Lorenc Vangjeli: Dënimi i Tahirit? Nga dy paketa cigare Berishës dhe Bashës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pak ditë më parë Gjykata e Apelit dënoi me 3 vite e katër muaj burgim ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Pas këtij vendimi ka pasur edhe aludime që u “sakrifikua” për të justifikuar reformën e re të drejtësisë, apo deri në ndërhyrje politike. Çfarë tregon dënimi i Tahirit?

Nuk ka problem që ka qëndrime të kundërta pë të njëjtin akt. Nuk ka problem që i njëjti akt lë të pakënaqur në mënyra të ndryshme, individë, shtresa apo kategori sociale. Problem do të jetë kur të gjithë të kenë një përgjigje uniforme, kur të gjithë të jenë të lumtur apo të trishtuar nga i njëjti akt. Kjo është magjia e demokracisë, ky është diversiteti që demonstron epërsinë e sistemit. Si e tillë, kërkesa që ajo çfarë ndodhi me Tahirin, të ishte një dënim që do t’i kënaqte të gjithë njëherësh, është më së paku naïve. Do të ketë pro e kundra. Do të ketë nga ata që do të betohen në pafajësi e të tjerë që do të donin disa burgime të përjetshme njëherësh. Ky është normalitet. Në të vërtetë, vendimi për Tahirin la pas dy pasoja kryesore. La të pakënaqur puritanët e jurisprudencës. Konflikti i hershëm i ish-ministrit me një nga antarët e trupës, ashpërsimi i dënimit të dhënë nga gjykata e një shkalle më të ulët tek gjykata e një shkalle më të lartë, mund të jenë shkaqe të mjaftueshme për të goditur vendimin në rekursin e gjykatës së lartë. Por kjo nuk mjafton. Tahiri është shpallur fajtor më shumë se mbi bazën e provave, për perceptimin që e konsideron atë gjerësisht si të fajshëm. Dhe ky është realiteti paralel për të cilin ankohen kritikët dhe shkumëzojnë cinikët në raport me procesin. Duke marrë dy skaje shumë të largëta arsyetimi dhe personazhesh, një shembull i përsëritur deri në mërzi, është ai i Al Kapones të dënuar për evazion fiskal. Tahiri dhe banditi amerikan janë shumë larg njëri-tjetrit, por teknologjia e dënimeve të tyre është e njëjtë. Për më shumë se kaq, më shumë se për atë që bëri kur ishte ministër, Tahiri u ndëshkua se nuk “fshehu” dot atë që po bënte kur u largua nga detyra. Fajësinë e tij ai e firmosi me ikje më shumë se me prani. Përtej të dy palëve, atyre që besojnë dhe atyre që kundërshtojnë dënimin e tij, Tahiri është i qartë se çfarë ka bërë. Dënimi i të premtes ishte vetëm epilogu i tretë i një dënimi të dyfishtë që ai kishte marrë më herët, dënim moral dhe politik.

Pas dënimit të Tahirit, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ishte ndër të parat që reagoi duke u shprehur: “askush – pavarësisht partisë, pozitës apo pasurisë – nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri.’. Si mund të lexohet kjo deklaratë dhe a është drejtësia e reformuar aq e pavarur dhe e pandikueshme, qoftë edhe nga faktori ndërkombëtar?

Drejtësia e sotme vendosi një standart. Dhe me standartin që çoi në burg Tahirin, të paktën dy personazhe shumë të rëndësishëm në Tiranë, duhet të fillojnë të bëjnë gati cigarete e tyre. Në mes të morisë së halleve të tij, Doktor Berisha, që nuk e ka pirë kurrë cigaren, duhet të fillojë ta pijë atë sepse do të dënohet minimumi me 3 vjet e 4 muaj burg për cannabis-in e Lazaratit. Nuk ka nevojë për proces të gjatë. E ka pranuar fajësinë e tij dhe me krenari madje: e dija që mbillnin, por e lejoja për arsye politike.

Lulzim Basha gjithashtu duhet të bëjë llogari me markën e shampoos së flokëve sepse ka qenë ministër i brendshëm kur Lazarati bëhej markë e të ligës nga Shqipëria në Evropë. Minimalisht edhe 3 vjet e 4 muaj për të, në Rogozhinë, sipas kësaj logjike. Nëse e lexoni kështu ambasadoren Kim, nuk jeni larg leximit normal dhe me një standart të vetëm të realitetit. Mënyra sesi Tahirit i kyçën derën e qelisë, tregon se shumica dërmuese e vendimmarrësve politikë në Tiranë, do të duhej t’i shkonin shpejt nga pas për t’i bërë shoqëri. Dhe ky nuk do të ishte një lajm i keq. Përkundrazi!

Në vendimin e Gjykatës së Apelit u theksua se nuk është provuar përfshirja e Tahirit në trafikun e lëndëve narkotike, por u specifikua se përgjatë ushtrimit të detyrës si ministër u kabizua vendi dhe Tahiri u dënua për shpërdorim detyre. A është kjo një precedent në të ardhmen që zyrtarë të tjerë të lartë të dënohen për shpërdorim detyrë për pasojën dhe fenomene dhe jo mbi çështje specifike me prova dhe fakte?

Lexo edhe :  Ndalimi i TikTok-ut apo "Të marrësh masa të kota"

Komentet mund të jenë të pafundme dhe ato qoftë edhe duke qenë kundërthënës, të jenë në të njëjtën kohë të saktë. Me emrin e Tahirit cannabis-imi i vendit u bë realitet dhe vetë cannabis-i u shndërrua në një realitet elektoral. Kush mendon se pesëfletëshi i famshëm ishte vetëm rozë si rilindja dhe jo edhe blu si opozita, nuk ka kuptuar asgjë nga tragjizmi i atyre viteve që nuk e kanë çuar deri në fund të ligën që prodhonin. Banditët nuk kanë ngjyrë. Ata jepen me qera në muajin e fushatës dhe kërkojnë të marrin me koncesion pushtetin e rradhës për katër vjetët e qeverisjes. Nuk bëjnë përjashtim as ata shumë e shumë personazhe që u përfshinë në atë histori. Saimir Tahiri po paguan për të gjithë. Eshtë kali që po shin një lëmë mbarë kombëtar, është kurbani që ju bë mëkatit që kishte më shumë se një autor. Për ta kuptuar si ide, mjafton një shembull, në dukje tërësisht i ndryshëm dhe i pafajshëm. Në vetëm tridhjetë e ca kilometra autostradë, vajtje-ardhje nga Tirana në Durrës, mund të shihen me dhjetra karburante. Pothuaj secili nga ta i ndërtuar sipas parimit: e ndërtoi ky, pse mos e bëj edhe unë një karburant! Cannabis-imi ishte një fenomen kompleks, edhe politik, edhe social. Si piramidat që shkatërruan Shqipërinë, ai është sot fitili ende i ndezur që nuk ka shpërthyer plotësisht. Ai është lajmëtari famëkeq i kokainës, që tani është një personazh “i njohur dhe shumë i rëndësishëm” në Tiranë.

Një tjetër çështje me interes politik dhe publik është edhe vendimi i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Në Gjykimin tuaj, a rrezikon që kreu i shtetit të shkarkohet? Nëse kjo ndodh Meta bëhet më shumë faktor duke zbritur në bazë pa “kostum presidencial”, apo mund të jetë e kundërta që influenca e tij politike nëse shkarkohet mund të bjerë?

Me ngjan se ka një keqkuptim të madh e të dyfishtë në këtë histori. Dy personazhet më të rëndësishëm të saj, ata që ja kanë hedhur këtë sherr si patate të nxehtë në prehër, Gjykatës Kushtetuese, mendojnë krejt ndryshe nga tifozët respektive. Me shumë gjasa, Rama dhe Meta janë dy personazhet më të painteresuar për vendimin e shkarkimit të presidentit. I pari, Rama nuk ka asnjë interes që ta largojë Metën nga presidenca. Nuk i vlen për asgjë që ta viktimizojë atë, ta vrasë për një copë herë si president që t’i ringjallet si opozitar që të nesërmen në rrugë. Më shumë se shkarkimi, Ramës i intereson politikisht agonia e Metës brenda oborrit të presidencës. I dyti, Meta i cili duket se po bën gjithçka që të mbrohet, që të ruajë emrin e tij nga tabela ku do të shënohet lista me emrat e presidentëve të shkarkuar, që po luan me artifice dhe me të vërteta juridike, nuk ka pikën e interesit që të rrijë më gjatë në atë zyrë. Ai është prej kohësh boksieri profesionist që e kanë ulur të luajë muzikë klasike e kushtetuese në tastierë pianoje. Pa i hequr as dorezat e boksit. Meta nuk e do presidencën. Meta synon opozitën. Gjithë të tjerët që i bien daulleve të luftës dhe të paqes, ata që luftojnë nën flamurin e njërit apo të tjetrit, janë në keqkuptimin e madh sepse komandantët e tyre, fitore quajnë humbjen. Ndeshja mes Ramës dhe Metës, mes maxhorancës dhe institucionit të presidencës është një ndeshje politike. Si e tillë ajo ka vetëm zgjidhje politike. Ta çosh atë tek Gjykata Kushtetuese, siç bëri i detyruar formalisht Rama dhe siç po mbrohet Meta, është shmangie nga thelbi i problemit. Ndreqet shkaku dhe nuk luftohet me pasoja. Ndaj gjithë sa duket është një teatër, të cilin, “me inshallah” nuk e kanë kuptuar të paktën gjyqtarët kushtetues dhe vazhdojnë me seriozitet të bëjnë sikur diskutojnë për një vendim që ata, jo vetëm për shkak të atyre vetë, nuk kishin kurajo ta shkruanin pa kopje nga Venecia. Ata thjesht do të përkthejnë thelbin e asaj që ka ardhur nga ana tjetër e Adriatikut që me pak fjalë thotë: është pak me barrë, por fëmija i pa ligjshëm nuk ka lindur në qershor 2019. Pati seks, por jo shtatzani; shkelje kushtetute, por jo pasoja nga shkelja.

 

 

 

Të fundit

‘Skifterët’ në PD, ‘babi i Zenit’ dhe tundja e belit në K’cimin e ‘Berishës’

Jakin Marena Nëse kërkohet të bëhet një bilanc për opozitarizmin në Shqipëri, mjafton të shohësh ‘parabolën’ e zhvillimeve politike brenda...

Fluks lëvizjesh në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, rradhë kilometrike automjetesh

Mbrëmjen e sotme në pikën e Kalimit Kuftiar të Qafë Thanës është rritur përsëri fluksi i lëvizjes së automjeteve. Dhjetra shtetas shqiptarë dhe të huaj...

Në cilin qark do të kandidojë në 11 maj, Edi Rama?

I pyetur nga gazetarët në konferencën e fundvitit se në cilin nga qarqet do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, kryeministri...

Rrëfimi i Elisa Spiropalit: Shqipëria, parlamenti, e majta dhe…

Elisa Spiropali shënohet si kryetarja më e re në histori e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe po ashtu politikania më hopin më të...

Ja kur është koha më e mire per te pirë kafe, sipas eksperteve

Kur është koha më e mirë për të pirë kafe dhe sa konsiderohet e tepruar? Nëse pyesni një dashamirës të kafesë, përgjigja do të...

Lajme të tjera

Web TV