Gjakmarrja në prizmin e Martin Camajt

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fatlum Meholli

Shoqërinë shqiptare ndër shekuj e ka përcjellë dukuria e gjakmarrjes, megjithatë në kohët e sotme funksioni i saj është zvogëluar ndjeshëm për shkak të konsolidimit të shtetit ligjor dhe çrrënjosjes së normave kanunore. Ky përparim kishte ndodhur kohë më parë nëpër qytete të Shqipërisë, por në malësi ndodhte e kundërta. Malësorët ruanin ende me ngulm karakteristikat që i konsideronin tipike shqiptare ndërshekullore – një e tillë ishte gjakmarrja.

Në letërsinë shqipe një tematikë e tillë është shumë e pranishme, qysh nga letërsia gojore e tutje – mjafton ta kujtojmë novelën “Gjaku” të Ernest Koliqit që me anë të një analize psikologjike të protagonistit, autori portretizon pamundësinë e malësorit për t’iu shmangur normave familjare. Pra, sado që tentohej t’i ikej determinimit, malësori kthehej mbrapa.
Martin Camaj, si poet tejet i ndërlidhur me kulturën dhe folklorin shqiptar, nuk mund t’i shmangej trajtimit të një dukurie të tillë. Madje, vet poeti në esenë “Jo gjithë jeta qenka burim poezie” pohon se ka rrethana në jetën e njeriut që ky don me i harrue. Posa qet kryet një këso ngjarjesh në kujtesën e tij, ai e ndrydh, për shpirt kishte me e nxjerrë me gjithë rranjë prej fundit të zemrës, por s’ban! Papritmas kujtimet e pakënaqshme mbijnë dikund ku as ndërmend nuk të shkon, shpesh si shfaqje negative, për shembull, në marrëdhanje me të tjerët. Nëse kjo vetje që don me harrue diçka është krijues, këto ngjarje të pakandshme i shfaqen pavetëdishëm në krijimet e tij në letërsi, për shembull, ose në pikturë apo në tinguj.

Pra, kjo do të thotë që artisti e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, ta zhvesh tërësisht artin nga faktet e njohura, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Andaj, poezia “Drekë malsore” është rast tipik i trajtimit të kësaj tematike, gjakmarrjes, përmes mediumit letrar – poetik.
Duke u nisur qysh nga titulli: “Drekë malsore”, na krijohet përshtypja me përgjithësimin e malësorëve, tubimin e tyre dhe mentalitetin e ngjashëm. Kjo “drekë” në poezi shtrohet për shkaqe mortore.

Në poezinë “Drekë malsore” së pari vërehet vargu refren Sot asht marrë nji gjak. , që përsëritet tri herë qysh në fillim të saj. Dukuria e përsëritjes ka të bëjë me përqendrimin maksimal në çështjen e ngritur – në këtë rast rreth dukurisë së gjakmarrjes. Ky varg që ka karakter dëftues, me ç’rast mbyllet me pikë në fund, receptuesit i sugjeron për një gjendje të zakonshme që tregohet pa emocion/tension. Kjo nënkupton që kjo formë, pra gjakmarrja, ishte aq e pranishme në vend, saqë kur materializohej nuk përbënte ndonjë çudi për marrësin e lajmit apo dhënësin e tij. Jo-emocionaliteti ndaj finalizimit të një akti kaq serioz, përveç në vargun refren, shpërfaqet po ashtu në vargun e dytë të poezisë: Dy plumba lëshuen përdhe nji burrë., me ç’rast strukturimi i një vargu të tillë me një gjuhë krejt të thjeshtë deklarative pohon për zakonshmërinë e një akti të tillë brenda shoqërisë malësore.
Dëftimi për marrjen e gjakut, në poezinë “Drekë malsore”, pason me paraqitjen e zakoneve të mëtejme pas kryerjes së aktit, duke u fokusuar në ritualet mortore të fisit të viktimës. Këtë, Camaj, e realizon përmes vargjeve përshkruese:

Lexo edhe :  “Une femme mariée”, shfaqet në Tiranë filmi që tronditi shoqërinë e kohës

Nën tunin e spatës
pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Vazhdohet në vargjet e tjera ku kemi të bëjmë me karakteristika zakonore, temporale dhe hapësinore. Vihet në dukje gjëma e burrave, një dukuri e shoqërisë malësore që manifestohej në rastet e kësaj natyre. Po ashtu duket sikur ngjarja kishte ndodhur në fund të stinës së vjeshtës. Ndërkaq, hapësira ku mbahej rituali mortor ishte e jashtme. Pra, jepet një pamje krejtësisht e qartë e një dukurie të tillë të shoqërisë malësore:

Gjama e burrave tërbueshëm
përzihet me erën e mishit ndër zjarrme.
E gjethi i vjeshtës bjen
i djegun mbi kapuçat e bardhë
ndër tryeza, jashtë.

Pas kësaj, vijnë dy vargje të parafundit që kanë të bëjnë me ngjarjet postmortore dhe rituale. Tashmë, natën, viktima po prehej në varrezat e malësisë, ndërkaq ditët e reja të zakonshme po vinin pas.

Natë. Në varrezat mbi kodër
tokë e re, hanë e re.

Poezia mbyllet me vargjet asociative që ngjallin kureshtjen e lexuesit:
Ujqit janë ulë prej malesh
e pijnë gjak në prrue.

Nëse i marrim në formën e drejtpërdrejtë, mund të përfytyrojmë një kope ujqish që kishin zbritur nga lart te përroi për të pirë gjakun e kaut që malësorët kishin prerë më herët për të shtruar drekën malësore. Ndërkaq, nëse e shohim nga një perspektivë tjetër kuptimore, atëherë mund të aludojmë për karakterin përsëritës së dukurisë së gjakmarrjes, me ç’rast gjaku i viktimës së sotme do të merret prapë, duke çuar deri në zhdukjen e tërësishme të anëtarëve të fiseve konfrontuese.
Poezia “Drekë malsore” është paraqitje tipike e dukurisë së gjakmarrjes në malësi, duke u gërshetuar me traditën, zakonet, normat kanunore që i vinin pas. E gjithë kjo brenda poezisë arrihet përmes gërshetimit të një gjuhe të drejtpërdrejtë dhe të figurshme.

Të fundit

“Le të vdesin”/ Emërimi i ministrit të ri nga Mistotakis shkakton polemika në Greqi

Qeveria greke ka zëvendësuar katër ministrat që të premten dhanë dorëheqjen si pasojë e skandalit për abuzimin me fondet...

Përfshihet nga zjarri zona naftëmbajtëse në Kuçovë, rrezikohen 5 puse nafte dhe banesat

Një zjarr ka rënë në zonën naftëmbajtëse në qytetin e Kuçovës. Zjarri, që u vërejt në kallamishtet e lagjes alarmoi banorët pasi në zonë...

Trump dhe Kushner investim në Sazan, Dredha: Rikthen në jetë ishullin

Vizita e vajzës së presidentit amerikan Ivanka Trump dhe Jared Kushner së fundi në Vlorë, teksa flitet për investime serioze të çiftit në ishullin...

Katastrofë ajrore/ Rrëzohet avioni, humbin jetën 4 persona

Një avion i lehtë stërvitor u rrëzua në distriktin Kolomna të rajonit të Moskës të shtunën duke vrarë të katër personat në bord, përfshirë...

Europa digjet nga temperaturat e larta! Shqipëria në zonën e kuqe

Një valë e nxehti e pazakontë ka përfshirë Evropën, duke sjellë temperatura përvëluese që në shumë vende tejkalojnë 40°C. Në një hartë të publikuar...

Lajme të tjera

Web TV