Mësuesit tim të letërsisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Prof. Dr. Xheladin Çeka

Mbrëmë, siç të thashë, pashë një ëndërr. Pashë në ëndërr babanë, që është larguar nga kjo botë ka vite. Po puthte fotografinë e nënës sime, që është ndarë dhe ajo nga jeta, një vit para se babai të më linte.

Çudi!

Pak ëndrra shoh.

Po kjo më vjen si një ëndërr, tamam ashtu siç e kam parë në të vërtetë babanë. E kisha parë atë teksa përkëdhelte, madje puthte fotografinë e nënëns sime të ndjerë, bashkëshortes së tij të shtrenjtë, e cila qe ndarë nga jeta një vit para tij, një natë shumë vonë, pas mesit të natës, pak kohë para se dhe ai të na linte.

Ëndërr, marrdhënie e mrekullueshme, jo lehtësisht e përshkrueshme, ëndërr marrdhëine njerëzore, mbi atë formën më të magjishme të kësaj marrdhënie, midis bashkëshortit dhe imazhit të bashkëshortes që i vjen e gjallë, ndonëse e larguar nga kjo jetë, pas një jete bashkëshortore të një harmonie të patregueshme me fjalë.

Ëndërr bashkëshortësie të lumtur, bazuar në dashuri, do ta quaja.

Po hajde e gjeje po deshe, se ç’është në të vërtetë.

Ëndërr!

Bashkëshortësi e lumtur!

Dashuri!

Të gjitha të lidhura me jetën.

Se jeta, dreqi ta hajë, është e poshtër siç do të shprehej Chagas. Të thotë më jeto po deshe, unë s’të mësoj. Ja ku më ke. Nëse s’di të më jetosh, gabo po deshe. Gabo dhe ndërtoje jetesën tënde mbi pirgje gabimesh a humnera gabimesh më të mëdha. Pastaj po deshe, apo më mirë të them, po munde, ngrihu dhe provo prapë të ecësh. S’ka gjë. Nuk është e thënë të vraposh. Mjaft të ecësh. Mos u lodh. Dhe nëse përsëri të del përpara një gropë a pirg i gabimeve tuaja, përpiqu t’i kalosh ato.

Jeto pra ato që të jep jeta.

Se pavarësisht nga këto, prapë ajo është e bukur, e marrtë e mira!

Shijoje!

S’e di nëse kanë ndonjë kuptim sa të thashë?

Sidoqoftë, mund t’i drejtohem për këtë, mësuesit tim të letërsisë, atij të sociologjisë, apo dhe profesorit të mjekësisë.

Seicili prej tyre mund të më japë ndonjë këshillë.

Po këtu, po parapëlqej të flas me ty, mësuesi im i letërsisë. Më fal që s’po të drejtohem me emër. Jo se ruhem nga ndonjë gjë. Po thjesht, se të kam ty mësuesi im i letërsisë dhe për  mësuesin tim të këndimit të klasës V, VI, VII, VIII; për mësuesin e letërsisë së gjimnazit, madje dhe për mësuesin tim të fillores, për fabulat e bukura që na tregonte; apo për mësuesin tim të përjetëshëm të letërsisë, për romancierin e letërsisë klasike a neoklasike, asaj romantike a moderne, të kam për lexuesit e përjetëshëm të letërsisë, me të ciët koha më ka puqur, qoftë dhe në mënyrë virtuale, teksa këmbejmë opinione rreth subjekteve a personazheve, ngjarjeve a prirjeve në letërsi.

Ndaj, po komunikoj pra me mësuesin tim të letësisë, mishërues i tërë cilësive të tërë juve të marrë së bashku.

Thjesht për kollajllëk, si i thonë.

Do të thuash ti mësuesi im i dashur: – Ti sheh ëndrra, dhe më drejtohesh mua. Ç’hyj unë këtu? Ç’lidhje kam unë me ëndrrat e tua?

Vërtetë. Nuk po të kërkoj të më shpjegosh ëndrrën. Madje as profesorit tim të mjekësisë nuk ja kërkoj këtë.

Por ti e di, mësuesi im i dashur, që në “pajtohem me qira për të parë ëndrra” të G.G. Marquez, Frau Frida, nisur nga cilësitë e saj, mendoi të ushtronte një “zanat” tepër specifik, për të cilin madje kërkoi edhe punë shtëpi më shtëpi, dhe u bë shumë e suksesëshme, me “zanatin” e të parit ëndrra. Filloi dhe punë madje me këtë zanat. Filloi të shohë dhe shpjegojë ëndrrat. Nga ëndrra në ëndërr, shtjeu në dorë pasuri të pafundme. Por ngjarja e solli që në një udhëtim me anije, shpjeguesja e ëndrrave të takonte poetin Neruda. Këmbyen dhe opinione ndërmjet tyre, mbi “profesionet” që kishin secili prej tyre: ajo atë të shpjegimit të ëndrrave, ai atë të thurjes së vargjeve.

Vetëm poezia është largpamëse, – u shpreh poeti, ndonëse shpjeguesja e ëndrrave gëzonte pasuritë që kishte vënë me “profesionin” e saj.

Pas takimit të rastit me njëri-tjetrin, u ndanë për të pushuar secili në dhomën e vet të anijes. Neruda shpejt u zgjua dhe u shfaq në sallonin e restorantit të anijes duke thënë: – Pashë në ëndërr atë gruan që sheh ëndrra. Pashë në ëndërr sikur ajo më shihte mua në ëndërr. Pas një komenti me të shoqen rreth kësaj, Neruda u veçua nga bashkëbiseduesit dhe në një tryezë ngjitur shkruajti vargje të poezisë së fundit që po merrte jetë. Ndërkohë, në kuvertën e anijes me turistë, u takua me Frau Fridën. Edhe ajo sapo ishte zgjuar nga gjumi i drekës.

– Pashë në ëndërr poetrin, – Tha Frau.

– Pashë në ëndërr sikur ai po më shihte mua në ëndërr. Ç’ti bësh? Ka raste, kur mes kaq e kaq ëndrrash, na futet ndonjëra që s’ka të bëjë fare me jetën reale, – Vazhdoi Frau.

Çudi apo jo, të paktën në këtë këndvështrim, siç e interpreton Frau.

Fantazi e bukur Markeziane, apo e modelit të Borgesit? Ç’të jetë vallë?

Në fund të fundit, mënyrë e shpjegimt të jetës.

Duke shpjeguar ëndrrat, apo duke thurur vargje!

Kjo ëndrra ime pra, mund të shpjegohet vetë tashmë, mund të shpjegojë jetën; apo poezia jote i dashur mësuesi im i letërsisë, letërsia jote pra, ajo “më largpamshmja” i shpjegon të dyja, madje dhe ëndrrën edhe jetën nëpërmjet ëndrrës.

Nëse është kështu, besoj se u morëm vesh.

I pashë babain dhe nënën time të dashur, në ëndërr pra, duke më treguar perfeksionin e jetës bashkëshortore. Do të komunikoj me ta, një ditë tjetër. Po ju them që këtu, që do të flas me nënën time për këtë. Edhe për t’i thënë që sa fort e deshi im atë atë, në këtë botë dhe në atë të përjetëshmen. Aq dhe për të folur me veten time, në formën e një monologu, për atë se si përsëriten ngjarjet, për atë se si funksionon jeta bashkëshortore imja me bashkëshorten time të dashur,…

Se ëndrrat i shpjegon Frau Frida.

Por për dashurinë do të flas vetë.

Do të flas me ty mësuesi im i letërsisë. Replikën time me Scott Peck, për këtë, e di tashmë…

Se ma ke dhe një borxh. Madje më shumë se një. Po s’ka gjë. Nuk të kërkoj shpagim apo dëmshpërblim, vetëm ta dish.

Më thuaj mësuesi im i dashur, pse s’më the atëherë, kur isha i ri që nuk është gjuha që bën letërsinë, por letërsia që bën gjuhën? Apo s’e dije as ti? Prapë s’ka gjë. Tani, po vetëm tani ama, unë e di vetë tashmë. Di atë, që gjuha, ajo e artikulimit të fjalës, është thjesht shërbimi që i bën kjo mrekulli njerëzore mendjes me kualifikimin më të lartë në këtë botë, mendjes së njeriut. Madje, mendjes që si organ të artikulimit të fjalës-gjuhë, ka zemrën.

Ti e mban mend mësuesi im i dashur i letërsisë, se unë dija të shkruaja saktë fjalitë gjuhësore, edhe ato më të ndërlikuarat. Madje dhe t’i analizoja. Dija të bëja dhe ese, që ti m’i vlerësoje me notë maksimale. Madje dhe më pas… Por ti asnjëherë nuk më the të vërtetën. Të gjitha esetë e mia, të vlerësuara me notën dhjetë e gjashtëqind, siç më pate bërë në njërën prej tyre, ishin një gjuhë e pastër, ku arsyeja shtjellonte temën e radhës. Edhe pse figurat artistike nuk mungonin: alegoritë, epitetet… Natyrisht funksiononin dhe si fabula, që padyshim kishin dhe vlerën e tyre, për atë të kohës.

Por vetëm kaq.

Atyre u mungonte diçka.

Ajo diçkaja, që në fakt është gjithshkaja.

Thuajse kurrë s’patëm kompozuar vetë ese me temë nga bota e subkoshiencës, apo ajo e të magjishmes, dashurisë. E shumta, kur patëm shkruar për këtë temë, të fundit pra, modelet e kufizimeve i kishim nga shabllonet e teksteve që shpjegonin letërsinë. Në më të shumtën, nëse patëm komentuar romane të kësaj natyre, ai do të duhej të qe i “akredituar” apo personazheve të tij, vetëm “sa u biente rruga” nga ajo anë.

S’e ndjen se ke bërë një mëkat?

Po ani, dhe nëse vërtetë është kështu, të paktën mundohu të shpëtosh nga ky mëkat, të kërkosh të falur. Dhe në fakt, i falur je. Ç’faj kishe ti? Se të lanë dhe s’e bëre?

Por megjithatë, kur ti shpjegoje se si grimcat e pluhurit të gurit të gdhendur nga dalta e mjeshtrit me famë botërore, Mikelanxhelo, teksa skaliste statujën e kryeveprës së tij, atë të Davidit, madje dhe me atë anglishten tënde, që “këndonte” teksa në sfond sikur dëgjohej zhurma e çekiçit dhe daltës që gdhendte, sigurisht që ti i kishe shpëtuar klishesë së mësuesit klasik të kohës së trekëndëshit revolucionar. Apo kur shpjegoje në rusisht: “kak smjejallca Lenin” (si qeshte Lenini), i kishe shpëtuar kësaj, por dhe klishesë së filozofisë së kohës.

I mbaj mend dhe këto.

Faleminderit për to.

Pa për të tjerat, siç të thashë, s’ka gjë.

Se ti mësuesi im i dashur i letërsisë më ndoqe gjatë gjithë jetës. Më ndoqe nëpërmjet librit, romanit, analistit, kritikut, diskutuesit…

Dhe, dëshëroj shumë të kem plotësuar sadopak atë boshllëk që më le, në ato vite të rinisë.

Ndonëse gjurmë do të kenë kënë me siguri ato vite, madje dhe efekte do të kenë patur.

Por, ani, ja ku jam.

Sot, po të përgjigjem për atë temën, që më solli në mendje, subkoshienca, e dalë nga frenat e koshiencës, temën mbi ëndrrën me babanë tim.

Lexo edhe :  Pirro Çako, kompozitori i çdo kohe… me apo pa instagram

Se, a nuk qe dhe vetë shpjeguesja e ëndrrave, që pa në ëndërr poetin, që po i shpjegonte asaj jetën?!

Se ja.

Më thoni ju.

Dy miq të mi, shumë të afërt me njëri tjetrin, që në të ritë e tyre, ndër të tjera, shpesh diskutonin rreth librave të ndryshëm që lexonin. Nga të gjitha rrymat. Madje, shpesh i këmbenin me njëri-tjetrin librat. Të paktën kohë më parë, kur kishte pak botime në libraritë e qyteteve kryesore të vendit. Kuptohet, kryesisht në Tiranë. Gjithsesi, shpesh ishte vështirë të gjeje tituj librash të bukur edhe këtu. Përjashtimish, nëse kishe ndonjë “mik” në shtëpitë botuese, apo në entet e shpërndarjes së librave në tërë vendin. U kishte mbetur zakon, kjo e këmbimit të librave, me sa duket, që nga koha e rinisë. Por siç qe shprehur diku miku im, për mikun e vet, ai shpesh i rekomandonte, apo i huante atij për të lexuar, libra që kishin si subjekt dashuri të kohëve të rinisë së personazheve të librit, pamundësim dashurisë dhe ritakim pas shumë vitesh të këtyre personazheve, tashmë si miq, që njihnin kohët e shkuara, i vlerësonin ato, si dhe i respektonin dhe nderonin gjithashtu ato kohë; ato kohë të shkuara. Eh! Kohë të shkuara që s’ktheheshin më, do të shpreheshin personazhet e mi, për atë kohë. Kohë Kunderiane, do të thosha unë. Se, a nuk të kam sjell në mendje dhe në një vend tjetër, atë thënjen Kunderiane, kandidat për çmimin Nobël, se e shkuara s’ka të tashme e aq më pak të ardhme? E mban mend, besoj. Por kësaj unë do t’i shtoja keqardhjen njerëzore, për atë, të cilit, rruga e së tashmes, s’i ka rënë nga e shkuara. Se unë nuk them që njeriu rron me të shkuarën, me botën e kujtimeve pra. As në krahët e fantazisë, apo në botën e ëndrrave; apo deri dhe me atë, Botën Tjetër! Jo. Nuk them këtë. Por them tjetër gjë. Atë, që pa këto, është njësoj si të kesh lindur i vdekur! Këtë po them. S’e di si të tingëllon ty, mësuesi im i dashur, i letërsisë. Por të paktën, unë kështu mendoj. Po s’ka gjë. E diskutojmë dhe herë tjetër këtë. Kur të duash, miku im.

Si ka mundësi, që shpesh ndodh kështu, – Pati pyetur, dikur për mikun e vet, miku im, për atë, që ata shpesh këmbenin libra të natyrës që thashë. Kërkonte mendimin tim. Ashtu siç e mendoja dhe si e shpjegoja unë. Si e shpjegoja unë jetën, nëpërmjet letërsisë.

Ato libra, – them unë, – janë shpjegimi i vetë jetës. Ndërsa personazhet në to, s’kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë jetuar atë, jetën.

Shpjegim jetësues i jetës, – do ta quaja, këtë. Kjo, nëpërmjet letërsisë, të kuptohemi.

Po, po, – qe shpehur kohë më pas, miku im. – Ashtu duhet të jetë. Se, mosha jonë,  përgjithësisht pëlqen libra, me personazhe dhe me fabul. Ndaj, këto, të kësaj natyre janë, në fakt. Në përgjithësi, të paktën. Ndaj dhe na pëlqejnë.

Po vazhdoj dhe pak me këtë logjikë.

A nuk e shpjegojnë botën-jetë, apo jetën-botë, dhe ëndrat? Ta thashë.

Po poezia, (letërsia), a s’është formë e shpjegimt të botës-jetë?

Po horoskopi i Edlirës?

Po echo-ja (hejona), imazhi, fantasia, deri dhe aurea, e shpjegojnë dot jetën?

Po shpirti?

Në shumë mënyra, pra u shpjegoka bota-jetë!

Jam ngopur së shpjeguari botën-jetë nëpërmjet shkencës. E di besoj, këtë.

E kam shpjeguar atë dhe nëpërmjet filozofisë. Kam rënë dhe në grackën e saj, shumë kohë më parë. Ta kam treguar. Që në rini.

Keqardhje, që me shpjegimin sipas dogmës klerikale, nuk u edukova.

Edhe ëndrra, pak më ka ndihmuar, në shpjegimin e botës-jetë. Edhe për këtë të kam thënë.

Më mbetet letërsia, pra. Poezia, do të thoshe ti. S’është “zeja” ime, kjo. Ta kam thënë dhe këtë. Ndonëse unë kam një koncept tjetër për këtë. Letërsia, vetë është poezi. Krijim. Dhe, unë them, që ky krijim, s’është e thënë, të ndërtohet gjithnjë me mënyrën e mekrikës dhe të rimës poetike. Mjaft që poezia (krijimi) të jetë në frymën e letërsisë.

Kështu them unë, të paktën.

Ndaj, dhe në s’bëra letërsi, krijim pra, siç i thua ti, apo më keq akoma, s’bëra poezi, atë krijimin metrik, të paktën, lexova në këtë lloj indi.

Madje, më duket, se mund ta shpjegoj dhe botën-jetë nëpërmjet saj.

A s’të thashë, që “ato libra, janë shpjegimi i vetë jetës; ndërsa personazhet e tyre s’kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë jetuar atë, jetën”?.

Se dhe Komedia Njerëzore e Shkrimtarit me famë botërore, Honore De Balzak, me personazhet merret, diku 4 000 syresh, apo diçka e tillë. Si dhe me jetët e tyre, sjell nëpërmjet fabulës, si fabula jetësore, të jetës së personazheve të tij, në tërë variantet e tyre. Këtë bëjnë dhe të tjerë autorë, klasikë a postklasikë, deri dhe tek ata modernë e postmodernë, që lexojmë, diskutojmë me njëri tjetrin a s’e di se çfarë.

Ndaj, jo rrallë, shumëkush, madje gjithkush, po të doni, që lexon letërsi, në një formë a tjetër, do të bjerë herët a vonë, në grackën e fabulës jetësore të personazheve të librave të lexuar.

Por s’prish punë. Në çdo rast, po deshe, lexo miku im. Por fabula e jetës, jetësorja, aty është. Me apo pa leximin tend, tim, tuaj… Me poliedrin e vet. Në çdo ditë, vit a periudhë të moshës tënde si lexues, personazhet me fabulën që mbartin, do të kesh mundësi t’i shohësh në çdo kënd të poliedrit 360º. Po kështu dhe unë, sigurisht.

Lexo miku im.

Dhe lexo, kurdoherë në këndin tënd të poliedrit, fabulën e personazheve të veprës së lexuar. Në çfardo këndi që të përshtatet.

Kështu ke bërë ti, ai, ata,…; kështu kam bërë dhe po bëj dhe unë. Nëse ndonjëherë këndet e leximeve tona në poliedrin letrar të fabulës njerëzore na përputhen, aferim. Në mos, asgjë me rëndësi nuk ndodh.

Sa për merakun, që të kam shprehur, se nuk më tregove ç’tha i Madhi, Viktor Hygo në fjalimin e përmortshëm, kur Honore De Ballzak u nda nga jeta, këtë e mësova, tani vonë.  Ma tregoi shkrimtari i madh Vjenez, Stefan Cvajk. Por, meqë unë e kam patur peng, një mungesë të tillë, duke menduar dhe madje besuar, që kështu do të ketë qenë për shumë përfaqësues të brezit tim, apo dhe më pas, këtë “zbulim”, po ta tregoj dhe ty, i dashur lexues. Sigurisht, me lejen e mësuesit tim të letërsisë.

Vetëm Viktor Hygo, shprehet, Cvajk, kishte dinjitetitn dhe madhështinë e atij çasti. Ja fjala e tij:

“Njeriu që tani po kallim në varr, është një nga ata që e përcjell pikëllimi i mbarë botës. Në kohën tonë s’ka më iluzione. Tani vështrimet nuk i drejtojmë më nga sundimtarët, por nga mendimtarët, prandaj tërë vendi dridhet kur zhduket një nga këto koka të mëdha. Zi e përgjithëshme është dhimbja për vdekjën e një njeriu të talentuasr: zi kombëtare është pikëllimi për vdekjen e një njeriu.

Emri i Balzakut, zotërinj, do të përfshihet në gjurmën e ndritur që epoka jonë do të lerë në shekuj.

Vdekja e tij e bëri helm e vrer Francën. Përpara disa muajsh ai u kthye në shtëpi. Meqë e ndjente se po i afrohej vdekja, donte të shihte përsëri atdheun, si biri që kërkon të përqafojë nënën e vet para se të niset për një udhëtim të gjatë. Jeta e tij është e shkurtër, por e nginjur: është e mbushur më shumë me vepra sesa me ditë. Eh! Ky punëtor i fuqishëm i palodhur, ky filozof, ky mendimtar, ky poet, ky gjeni ka bërë midis nesh një jetë plot tallaze dhe luftëra, siç u bie për short tërë njerëzve të mëdhenj. Tani ai prehet në paqe. Tani s’e arrin dot as rivaliteti, as urrejtja. Brenda një dite ai mbulohet me dhe e me lavdi. Ai këtej e tutje, sipër reve që varen mbi kokat tona, do të shkëlqejë mes të yllësive të atdheut tonë. Ju të gjithë që jeni mbledhur këtu, do ta keni zili.

Por sado e madhe që është pikëllimi ynë përballë kësaj humbje, të mos biem në dëshpërim. Le të pranojmë këtë humbje me gjithshka të ashpër e të trishtme që përfshihet në të. Mbase është mirë, mbase në kohën si e jona është e domosdoshme që herë pas here vdekja e një njeriut të madh të zgjojë në shpirtrat e njerëzve të zhytur në dyshime e në skepticizëm një tronditje të shenjtë. Fati di ç’bën kur e ve popullin ballë për ballë misterit më të lartë dhe e bën të mendojë se vdekja është barazia më e lartë si dhe liria më e lartë. Shpritrat e të gjithëve duhet të mbushen vetëm me mendime serioze e të madhërishme, kur vdes me lavdi një shpirt i lartë, që ka pluskuar mbi turmat, me flatrat e gjenisë, dhe papritmas hap krahët që të zhduket tek e panjohura. Jo, jo tek e panjohura! Këtë e kam thënë në një rast tjetër të dhimbshëm e nuk lodhem së përsërituri: kjo s’është terr, po është dritë. Kjo s’është hiçi, po është përjetësia. Nuk është fundi, por është fillimi. A nuk është e vërtetë kjo? Thoni ju të gjithë që po dëgjoni. Varre si ky janë një provë e pavdekësisë…”

Pas fjalëve brilante “hymn”, përcjellëse të gjeniut Balzak, shprehur nga një tjetër kolos i letrave, i Madhi Viktor Hygo, fjala e zakontë, humbet kuptim.

S’ka më kuptim fjala.

Se kështu, e shpjegokëka botën letërsia!

Ndaj, kam mbetur pa fjalë…

Flet vetëm letërsia…

Po e dëgjoj…

Të fundit

Amer Kapetanoviç, kapiteni i ri i Bashkëpunimit Rajonal

Diplomatët e rajonit dhe stafi i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në Sarajevë mirëpritën sot një figurë të njohur...

Izraeli nuk i ndal sulmet në Gaza, me dhjetëra viktima

Të paktën 30 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë në Gazë nga sulmet izraelite të kryera gjatë natës dhe mëngjesin e 3 janarit, thanë zyrtarët...

Kush është gjyqtari që riktheu masën “detyrim paraqitje” për Sali Berishën

Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha i duhet të shkojë dy herë në muaj në SPAK, të hënën e parë dhe të tretë të...

Autoritetet në Korenë e Jugut ndalin përpjekjet për arrestimin e Presidentit Yoon

Autoritetet e Koresë së Jugut thanë të premten se pezulluan përpjekjet për të arrestuar Presidentin Yoon Suk Yeol, i shkarkuar më parë nga parlamenti,...

Tayna zbulon shifrat: 1 milion euro fitime nga “Si ai”?

Kënga “Si ai” shënoi rikthimin e fuqishëm të Taynës pas një pushimi të gjatë, një skandali që u përkthye në sukses duke e çuar...

Lajme të tjera

Web TV