Kreu i PD Lulzim Basha ka denoncuar anëtarë të qeverisë që sipas tij janë implikuar në ccështjen e inceneratorëve. Pavarësisht se pretendon se ka marrë kërcënime, u shpreh i vendosur që të mos tërhiqet.
Kreu demokrat Lulzim Basha ka denoncuar sërish në Kuvend aferën e inceneratorëve, ku theksoi se i është kërkuar të braktisë denoncimet për këtë aferë. “Spanja me rekorde kriminale të një pakice që i nxin faqen atyre shqiptarëve që jetojnë atje me punë të ndershme, problemi kryesor i vendit mbetet korrupsioni qeveritar, ndaj ftesat kavalierë për të braktisur denoncimet e aferës së shekullit mbajini për vete. Nëse do kishit dinjitet dhe s’do e perceptonit veten si skllevër të kësaj afere jeni kapur me presh në duar, vjedhje 430 milionë euro për inceneratorët”, tha Basha. Sipas tij shqiptarët po dëgjojnë me fakte dhe dëshmi skemë e vjedhjes së taksave të shqiptarëve. Basha theksoi se Rama po bën kurban ministrat por në fakt koka e kësaj mega vjedhjeje sipas tij është vetë kryeministri. “Shqiptarët po dëgjojnë me fakte e dëshmi për këtë vjedhje dhe faktet po dalin para syve të shqiptarëve sesi është ndërtuar skema dhe përllogaritur vjedhja e 430 mln euro e taksave të shqiptarëve që përfshin ministritë kryesore dhe kryeministrin. Rama nuk mund të lajë duart nga përgjegjësia duke bërë kurban vetëm ministrat të cilët do të përballen me drejtësinë, Lefter Koka është vetëm bishti i këtij korrupsioni kurse koka e korrupsionit është Rama. Asgjë nuk ka ndodhur pa mbështetjen e tij. Kjo është edhe arsyeja pse Rama e mbylli komisionin dhe u rihap pas presionit të opozitës. E vërteta po shpaloset është vetëm çështje kohe. Në këtë vjedhje është përfshirë e gjithë qeveria”, tha Lulzim Basha. Këto deklarata kreu i PD-së i bëri teksa në parlamenti pritet të ratifikojë marrëveshjen e ekstradimit me Spanjën. Sipas Bashës këto marrëveshje janë bashkëpunim i krimit të organizuar me korrupsionin qeveritar. “Sot priten të diskutohen marrëveshje rutinë. Marrëveshjet do të ishin simbolike nëse kombinimi i parave të krimit të organizuar në bashkëpunimin me korrupsionin qeveritar nuk do ta kishin kthyer Spanjën e disa vende të tjera të BE në parajsa për investimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës me qeverinë shqiptare si garantuese të këtij trafiku dhe milionave të korrupsionit qeveritar shqiptar që derdhen në gropat e ndërtimit të Tiranës dhe tani investohen jashtë vendit. Ky është një nga shqetësimet e BE, por këtu në këtë sallë me miratimin e kësaj marrëveshjeje, të vetmit që nuk duhet të krekosen janë ata që e kanë sjellë këtë marrëveshje. Është bërë pikërisht për krerët e tyre”, tha ai.