Sot dhe nesër mes dy vendeve do të zhvillohen takime, ku nga ana ukrainase shpresohet të ketë një dalordësi, për ti dhënë fund luftës 18 ditore. Në katër takimet e para Rusia nuk ka lëshuar pe për Ukrainën, përveç hapjes së disa korridoreve humanitare. Dje janë shënuar disa sulme të ashpra, ku viktimë mbeti edhe gazetari i New York Times, Brent Renaud.
Sot edhe nesër pritet të zhvillohet raundi i katër i bisedimeve mes Moskës dhe Kievit. Këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe negociatori i Kievit, Mykhailo Podoliak, tha dje se ai priste “rezultate konkrete” në ditët në vijim në bisedimet me Rusinë. “Moska është bërë shumë më e ndjeshme ndaj pozicionit ukrainas dhe ka filluar të flasë në mënyrë konstruktive”, shtoi Podoliak. Ai tha se propozimet e tyre janë në tryezë. “Propozimet tona janë në tryezë, mes të cilave janë tërheqja e trupave dhe armëpushimi”, tha ai. Ndërkaq, agjencia e lajmeve ruse RIA, ka cituar zyrtarin e delegacionit rus, Leonid Slutsky, të ketë thënë se në bisedime është arritur përparim substancial. “Sipas pritjeve të mia personale, ky përparim mund të rritet në ditët e ardhshme dhe të arrihet deri te një qëndrim i përbashkët i të dy delegacioneve, duke nënshkruar edhe dokumente”, tha Slutsky. Palët po bisedojnë edhe përmes platformave online, kanë bërë të ditur më 12 mars zyrtarët ukrainas. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Për shkak të agresionit rus ndaj Kievit, shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.
Situata
Ditën e shtunë u arrit evakuuimi i rreth 13,000 ukrainasve e ndërsa Rusia ka hedhur akuza të drejtpërdrejta drejt Ukrainës për bllokim të qëllimshëm të largimit të civilëve nga vendi. Po ashtu 7 civilë, gra dhe fëmijë, vdiqën gjatë bombardimeve pasi nuk përdorën korridorin e gjelbër humanitar, teksa po tentonin të largoheshin nga një fshat afër Kievit. Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës thotë se deri tani kanë humbur jetën 79 fëmijë nga sulmet e raketave ruse. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka dhënë paralajmërimin që Ukraina e ka informuar se Rusia po planifikon të marrë kontrollin e plotë të centralit bërthamor në Zaporizhzhia. Por ky pretendim mohohet nga vetë Rusia. E ndërsa në krye të Melitopol është emëruar Galina Danilchenko pas rrëmbimit të kryebashkiakut Ivan Fedorov. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se deri më tani janë evakuuar 125 mijë njerëz përmes korridoreve humanitare. Ai tha se në këto momente përpjekjet për evakuime janë intensifikuar në Mariupol. “Përpjekja jonë diplomatike është e fokusuar në ndihmën për të arritur qytetin”, u shpreh ai. Prindërit e deputetit ukrainas, Dmytro Gurin janë mes 350,000 njerëzve të bllokuar në qytetin jugor të Mariupolit, të uritur, pa energji, ngrohje. “Unë fola me ta dje në mëngjes, për 30 sekonda. Janë gjallë, kjo ka rendësi për momentin”, tha ai. Lagjja e tyre siç tha deputeti është shkatërruar plotësisht. “Dje, rusët filluan të qëllonin në blloqe banimi nga tanket. Universiteti im është shkatërruar, shkolla ime është shkatërruar, po ashtu edhe shtëpia e prindërve të mi.”, tha ai. “Kjo nuk është një luftë, është vrasje masive. Jam pesimist”, shtoi ai. Bombardimet janë kthyer në diçka të përditshme mbi qytetet ukrainase, por pavarësisht kësaj njerëzit nuk e humbin besimin dhe qetësinë e shpirtit disa prej të cilëve e gjejnë atë nëpër kishat e qyteteve. Në Lviv njerëzit nuk harruan të shkonin edhe këtë të diel në kishën më të afërt nga shtëpia e tyre për t’u lutur që kjo luftë e egër të mbarojë.