Pas hyrjes në lojë të policisë metropolitane për të hetuar shkeljet anti-covid të bëra nga Boris Johnson në ambientet e kryeministrisë si një rast tjetër kur ai është zbuluar se ka festuar ditëlindjen me 30 veta në qershorin e 2020 kur të gjithë britanikët ishin në lockdown, vështirë të parashikosh se sa do të qëndrojë akoma në pushtet kryeministri britanik.
Kjo javë pritet të jetë vendimtare për Boris Johnson, i cili siç po zbulohet duket se po zhbën arritjet e tij në luftën kundër koronavirusit si fushata e vaksinimit dhe hapja e ekonomisë pas gabimeve trashanike në muajt e parë të pandemisë.
Duke filluar nga 11 shkurti kushdo që është plotësisht i vaksinuar nuk do ketë më nevojë të bëjë tamponë përpara ose pas mbërritjes në Britani, dhe as të karantinohet duke kursyer mbi 100 stërlina në buxhetin e udhëtarëve. Ndërsa ata që nuk janë vaksinuar nuk do kenë nevojë për tampon në ditën e 8 dhe do mund të shmangin karantinën.
Nga kjo e enjte nuk do ketë nevojë as për pasaporta covidi dhe as për mbajtjen e maskave. Të gjitha këto masa aplikohen, pasi vala e Omicronit është drejt shuarjes dhe numri i infektimeve dhe vdekjeve po bien me shpejtësi nga dita në ditë, dhe pandemia në përditshmërinë e saj në rrugët dhe qytetet britanike duket si një ëndërr e keqe.