Anëtarët e PS-sw dhe të PD-sw në Komisionin Hetimor të ngritur për Inceneratorët, janë përplasur për dëshmitarët që kanë thirrur për të treguar versionin e tyre në lidhje me ngritjen e inceneratorëve.
Marrja, apo jo, në pyetje në Komisionin Hetimor për inceneratorët të personave të thërritur njëkohësisht edhe nga SPAK ka futur në debate anëtarët demokratë dhe socialistë të komisionit. Socialistët pretendojnë se duhet të mos merren dëshmitë e personave të cilët janë njëkohësisht të thërritur edhe nga SPAK, kërkesë që nuk pranohet nga demokratët. “Ju keni problem që këtu dalin dokumente dhe letra. Ato do të bëhen publike në një mënyrë apo një tjetër. Pse kërkoni të marrim pushim kot? Pastaj ankoheni se po zgjasim punën kot. Ndërkohë që SPAK nuk ka sjellë asnjë ankesë. SPAK të sjellë shkresë që po shkelen procedurat. Pse e keni ju problem? Këtu po dalin dita-ditës fakte dhe prova. Zonja ishte në gjendje optimale, është në diskrecionin e saj të japë përgjigje për pyetjet”, tha Belind Këlliçi. “Askush nga ne nuk ka marrë përsipër të mbrojë askënd. Kushdo që ka marrë kurajën ta bëjë do të përballet me ligjin. Kemi një ngërç, nga i cili mendoj se mund të na nxjerrë një ekspert. A mund të biem dakord për dy emra ekspertësh që të na nxjerrin nga ky ngërç”, tha Këlliçi. “Ju e patë që faktet janë shumë të rënda dhe filluat që dje me këtë avaz”, tha Jorida Tabaku. “Në komisionin për 21 janarin kanë ardhur të gjithë, edhe kryetari i SHISH-it që po merrej në pyetje nga prokuroria. Nëse doni të bëheni palë me ata që duan të pengojnë punën, më vjen keq, unë do të qëndroj këtu për të dëgjuar dëshmitarët”, tha ajo. Edhe seanca e së enjtes u shoqërua me debate të shumta mes socialistëve e demokratëve në komision. “Raste të tilla skandaloze nuk kam parë. Shumica është e vendosur që ky komision të dështojë, siç kanë dështuar komisionet e tjera parlamentare. Kështu që unë nuk kam për të qenë pjesë e këtij komisioni apo e të tjerëve, derisa të miratohet një ligj që i jep atyre që kërkojnë ngritjen e komisionit, të kenë edhe shumicën në komision”, tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho. “Qëllimi i komisionit është të mbledhë fakte dhe nëse i gjykon t’ia përcjellë organit të akuzës. Sot, për herë të parë kemi paralelisht njerëz të arrestuar dhe njerëz në kërkim. Duhet të jemi të kujdesshëm në atë që bëjmë, në mënyrë që të mos bëhemi shkak për prishjen e provave për interesa politike”, iu përgjigj Arben Pëllumbi. Gledian Llatja mori vëmendjen e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, këtë të mërkurë, në një seancë pyetjesh që zgjati rreth 3 orë. Qytetari i parë i Elbasanit mbrojti inceneratorin me argumentin se i ka dhënë zgjidhje ndotjes në të gjithë zonën. Edhe pse e mërkura shënonte ditën e 3-të të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, për rreth 4 orë komisioni xhiroi bosh, pasi mazhoranca nuk lejoi të merreshin në pyetje ish-anëtarët e Komisionit të Prokurimit, me arsyetimin se kanë dëshmuar më herët në SPAK. Këto përplasje sollën tërheqjen përfundimtare nga Komisionit të Edmond Spahos. Ndonëse në distancë, në debat u përfshi edhe Monika Kryemadhi, e cila doli kundër kërkesës së maxhorancës për të mos lënë për të dëshmuar ish-anëtarët e Komisionit të Prokurimit, me argumentin se roli i tyre është vendimtar për të zbardhur aferën. Kryetarja e LSI i bëri thirrje SPAK që të vihet në lëvizje, ndërsa shprehu gatishmërinë e saj për të dëshmuar.
PD akuzon Berishën: Non grata vazhdon avazin, po mbron Vangjush Dakon
Partia Demokratike sërish ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Përmes një postimi në rrjetet sociale PD thekson se “Partia e re e non gratave vazhdon serialin e mashtrimeve”, duke shtuar se Berisha mbron Vangjush Dakon. PD shton se aleanca e “non gratave”nuk do të mbajnë peng Shqipërinë. “Ditë e re, mashtrim i ri. Non grata vazhdoi avazin, sulmo e mashtro demokratët dhe mbron Vangjush Dakon. Aleanca e non gratave synon të dëmtojë PD për hallin e tyre. Demokratët e dinë se çdo votë për “Shtëpinë e Ilirit”, ndihmon pazarin e rradhës Meta-Rama. Aleanca e non gratave të shpallura e të pashpallura, nuk do ta mbajnë peng Shqipërinë”, thuhet në videon e publikuar kundër Berishës dhe Metës.