës.”, tha Bardhi. Sipas tij selia e PD-së është e hapur për çdo demokrat dhe jo për trafikantët e drogës që mbështesin dhe shoqërojnë ish-kryeministrin Sali Berisha.
Reagimi i Komisionit
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka dalë me një deklaratë për shtyp në lidhje me situatën e krijuar në selinë e PD, ku disa prej deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, nuk arritën të hyjnë brenda. Sipas këtij Komisioni, Lulzim Basha i ndihmuar nga Edi Rama në vend që të zbatonte vendimin e 44 mijë anëtarëve për t’u larguar, zgjodhi të kthejë në një bunker selinë e Partisë Demokratike. Më tej, Komisionin për Rithemelimin iu bën thirrje demokratëve që të bashkohen në protestën paqësore të 8 janarit përpara PD. “Sot skadoi afati i caktuar me tolerancë dhe civilitet nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, për lirimin e zyrës së kryetarit të PD-së nga ana e Lulzim Bravës, pas shkarkimit të tij me votën e lirë, nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor 2021 dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor 2021”, thuhet në deklaratë. Sipas Komisionit, në vend që Basha të jepte dorëheqje, reagoi në mënurën më të turpshme. “Në vend të respektimit të këtij afati, deputeti Lulzim Basha, peng mjeran i Edi Ramës për aferat e tij, reagoi në mënyrën më të turpshme e kriminale. Ai shfrytëzoi ditët e afatit tolerant, jo për të mbledhur rraqet e veta por për të blinduar dyer, hyrje e dritare të Selisë së demokratëve shqiptarë, sikur ta kishte pronë private, njëlloj dhe me të njëjtin projekt si Pengmarrësi i tij, ndërtesën e Kryeministrisë. Ky akt i pashembullt në historinë e një force politike, është përdhosje e selisë së PD, votës së 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar dhe 44 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike, të gjithë demokratëve që nga themelimi i PD-së, si dhe i të rënëve të kësaj partie në këto 30 vite”, thuhet në deklaratë. Në fund, është bërë një ftesë për të gjithë demokratët që ti bashkohen protestës së 8 janarit, para Selisë së Partisë Demokratike, me moton “Jo bunker i Pengut po Shtëpi e Demokratëve”.