Yves Michalon dhe fryma e lirisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Luan Rama

Lajmin e hidhur para katër ditësh e mora nga Zija Çela. Ndjeva dhimbje në zërin e tij për humbjen e një miku. Donte të ngushëllontefamiljen, miqtë, bashkëpuntorës e tij e për më tepër të një botuesi që deri në orët e fundit të jetës së tij punoi dhe për letërsinë shqiptare që ajo të gjente vendin e saj në botimet franceze. Një fotografi e romanit “Le Diable Comique” (“Djalli komik”) i Zija Çelës i botuar para disa muajsh në Paris nga Editions Fauves-Michalon, dukej në duart e Yves, në shtratin e tij në klinikën ku ishte dhe kjo kishte padyshim një simbolikë më vete: botuesin që kërkonte gjithnjë perfeksionin. Dhe gjithë kjo përshkohej përmes humanes që mbizotëronte tek ky njeri, tek ky intelektual parisian që la gjurmën e vet në fushën e politikës, letërsisë së shkruar dhe të botimeve.
Në ceremoninë funebre që u zhvillua në kishën e famshme të Saint Sulpice në zemër të Parisit, pothuaj përballë rrugës kur dikur ishin zyrat e shtëpisë botuese në Rue du Dragon, duke vështruar miqtë e hsumtë që e rrethonin me një respekt dhe dashuri të veçantë, kujtova dhimbjen e shkrimtarit shqiptar por dhe dhimbjen time, meqë pikërisht pas Zija Celës, Michalon u interesua në veçanti dhe për botimin e romanit tim “La concubine des montagnes”. Në hyrje të kishës, janë afresket e pikturuara të Delacroix dhe më tutje vendi ku u pagëzuar fëmija i vogël Charles Baudelaire që do të bëhej një nga poetët më të mëdhenj të botës. Tashmë aty prehej në paqe, miku ynë Michalon, i cili e priste këtë vdekje veçanërisht kohët e fundit. Ishte një vdekje e paralajmëruar, e megjithatë, njeriu fisnik mbeti gjithnjë i tillë pa iu trembur ikjes se tij. «Kur u sëmur rëndë ai deklaroi: “Vitet e fundit do të jetoj me pasion, edhe pse i cënuar nga dhimbjet por jo i mposhtur. Do të kultivoj papushim shijen për të tjerët, për lirinë, drejtësinë dhe performacën e demokracisë…” Po, golist dhe bir i një golisti që u bashkua me De Golin në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, Michalon vazhdonte të mendonte gjithnjë për të nesërmen ku ai e shikonte të ardhmen njerëzore vetëm në një demokraci të vërtetë. Ky njeri me një dinamizëm të jashtëzakonshëm jetonte çdo ditë me gjeopolitikën pa qenë drejtues i një observatori të gjeopolitikës botërore.
Yves Michalon-in e kam njohur në vitin 1997, atëherë kur si ambassador i ri në Paris, gjeta tek ai një mbështetje të veçantë dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm pasi në atë kohë, veç botimeve, Michalon ishte president i Shoqatës “Est Liberté’, (një shoqatë me një emër kuptimplotë për vendet që sapo kishin dalë nga totalitarizmi), e vendosur në Rue du Cherche-Midi, e cila, në lidhje të ngushtë me Ministrinë e Jashtme franceze mbështeste programet e «Est-Liberté» për elitat e reja politike në vendet post-totalitare, pra vendet e demokracive të reja që u instaluan në Europën lindore dhe në Ballkan. Ishte padyshim një punë mjaft pasionante e Yves Michalon mes politikanëve të rinj, të cilët i shoqëroi në njohjen e institucioneve demokratike dhe programet mbi shtetin ligjor, pluralizmin politik dhe qeverisjen demokratike: shqiptarë, bullgarë, kroatë, sllovenë, malazezë, serbë, dhe më pas politikanë të Kosovës, veçanërisht gjatë luftës së Kosovës, çka e lidhi atë me republikën e re. Dhe kjo kërkonte diplomaci, finesë, elokuencë, bujari, çka ishin vetitë e këtij njeriu me eksperiencë në fushën e komunikimit, për çka kishte qenë president i MBC dhe më pas zv.president i shoqërisë së madhe Havas. Në këtë mision, ai shoqëroi shumë politikanë shqiptarë, të majtë dhe të djathtë, të ngjyrave të ndryshme politike, për të ndërtuar balancat demokratike të nevojshme për rotacionet qeverisëse. Dhe veç politikës, ai ishte i pranishëm në krijimet e shkrimtarëve shqiptarë, të Shqipërisë dhe Kosovës, mik me Kadarenë të cilit i botoi kujtimet e Gjirokastrës e në vazhdim autorë të tjerë si Musa Jupolli, Klara Buda, Arta Shapllo etj. Edhe pse i sëmurë, gjithnjë do ti përgjigjej ftesave të shqiptarëve, në festat kombëtare, që në festën e parë të Kosovës së lirë, apo i pranishëm në veprimtaritë e shoqatave shqiptare «Albania» e «Maison d’Albanie». Yves Michalon jetonte njëkohësisht dhe me shijen e letërsisë si një shkrimtar i sprovuar që ishte që me romanin e tij të parë e më pas me romanin «Le Pousse-caillou» për të cilin u vlerësua me çmimin e Akademisë Franceze për letërsinë. Pas romanit «Pasioni i Saint-Juste» një nga idhujt e tij shpirtëror, botuar nga botimet «Albin Michel», ai botoi «Boulevard de l’Absolu» e më pas romanin e njohur «Në mbretërinë e bretkocave një mëllenjë e bardhë na shfaqet», libër të cilin ma dhuroi dhe që e lexova me një frymë.
“Sëmundja e theu, tha një shkrimtar, por nuk e mundi atë”. Dhe vërtet, siç shkruante ai para pak kohësh “Në këto çaste të bilancit të jetës, nuk kërkoj asgjë tjetër veç nevojës për të thënël idhjen time vetëm me vlerat humane”. Në kishën e Saint Sulpice që sot ka marrë rolin e Notre-Dame, Yves Michalon kaloi përsëri para duartrokitjeve të miqve dhe bashkëpuntorëve të tij, të personaliteteve të politikës, komunikimit dhe letërsisë franceze, poltikanë, shkrimtarë që ka botuar, botues, gazetarë, vetë bota e librit, të cilët e përshëndetën, por jo për herë të fundit, këtë intelektual që la gjurmë në shoqërinë franceze me një inteligjencë, përunjësi e thjeshtësi të jashtëzakonshme dhe që la pas frymën e tij të solidaritetit dhe të lirisë. Duke shkuar nën “Kantikën e Simeonit” dhe në vargjet biblike “Ajo që ti ofrove në këtë jetë do të mbijetojë – ai që humb jetën një ditë do ta gjejë”, poshtë asaj kubeje madhështore dhe kambanave që do të binin, Michalon linte pas jo thjesht kujtime, por shëmbullin e kurajos, dinjitetit, humanizmit çka ishin thelbi i jetës së tij. Duke kaluar para arkivolit, mendova mungesën që do të ndjejnë dhe shkrimtarët shqiptarë, dhe ja pse, në emër të Zija Çelës, preka arkivolin, ay ku poshtë prehej balli i tij, për t’i lënë një përshëndetje të tij të fundit!

Të fundit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë pezullon nga detyra dy efektivë të Rrugores (Emrat)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka urdhëruar pezullimin nga detyra të dy punonjësve të policisë...

Sezoni i virozave sapo ka nisur, mbushen qendrat shëndetësore me fëmijë

Temperatura e lartë dhe shumë rezistente e gripit të këtij sezoni ka shtuar fluksin e vizitave në të gjitha qendrat shëndetësore. Mbi 150 ka...

Kriza teknike për ChatGPT, mijëra njerëz raportojnë ndërprerje të papritur

Mijëra njerëz në mbarë botën kanë raportuar se nuk janë në gjendje të përdorin platformën më të njohur në botë të inteligjencës artificiale (AI),...

Shqipëria pa fuqi punëtore, ja si po i zëvendësojnë bizneset të larguarit

Ekonomia shqiptare po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Emigrimi i vazhdueshëm dhe i pandalshëm vitet e fundit, si dhe plakja e popullsisë ka futur...

Kohë të vështira për ekonominë, alarmi: 25 vitet e ardhshme janë kritike për botën

“Ekonomitë në zhvillim, nuk duhet të kenë iluzione për luftën që kanë përpara: 25 vitet e ardhshme do të jenë një betejë më e...

Lajme të tjera

Web TV