Të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit kanë kaluar në gatishmëri “Shërbim të Përforcuar”, për të zbatuar masat e planifikuara për sigurimin e rendit publik dhe sigurimin e zgjedhjeve të datës 6 mars.
Policia kalon ne sherbim te perforcuar duke filluar nga dita e shtunë dhe në vijim deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Policia e Shtetit, deri në datën 03.03.2022, “ka angazhuar 780 punonjës policie dhe ka garantuar 335 aktivitete elektorale të zhvilluara gjatë fushatës”.
“Theks të veçantë mori trajnimi i 1.297 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas hierarkisë së menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor”, tha drejtori i Rendit Publik ne Policine e Shtetit.
Deklaratë e Drejtorit të Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili
Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për sigurimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në disa njësi të qeverisjes vendore, për të garantuar një proces votimi sa më të qetë për të gjithë votuesit, masa të cilat janë ndjekur dhe po zbatohen në të gjitha fazat e zhvillimit të këtij procesi.
Përgatitja e këtyre masave ka filluar që në datën 27 janar 2022, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përgatitjen e urdhrave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të planeve të masave dhe të bashkëveprimit dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe zbatimin e detyrave institucionale për procesin zgjedhor.
Deri tani, detyrat e parashikuara nga Policia e Shtetit janë kryer me përgjegjësi të plotë.
Jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore e për rrjedhojë edhe të zbatimit të detyrave tona, prandaj të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të Policisë kalojnë në gatishmëri “Shërbim të Përforcuar”, për të ndjekur me vlerësim të plotë masat e planifikuara për sigurimin e rendit publik dhe sigurimin e zgjedhjeve kryesisht duke filluar nga dita e shtunë dhe në vijim deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Policia e Shtetit, deri në datën 03.03.2022, ka angazhuar 780 punonjës policie dhe ka garantuar 335 aktivitete elektorale të zhvilluara gjatë fushatës.
Sot përfundon shoqërimi nga strukturat policore, i materialeve zgjedhore nga Tirana në drejtim të 13 KZAZ-ve në të gjithë bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet vendore. Deri tani nuk është evidentuar asnjë problem.
Theks të veçantë mori trajnimi i 1.297 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas hierarkisë së menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.
Për sigurimin e 941 Qendrave të Votimit dhe 13 KZAZ / VNV-ve janë bërë përllogaritjet e punonjësve të Policisë, për transportimin me automjete, pajisje, armatim, radio-komunikim, ushqime etj, deri tek votimi i tyre si shtetas të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu janë prodhuar dhe dorëzuar në afat vulat e kërkuara nga KQZ, për KZAZ, QV, VNV etj.
Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 25.02.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin ligjor të përcaktuar, si institucioni që administron procesin zgjedhor:
• Listën me 1.350 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, gjithashtu edhe listën me automjeteve të pauniformuara që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Në zbatim të detyrimeve të përcaktuara në Vendimin nr. 12, datë 30.12.2020 të KQZ-së, është përgatitur dhe miratuar me Urdhrin e DPPSH nr. 112/5, datë 04.02.2022 Regjistri i Posaçëm “Për çdo njoftim dhe referim të veprave penale në fushën zgjedhore”, i cili administrohet prej fillimit të procesit zgjedhor nga çdo Komisariat Policie, DVP, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe është i aksesueshëm nga KQZ dhe subjektet elektorale.
Nga informacionet e strukturave vendore të policisë, si dhe ndjekja e situatës për procesin zgjedhor, deri në datën 03.03.2022, gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore dhe aktiviteteve elektorale, nuk ka të evidentuar asnjë referim në prokurori, për vepra penale që lidhen me zgjedhjet.
Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare të OSBE-së, të cilat monitorojnë zgjedhjet, ka qenë në vazhdimësi. Me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, por edhe me disa institucione shqiptare si KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme, kemi zhvilluar trajnimet e punonjësve të policisë për procesin zgjedhor, të cilat kanë kontribuar edhe me lektorë të fushës.
Lidhur me vëzhguesit e OSBE/ODIHR është siguruar e organizuar puna në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, që të kenë akses, të koordinojnë dhe monitorojnë masat lidhur me procesin zgjedhor.
Janë përcaktuar koordinatorët e Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare, nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ-në, si dhe jemi në plotësim të detyrimeve, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione.
Gjatë periudhës zgjedhore dhe deri tani nuk kemi raste që punonjës të Policisë së Shtetit të jenë evidentuar në shkelje të kërkesave ligjore, të kenë kompromentuar pozicionin si punonjës të depolitizuar apo të kenë reflektuar qëndrime të njëanshme politike, duke iu referuar ligjit dhe vetëm ligjit. Nuk ka filluar asnjë hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për punonjësit e Policisë së Shtetit, në lidhje me zgjedhjet.
Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në gjithë periudhën zgjedhore është ngritur dhe funksionon grupi i drejtimit në nivel qendror, për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjithë burimet, verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.
Është në funksion aplikacioni i “Monitorimit elektronik të shërbimeve të Policisë së Shtetit, në procesin e votimit” për raportimin dhe monitorimin e masave të Policisë së Shtetit për ruajtjen e objekteve zgjedhore, për punonjësit e policisë për çdo qendër votimi dhe nën përgjegjësinë e Grupit të Drejtimit në DPPSH do të ndiqen online këto masa, duke realizuar komunikim dhe bashkëpunim në kohë reale me Grupet e Drejtimit të Drejtorive Vendore të Policisë, me qëllim njohjen e situatës dhe dhënien e detyrave.
Lidhur me detyrat në këtë fazë të procesit zgjedhor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, u ka dërguar vazhdimisht udhëzime drejtuesve qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilave ka kërkuar angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative, duke kryer veprime të shpejta dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë në rastet kur ka kallëzime penale, për të ruajtur gjakftohtësinë në çdo situatë dhe rrethanë dhe për një komunikim me etikë policore, duke theksuar se në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, kontrolli i territorit, i automjeteve, personave etj, është atribut vetëm i Policisë së Shtetit dhe jo i subjekteve apo organizimeve të tjera.
Gjithashtu, bazuar në detyrimin e Kodit Zgjedhor, data 5 mars do të jetë ditë e “heshtjes zgjedhore”, dhe për këtë arsye, gjatë kësaj dite, nuk duhet të zhvillohen aktivitete politike nga subjektet politike, si takime, tubime etj.
Në zbatim të nenit 110 të Kodit Zgjedhor ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave të cilët nuk janë parashikuar nga ky nen, në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit dhe në afërsi të saj. Në bazë të Vendimit Nr. 12 të KQZ-së ndalohet përdorimi i materialeve propagandistike në qendrën e votimit dhe rreth saj në një rreze prej 150 m. Këto materiale lejohen vetëm në një largësi deri 5 metra nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës.
Në nenin 14 të këtij Vendimi përcaktohet se në mjediset jashtë qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj dhe në korridoret e brendshme të ndërtesës dhe rreth QV, si dhe në një rreze prej 150 m, referuar shenjave dalluese, nuk lejohet prania apo grumbullimi i personave, përveç zgjedhësve që presin në radhë për të votuar.
Sqaroj se Policia e Shtetit, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe Vendimin nr. 12, datë 30.12.2020 të KQZ “Për miratimin e rregullave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve”, ka planifikuar masa të plota për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territor, ndërhyrjen për rivendosjen e rendit publik në QV apo VNV, shoqërimin e materialeve zgjedhore, referuar ligjit dhe procedurave standarde të KQZ.
Policia e Shtetit është e vendosur dhe do të vijojë punën e saj për të mbajtur nën kontroll të plotë territorin, do të reagojë ligjërisht dhe në mënyrë proporcionale duke përdorur të gjithë kompetencat e saj institucionale dhe forcën ligjore ndaj kujtdo që kërcënon, intimidon apo shkel ligjin apo tenton të shesë votën dhe do të krijojë të gjitha kushtet që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe të qetë.