Lorenc Vangjeli: Rama i druhet protestës që nuk ka mbërritur ende në Tiranë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas rritjes mjaft të lartë të çmimit të karburanteve dhe produkteve bazë të shportës, pati protesta për një javë rresht, ku në njërën prej tyre masiviteti qytetar ishte i dukshëm. Si i konsideroni këto protesta, vetëm për shkaqe mirëfilltas ekonomike, apo janë një frustrim për keq qeverisjen?

Për të qenë politikisht korrekt, duhet thënë që në fillim që protestat janë kurdoherë të drejta. Se ato janë një ushqim i domosdoshëm për një shoqëri, janë “palestra” e tyre dhe salla e forcës me qeverisjen, cilado qoftë kjo. Në rastin shqiptar, këto pohime çalojnë pak sepse Shqipëria ka një demokraci hibride dhe për më shumë, një shoqëri e cila nuk i ka shpëtuar ende qasjes bolshevike të saj me shtetin të cilin e sheh me paranojë vetëm në dy drejtime: si një bankë e cila duhet të hapet sa herë që ka nevojë dhe si një mjet represiv që godet kur e sheh të nevojshme. Në fakt kjo është një qasje naive. Për ta thënë konkretisht, kush i kërkon sot Ramës të zbrazë xhepat këtu dhe të paguajë atje, të subvencionojë këtë dhe të paguajë për atë, nuk kupton asgjë nga sistemi që po tenton të ngrejë vendi. Kryeministri nuk ka lekë të tijat që po të jetë “burrë i mirë” i jep dhe në të kundërt, nuk i nxjerr nga xhepi. Ai është vetëm kujdestar i parave të përbashkëta dhe shoqëria i ka deleguar atij të drejtën që t’i shpenzojë. Kaq! Çdo gjë tjetër është marrëzi e kulluar dhe ndoshta edhe më keq. Kryeministri duhet të përgjigjet për prioritetet, për mënyrën sesi i shpenzon ato para, për targetimin e tyre, për mbrojtjen e shtresave në nevojë dhe në përgjithësi, për të shmangur sa të mundet abuzimin me paratë publike. Kjo për aq sa i takon krizës, e cila deri më tani ka treguar dhëmbët e qumështit, por që ndoshta do të tmerrojë më shumë nëse zgjatet deri aty ku askush nuk mund ta parashikojë. Eshtë detyrë e opozitës dhe shoqërisë civile të mbajë qeverisjen në alarm. Të kërkojë shumë më shumë efikasitet nga ajo dhe ta vëzhgojë nëse sjellja e saj është në përputhje me krizën apo jo. Por as opozita dhe as qeverisja nuk kanë kuptuar një të vërtetë të thjeshtë: opozita ndaj kësaj mazhorance është shumë më e madhe se vetë maxhoranca dhe se ajo nuk ka të bëjë pothuaj fare me opozitën e shpërndarë nëpër parti. Opozita qytetare nuk është e përfaqësuar nga politika, që është bërë gjithmonë e më qesharake, anonime dhe e emëruar si në njërin krah, ashtu dhe në tjetrin.

Kryeministri reagoi me një paketë sociale, ku më kryesorja ishte mbajtja nën kotroll e çmimit të naftës dhe duke nisur nga muaji në vijim shtresat në nevojë dhe pensionistët do të marrin 3 mijë lekë për përballimin e situatës. A janë këto të mjaftueshme dhe a mund ta ulin “forcën e protestës”?

Janë masa minimaliste, të përshtatura për një vend të varfër si Shqipëria. Një vend ku të gjithë kanë dëshirë të marrin sa më shumë, por nuk janë të gatshëm të japin asgjë. Të gjithë bërtasin për ulje taksash, por të gjithë rendin t’i fshihen taksave më keq sesa i ikin djajtë temjanit.

Si luajti politikisht Rama pas këtij reagimi? Kujtojmë që ditët e para i cilësoi minorancë, më pas si të turpshme, të nxitura nga foltorja dhe non gratat dhe së fundmi si “protesta që as Kremilini nuk do i organizonte më mirë”.

Lexo edhe :  Shkolla po mbyllet dhe në buzët e çdo nëne është një fjalë e vetme – ndihmë!

Në të gjitha daljet e tij, kryeministri ka kërkuar të frustrojë protestuesit, por për fat të keq, në të gjitha pohimet e tij ka të drejtë. Politika nuk i jep dot nerv protestës apo më saktë, duke luajtur me nervat e qytetarëve, e ka vrarë nervin e protestës. Ato tani, për shembull, lexohen si mjet për të rrëzuar Ramën si hap të parë, por ngecin në hap të dytë. “Iku Rama, por kush vjen? Luli? Mos, o Zot! Saliu? Çfarë të kemi bërë, o Zot, që na e sjell të shkuarën si ofertë të së ardhmes? Apo Grida, Jorida, Braçja apo kushdo tjetër, Iliri që është ende rob në presidencë, Monika a tjetër kush”. Në fund të historisë, duhet parë se kush përfiton mbas një akti. Zoti Putin do të ishte me siguri i lumtur që një vend evropian, anëtar i NATO-s proteston. Dhe ka shanse edhe të destabilizohet. Nuk ka shërbim më të vyer për të paudhin kur ja bën shërbimin pa e ditur as vetë se çfarë bën! Kam frikë se kjo po ndodh. Plus, mësimin nga histeria kundër armëve kimike në 2013-ën është harruar shpejt. Rama nuk nxorri atëherë asnjë mësim se pse ndodhi dhe se kush i mbushte segmente të caktuara me karburant proteste. Kryeministri atëherë u mjaftua me lumin që hodhi, por jo se kush i turbulloi aq shpejt ujërat në Shqipëri, sapo ajo tentoi, edhe me megalomaninë e të voglit, të shfaqej me një rol në botën e madhe.

Protestat nuk kanë shënuar asnjë incident duke mos u prekur asnjë xham institucionesh apo dhunë ndaj policisë. A e “trembin” realisht protestat Ramën, kur deri tani kanë “revoltë qytetare” dhe jo organizime politike, të paktën zyrtarisht?

Rama nuk trembet nga ajo që sheh, por nga ajo që ndjen. Jo nga ata që janë në rrugë, por nga ata që shtrëngojnë dhëmbët në shtëpi. Jo nga ata që hedhin gurin për të thyer xhama, por për ata që fshehin dorën që hedh gurin për të thyer xhama. Rama trembet sepse e di që në thelb ka një qeverisje të xhamtë, të brishtë, të ndërtuar mbi bazën e besimin ndaj atij vetë si individ, por jo ekipit që ka krijuar, si një ansambël teknik, që sa kohë që kërkohen zgjidhje politike, të vetmen zgjidhje kanë fshehjen mbas shpinës së tij. Kjo nuk mund të vazhdojë pafund dhe duket se Rama, i vetmuar siç thotë edhe vetë se është, herët a vonë, do të ndryshojë tapiceritë e mureve në kryeministri apo edhe ornamentet mbi tryezën e tij qeverisëse. Mbas nëntë vjetësh në pushtet, ai ka nevojë të rithemelojë vizionin e tij dhe këtë nuk mund ta bëjë vetëm, por me hapje. Kriza në partinë e tij është për momentin e padukshme dhe joekzistente, sepse ai është në gjendje ta mbulojë me hijen e tij të rëndë dhe autoritetin institucional e moral të padiskutueshëm, por Rama e di më mirë se kushdo: mbas shpinës së tij, ka një vullkan pakënaqësie, intrigash të vogla, ligësie e kundërshtie, që do ta bënin komedinë e PD-së, vetëm një akt të dramës së madhe të klasës politike shqiptare.

Të fundit

Nga kriza te rritja/ Eksportet kapin 168 miliardë lekë, INSTAT jep shifrat

Eksportet e mallrave Made in Albania kanë pasur një performancë pozitive në pjesën e parë të këtij viti.Të dhënat...

Gati marrëveshja e pensioneve me Serbinë, përfitojnë qindra qytetarë

Në Nish, Novi Sad, Beograd e më gjerë.... si mësues, punëtor ndërtimi apo tregtar... qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Serbi do t’iu njihen vitet...

Superbomba GBU-57, arma sekrete që mund të shkatërrojë bunkerët “bërthamorë” të Iranit

Cilat janë bombarduesit amerikanë B-2: ata mbajnë "superbombën" e përdorur për të shkatërruar bunkerët në thellësi të mëdha Pajisja u zhvillua në gjysmën e parë...

Akademia politike e PS/ Zbulohen lëndët që do mësojnë deputetët, leksione dhe nga Rama

Deputetët e rinj të Partisë Socialiste do të ulen në karriget e “Akademisë Politike” të Partisë Socialiste. Deputetët e rinj të mazhorancës do të duhet...

Prezantohet “Trump Mobile”/ Shërbim celular me kornizë ari dhe flamur amerikan

Biznesi i familjes Trump licencoi emrin e tij për të lançuar një shërbim mobil në SHBA dhe një telefon smart me çmim 499 dollarë...

Lajme të tjera

Web TV