Pas zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me anë të shortit, Partia Demokratike tha se Kuvendi shkeli Kushtetutën dhe ligjin, duke bërë proces fiktiv shortin. Nga ana tjetër Partia Socialiste tha se Kuvendi zbatoi ligjin në zgjedhjen e anëtarëve
Nënkomisioni për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk mundi të zgjidhte anëtarët e rinj të KLGJ dhe KLP përmes votimit, për dy vakanca për secilin institucion. Për këtë arsye komisioni kaloi në zgjedhjen e anëtarëve përmes shortit. Në tre kandidaturat për KLGJ-në, Ilir Rusi, Orjona Muçollari dhe Yllka Rupa, shorti përzgjodhi Ilir Rusin dhe Yllka Rupën, të cilët do të zëvendësojnë përkatësisht Maksim Çokun dhe Erjon Muharremajn. Ndërkohë, për sa i përket KLP-së, për njërin vend që mbetet vakant nga kreu aktual Gent Ibrahimi u zgjodh kandidatja Mirela Bogdani, si e vetmja që ishte në garë dhe nuk ishte i nevojshëm përzgjedhja përmes shortit. Kjo zgjoi debate në komision. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e konsideroi thyerje të Kushtetutës mënyrën e përzgjedhjes. Tashmë emrat për dy vende vakante të KLGJ dhe një për KLP-në do t’i kalojnë Kuvendit për votim, ndërsa duhet 2/3 e votave për emërim. Gara rihapet edhe njëherë nga fillimi për vetëm një vend vakant të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky vendim ka vënë në lëvizje Partinë Demokratike e cila ka njoftuar se do ta dërgojë në Kushtetuese këtë vendim pasi sipas saj anëtarët e KLP janë të përcaktuar. “Mazhoranca paracakton anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kuvendi shkeli Kushtetutën dhe ligjin në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke bërë proces fiktiv shorti, ku për dy vende vakante në “short” u hodh vetëm një kandidat! PD do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e sotëm antikushtetues. Drejtësia e pavarur është element kyç për shtetin ligjor”, shkruan Bardhi. Përfaqësuesja e PS në Kuvend, Klotilda Bushka i është përgjigjur Partisë Demokratike për caktimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Bushka tha se anëtarët janë zgjedhur sipas shortit dhe procedurave të parapërcaktuara duke zbatuar ligjin. “Ligji nuk ka numër minimum të kandidatëve, në kandidaturat e përcjella dy prej kandidatëve kanë shprehur interes. Nuk kemi pasur dakordësi për zgjedhje ne kandidatit dhe për këtë arsye hidhet shorti. Shorti i tretë nëse nuk merr shumicën e cilësuar në seancën plenare, sot (dje) është hedhur shorti i tretë për plotësimin e vakancave, Këshilli i Lartë Gjyqësor janë të njëjtë me këshillin e lartë të prokurorisë. Yllka dhe Ilir Rusi. Lista për KLGJ me dy anëtarë. Kjo i ka shërbyer një procesi, ju kujtoj të gjithëve që reforma në drejtësi është sfidë për të gjithë, duhet të kemi kujdes dhe duhet të kemi dakordësi për kandidatët më të mirë që plotësojnë kriteret ligjore. Duhet të bëjnë kujdes me deklaratat që bëjmë, ku Kuvendi zbaton ligjin”, tha Klotilda Bushka. Sipas procedurave ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të drejtësisë, kandidatët nga trupa e pedagogëve përzgjidhen në 2 faza: së pari nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë (fakultetet e drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës) dhe së dyti nga një mbledhje e posaçme e rektorëve dhe dekanëve. Kuvendi zgjedh pastaj 2 anëtarë për secilin institucion midis kandidatëve me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.
Rama i kthehet komentuesit: Mos më fut në një thes me Berishën, Metën dhe Bashën
Kreu i qeverisë Edi Rama ka debatuar me një nga ndjekësit e tij në rrjetin social në Facebook. Ai i është përgjigjur njërit prejt tyre i cili i ka bërë thirrje që të largohet sa më parë dhe të marrë me vete, edhe Ilir Metën, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Ndërkohë Rama i është përgjigjur se ai nuk ka lidhje me këtë kategori ku e kishte përfshirë qytetari. “Ke bërë shumë vepra që nuk i mohojmë dot. Por, Shqipëria ka nevojë për ndryshim politik. Bën mirë të ikesh. Merr me vehte edhe Berishen dhe Metën dhe Lulon”, shkruan një qytetar. Ndërsa Kryeministri i është përgjigjur në koment se: “Gjithkush mund të mohojë çfarë të dëshirojë, kjo është liria, ashtu sikundër çdokush është i lirë të bëjë kërkesa që nuk plotësohen, po meqë të kam mik këtu në rrjet pavarësisht se voton tjetër për tjetër, po ta them se në atë thes ku më ke futur nuk kam punë fare”, shkruan Rama.
Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” për Durrësin
“Të rinjtë, pjesë e programit të PD! Qyteti do i kthehet qytetarëve”
Kandidati i koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’ për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Durrës, Ardian Muka, deklaroi dje në një takim me demokratët e Shkozetit, se të rinjtë do jenë pjesë e programit të PD. “Rinia do gjejë tek bizneset e Durrësit, një burim financimi, ndoshta i vogël në fillim, por do jetë tulla e parë drejt hapave që ata do të hedhin. Do t’i krijojmë kushtet të rinjve të qëndrojnë në Shqipëri. I kemi mundësitë që ata të ndërtojnë të ardhmen këtu. Dua besimin tuaj për të firmosur për ndryshimin dhe Durrësit t’i japim një faqe njerëzore, ku secili nga ne kur të paraqitet, të gjejë veten, jo korrupsionin, jo një derë të mbyllur, por një kryetar bashkie që do t’i shërbej komunitetit”, tha Muka.
Komisionet e Posaçme Parlamentare
PS cakton Benet Becin bashkëkryetar te “Territorialja”, PD ende pa emër
Partia Socialiste do të ketë deputetin Benet Beci si bashkëkryetar të Komisionit të Reformës Territoriale, ndërsa 7 anëtarët e tjerë ende nuk janë miratuar nga PS. Ky vendim vjen pasi PS ka përcaktuar prej disa ditësh që në Komisionin tjetër të Posaçëm Parlamentar do të jetë bashkëkryetar Damian Gjiknuri, ndërkohë që PS ka bërë me dije edhe anëtarët e saj. Anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore nga PS: Damian Gjiknuri bashkëkryetar; Toni Gogu anëtar; Ermonela Felaj anëtare; Blerina Gjylameti anëtare; Klotilda Bushka anëtare; Klevis Xhoxhi anëtar; Arben Pëllumbi anëtar; Blendi Klosi anëtar. Anëtar zëvendësues: Gledis Çeliku, Jurgis Çyrbja Xhemal Qefalia. Ngritja e Komisionit për Reformën Territoriale dhe atij për Reformën Zgjedhore u miratua pak ditë më parë në Kuvend, ndërkohë që në seancën e ardhshme pritet miratimi i përbërjeve. Të dy komisionet do të jenë bipartizan, me nga 16 anëtarë dhe do të bashkë kryesohen nga një përfaqësues të PD dhe PS. PD ende nuk ka përcaktuar asnjë emër, por emra të përfolur për Reformën Territoriale janë Gazment Bardhi dhe Roland Bejko, ky i dyti si ekspert teknik pë reformën. ‘Zgjedhorja’ dhe ‘Territorialja’ janë cilësuar nga PD-ja si “kuajt e betejës” së opozitës dhe arritën marrëveshjen për ngritjen e Komisioneve në Kuvend, pas dakordësisë me mazhorancës, ku PD-ja kushtëzoi votën e saj pro Vettingut, në këmbim të formimit të këtyre 2 Komisioneve.